Mediat ndërkombëtare për betimin në Parlament të Hashim Thaçit si president

Betimi i Hashim Thaçit si president para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është përcjellë me vëmendje nga mediat ndërkombëtare. Agjencia franceze e lajmeve, AFP, duke e quajtur Thaçin si ish kryeministri i fuqishëm i Kosovës, shkruan se ai dha betimin pavarësisht bojkotit të opozitës.
“Ish kryeministri i fuqishëm i Kosovës, Hashim Thaçi, u betua sot si president i vendit në një sesion parlamentar, që u bojkotua nga partitë opozitare, të cilat nuk pajtohen me zgjedhjen e tij si president”, shkruan AFP, transmeton Indeksonline.
Agjencia e lajmeve, Reuters, shkruan se, derisa Thaçi betohej para deputetëve në Kuvendin e Kosovës si president i vendit, ceremoni e cila u bojkotua nga partitë opozitare, protestuesit gjuanin me gurë ndërtesën e Kuvendit. “Partia më e madhe opozitare, Vetëvendosje, tha se përkrahësit e saj ishin përgjegjës për gjuajtjen e gurëve, me ç’rast janë thyer disa xhama të ndërtesës”, shkruan Reuters.
ABC News ka shkruar për betimin e Thaçi si president në Kuvendin e Kosovës, duke e përshkruar këtë proces me protestat dhe kundërshtimin e opozitës, e cila përmes gazit lotsjellës kishte ndërprerë disa herë seancat parlamentare.
E përditshmja britanike, Daily Mail, shkruan se Thaçi dha betimin si president pas përfundimit të mandatit të Atifete Jahjagës si presidente e vendit dhe në mungesë të gati tërë ligjvënësve të opozitës, të cilët në seancat e mëparshme hidhnin gaz lotsjellës me qëllim të parandalimit të votimit të tij si president. /Indeksonline/