Me veshë të mëdhenj e pa gojë fare

Nga Albin Kurti- Të enjten e 18 tetorit asnjë fjalë nuk u tha për takimin që do të ngjante të nesërmen. Disa orë debat në Kuvendin e Kosovës u zhvilluan për çështjen e dialogut politik me Serbinë. Qeveritarët në krye me Thaçin, bashkë me deputetët e tyre, arsyetonin për nevojën e Rezolutës për ‘normalizimin e marrëdhënieve’ me Serbinë.
Mirëpo, ata asnjëherë nuk argumentuan për urgjencën e kësaj Rezolute ndonëse vazhdimisht e theksonin atë. Në fakt, më parë sesa te përmbajtja e tekstit të saj, domethënia e Rezolutës konsistonte pikërisht te momenti i saj kohor, përkatësisht te kjo urgjencë e deklaruar.
Nxitimi i pakuptimtë i regjimit ishte kuptimi i Rezolutës. Të premten, më 19 tetor 2012, kryeministri Thaçi u takua me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq. Gjithçka që ishte shkruar në atë Rezolutë kishte qenë në funksion të asaj që s’ishte thënë: Rezoluta do t’i shërbente takimit kriminal me kriminelin në emër të viktimave. Më shumë se kaq, Daçiq as nuk mund të shpresonte dhe as nuk mund të dëshironte. Po rifillonte një proces që shtetit të Serbisë do t’ia rriste hapsirën e veprimit në Kosovë dhe shpejtësinë e integrimit në BE.
Sovraniteti, integriteti, lufta, populli, liria, pavarësia, kushtetuta, subjektiviteti e të tjera koncepte si këto janë fjalë të kota që i përmend Rezoluta në pak rreshtat e saj. Që të gjitha ato paraqesin ambalazhin e takimit Thaçi-Daçiq që pasoi një ditë më vonë. Malli u shit të enjten bazuar në ambalazh dhe të premten u pa produkti përfundi e brenda ambalazhit. Pra, njësoj sikurse reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore që ishin veçse ambalazhi i zarfit që nxori emrin e Presidentes Atifete Jahjaga. Dhe, sërish njësoj, letra ku u shkrua teksti i kësaj Rezolute, porsi letra ku u nënshkrua marrëveshja Pacolli-Thaçi-Mustafa, është letër për një përdorim. Përdorimi ka ndodhur e me të edhe zhvlerësimi i plotë. Rezoluta për ‘normalizimin e marrëdhënieve’ me Serbinë sot vlen po aq sa marrëveshja Pacolli-Thaçi-Mustafa. Ajo Rezolutë nuk ishte kurrfarë zotimi por e gjitha mashtrim. Një takim kriminal i planifikuar dhe i organizuar tinëz përbënte qëllimin që nuk zgjidhte mjete. Misioni i Rezolutës ka përfunduar.
Dy javë më vonë, në ditën e enjte të 1 nëntorit, është paralajmëruar një informim i Thaçit në Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin në fjalë. Pra, informim, thjesht njoftim, pa diskutim e debat. Kjo do të thotë që Thaçi do të flasë në Kuvend por nuk do t’ju flasë deputetëve. Ai do t’i drejtohet kamerës televizive për qytetarët e shndërruar në spektatorë. Deputetët do të jenë dëshmitarë të kësaj farse, spektatorë që e kundrojnë spektaklin teksa njëkohësisht e ndërtojnë atë. Thaçi do ta përsërisë atë që tashmë e ka thënë. Para se të raportojë në Kuvend ai gjithmonë këtë e bën në medie. Seanca e nesërme e Kuvendit nuk është njoftim për takimin por takim për njoftimin. Do të mblidhen deputetët për të sajuar një vend të ri për njoftimin e vjetër. Dhe, ky vend është Kuvendi. Njoftimi që tashmë e kemi dëgjuar do të përmbajë vetëm një gjë të re: vendin e ri prej ku ai do të përsëritet. Nga salla e konferencave për shtyp të Qeverisë së Kosovës njoftimi do të zhvendoset në sallën e Kuvendit të Kosovës. Njoftimi i Thaçit ndërron vendin e ekspozimit. Kaq.
Pra, një informatë pa asnjë diskutim. Kjo u kërkua nga Thaçi për seancën e radhës në Kuvendin e Republikës. Të hënën që shkoi, kryesia e Kuvendit me pesë vota PËR dhe gjashtë vota KUNDËR vendosi që të mos ketë diskutim pas informimit. Deputetët e regjimit në kryesi të Kuvendit votuan që Kuvendi vetëm të dëgjojë e të mos flasë. Regjimi e do Kuvendin të dëgjueshëm – me veshë të mëdhenj e pa gojë fare. Që ta tërheq për veshi dhe të mos i dëgjohet zëri. Ky regjim nuk e do dialogun me Kuvendin, ky regjim e do dialogun me Daçiqin.
Ky regjim nuk e do Kuvendin, ky regjim e do Daçiqin. Thaçi sillet mirë me Daçiqin e Serbisë e keq me Kuvendin e Kosovës. Urtë e butë ndaj Daçiqit, kurse me arrogancë e egërsi ndaj Kuvendit. Pas takimit të përgatitur e të zhvilluar fshehurazi me Daçiqin, informimi është gjithsesi informim për faktin e kryer. Thaçi nuk do të diskutojë për krimin e tij sepse ai do që ta përsërisë atë. Thaçi e do Daçiqin më shumë sesa Kuvendin e Kosovës. Ai nuk i tha Daçiqit: ti mos fol sepse vetëm do të të informoj! Jo, kështu i tha Kuvendit të Kosovës kurse Daçiqin e dëgjoi, diskutoi e bashkëbisedoi me të.
Daçiqi është porsi Milosheviqi. Me po atë qëndrim dhe me po atë qëllim. Thaçi nuk është porsi UÇK-ja. Nuk e ka as atë qëndrim dhe as atë qëllim. Përkundrazi, ky e zhbëri UÇK-në që të bëhet vetë. Prandaj nuk po bëhen as liria e as shteti, as mirëqenia e as zhvillimi.