Eko Higjiena

Më shumë kompetencë, transparencë dhe llogaridhënie në UP

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Nga Blerim Rexha – Këshilli Drejtues si duket nuk e ka kuptuar drejt përgjegjësinë e madhe që e ka, apo edhe nuk ka kompetence për të udhëhequr me këtë detyrë! Anëtaret e Këshillit Drejtues, përveç që duhet ta “drejtojnë” universitetin ata duhet edhe ta lidhin universitetin me ekonomin dhe industrinë! “Ata duhet të jenë persona me reputacion të lartë publik, me aftësi përkatëse profesionale, afariste si dhe me aftësi të tjera praktike.

Kompetenca – Dikur, para dy-tri decenieve, mësimdhënësit e Universitetit të Prishtinës janë konsideruar pjesëtar të veçuar të shoqërisë sepse arritja deri tek titulli “Profesor” ka qenë e lidhur me rezultatet e punës së pamohueshme shumëvjeçare. “Profesori” ka qenë i respektuar nga komuniteti i tij shkencor, profesional dhe shoqëror. Këtë respekt “Profesori” e ka arritur vetëm me kompetencë.

Viteve të fundit në Universitetin e Prishtinës paksa kanë ndryshuar gjërat! “Profesori” është pak i respektuar në komunitetin e vet shkencor dhe profesional e edhe më pak në shoqëri! Padyshim fajin për një degradim të tillë e mbajmë vet ne mësimdhënësit e Universitetit të Prishtinës, ne që pa kompetencë po duam të marrim titullin “Profesor”, edhe përkundër faktit që komuniteti shkencorë dhe profesional, kombëtar e ndërkombëtar, nuk na vlerëson si të denjë për këtë titull.

Kompetenca arrihet vetëm me punë kërkimore dhe laboratorike, synim ky i përcaktuar edhe në Statutin e Universitetit Dhe kështu Universiteti i Prishtinës renditet, në rangun botëror, sipas www.webometrics.info në vendin 4416, përveç Universitetit të Tiranës të gjitha universitet e vendeve fqinje janë para nesh (Zagrebi, Beogradi dhe Shkupi).

Ndërsa caku final i Universitetit të Prishtinës duhet të jetë renditja tek universitet e Gjermanisë, Austrisë e pse jo edhe te Britanisë, që renditen në 100 vendet e para. Një cak i tillë i Universitetit të Prishtinës do të duhet të vendosej nga organi më i lartë udhëheqës, nga Këshilli Drejtues.

Transparenca – Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës duhet që konform Nenit 18, pika 10 e Ligjit për Arsimin e Lartë të hartojë planin strategjik trevjeçar me objektiva dhe metrika të matshme siç janë: (i) Digjitalizimi, (ii) Ngritja dhe avancimi i laboratorëve, (iii) Rritja e numrit të publikimeve shkencore, (iv) Rritja e hapësirës për student, (v) Rritja e numrit të profesorëve për student, (vi) Futja e plan programeve të reja dhe aktualizimi i atyre aktuale (pse jo edhe ligjërimi në gjuhen angleze), (vii) Një student-një laptop, dhe (viii) Vlerësimi i profesorëve nga ana e studenteve.

Këtë plan strategjik trevjeçar, Këshilli Drejtues duhet ta aktualizojë çdo vit, dhe ta publikoj në ueb faqen e universitetit, konform Nenit 24 të Statutit të Universitetit. Ndoshta ekziston një dokument i tillë, por pse nuk bëhet publik dhe transparent ashtu siç kërkon Statuti? Transparenca duhet të shtrihet edhe në njësitë akademike, departamentet, e deri tek mësimdhënësit dhe proceset arsimore, shkencore dhe administrative të universitetit. Digjitalizimi është vegla më e mirë për rritjen e transparencës në proceset akademike dhe administrative në universitet, tani më praktikë e të gjitha universiteteve Europiane.

Fundamenti

Është për keqardhje që në ueb faqen e universitetit nuk gjendet asnjë informacion për buxhetin dhe financat, përkundër se të gjitha këto informacione rreth financave janë publike dhe gjinden në ueb faqen e Ministrisë së Financave. Transparenca duhet të burojë nga Këshilli Drejtues, por “për të dhënë dritë, vetë burimi duhet të shkëlqej” do të thoshte profesori ynë, me namë botërore, Prof. Dr. Jahja Kokaj.

Këshilli Drejtues si duket nuk e ka kuptuar drejt përgjegjësinë e madhe që e ka, apo edhe nuk ka kompetence për të udhëhequr me këtë detyrë! Anëtaret e Këshillit Drejtues, përveç që duhet ta “drejtojnë” universitetin ata duhet edhe ta lidhin universitetin me ekonomin dhe industrinë! “Ata duhet të jenë persona me reputacion të lartë publik, me aftësi përkatëse profesionale, afariste si dhe me aftësi të tjera praktike” konform Nenit 18, pika 2 e Ligjit të Arsimit të Lartë. Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK), i renditur në rangun botëror i 13210, në bordin e vetë drejtues,http://www.aukonline.org/web/home/overview/auk-board-of-trustees.html, ka edhe nobelistë, profesorin me origjinë shqiptare Prof. Dr. Ferid Murati. Ende nuk e kuptoj se cili është roli i disa anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës!

Llogaridhënia – Si përfunduam në këtë gjendje dhe si dalim nga këtu? Padyshim që për këtë degradim kontribuam të gjithë ne, shoqëria jonë më pak dhe ne mësimdhënësit më shumë. Ne që pranuam ta ulim nivelin e kompetencës dhe transparencës në proceset e vendim marrjes në universitet, përderisa universitet gjithandej Europës prijnë me politika të rritjes se kompetencës dhe transparencës.

Për mos respektimin e detyrave të punës duhet kërkuar llogari nga secili, edhe nga mësimdhënësit. Liria akademike, e drejtë e garantuar me kushtetutë, kreativiteti e mendimi kritik të përcaktuara si objektiva kyçe në parimet e Ligjit për Arsimin e Lartë duhet kuptuar drejt së pari nga ne mësimdhënësit. Llogaridhënien duhet kërkuar nga lartë, nga organi më i lartë i Universitetit, nga Këshilli Drejtues.

Mësimdhënësit i japin llogari Rektorit, ndërsa Rektori zbaton politikat e Këshillit Drejtues dhe i jep llogari vetëm Këshillit Drejtues, konform Nenit 25, pika 2 e Statutit të Universitetit. Prandaj Këshilli Drejtues, konform Ligjit për Arsimin e Lartë, duhet që me urgjencë të: (i) Hartoj planin strategjik trevjeçar, (ii) Nxisë rritjen e kompetencave tek mësimdhënësit, dhe (iii) Hartoj një listë të masave për rritjen e transparencës në vendim marrje akademike dhe administrative, ose të lëshojnë rrugë për persona tjerë që e kanë kompetencën dhe guximin.

Ndryshimi është i pashmangshëm.

Autori është profesor i Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Teknik.