Eko Higjiena

Me shkrimtarin – kundër shkrimtarit!

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Nuhi Ismajli- Emri, personaliteti, sjelljet jetësore dhe vepra e Beqir Musliut, ashtu si e njohim dhe e dimë, janë gjithashtu edhe një qortim për të gjithë pseudokrijuesit, krijuesit e pandërgjegjshëm dhe pushtetarët, të cilët sot po bëjnë tregti me emrin e tij.

Para pak ditësh, një ide, si kërkesë paradoksale, u hodh në opinion: “Biblioteka e qytetit të mbajë emrin e Beqir Musliut” ! (Është fjala për kërkesën që bibliotekës, në Gjilan, t’i vihet emri i Beqir Musliut).

Në shikim të parë, asgjë e keqe, pra as paradoksale, nuk duket në këtë rast. Përkundrazi, duket kjo një ide dhe kërkesë tejet fisnike, kur emri i një shkrimtari të çmuar kërkohet t’i vihet si emërtim një institucioni kulturor- arsimor, pra edhe bibliotekës.

Por puna nuk është kështu dhe propozimi nuk është aspak i mençur, sepse, në rastin e përmendur, nuk është vetëm rasti i pakontestueshëm që emri i Beqir Musliut t’i vihet bibliotekës, por edhe rasti i heqjes së emrit të deritashëm të saj.

Biblioteka e qytetit në Gjilan, apo biblioteka ndërkomunale “Fan Noli”, siç quhet tani, ka disa vjet që mban emrin e Fan Nolit. Këtë emër ajo e mban edhe sot. Në mbishkrimin e saj është emri: Fan Noli.

Pra, çështja nuk është vetëm vënia e emrit të Beqir Musliut, si emërtim i bibliotekës, por edhe çështja e heqjes së emrit të Fan Nolit – emrit të këtij krijuesi të madh shqiptar, si emër i deritashëm i bibliotekës në Gjilan.

Si të hiqet emri i Fan Nolit, si emërtim i bibliotekës ?!
Kush është ai që e heq emrin e Nolit dhe e mendon një emër tjetër ?!
Cilat janë arsyet?!
A mund t’i gjejë dikush arsyet për ta hequr emrin e Nolit, emrit të përdorur deri më tash, si emërtim i bibliotekës në Gjilan, për ta zëvendësuar atë me një emër tjetër?

Kush është ai që vetes i lejon një punë aq të pandershme, sa të shfrytëzojë një shkrimtar kundër një shkrimtari tjetër?!

Uji Dea

Mendoj se asnjë arsye të vetme nuk ka që bibliotekës, siç po quhet “ndërkomunale”, në Gjilan, t’i hiqet emri i tashëm: Fan Noli. Përkundrazi. Biblioteka duhet të ndjehet tejet krenare dhe shumë, shumë e respektuar dhe e nderuar, pikërisht duke mbajtur si emërtim emrin e madh: Fan Noli.

Emri i Beqir Musliut, nëse do të nderohet, ka mjaft institucione të rëndësishme, të cilat do ta kenë për nder ta mbajnë emrin e tij.

Pra, nuk është vetëm biblioteka e qytetit (apo biblioteka “ndërkomunale”), që mund ta mbajë emrin e Beqir Musliut dhe që vetëm përmes emërtimit të bibliotekës të nderohet emri i tij.

Sa e sa institucione të tjera kulturore – arsimore janë të denja ta mbajnë emrin e Beqir Musliut dhe ta nderojnë atë duke mbajtur emrin e tij. Kështu, është qendra kulturore, që parashihet të ndërtohet, e cila do të mund ta mbante emrin e tij.
Është gjimnazi i tashëm, i cili do të mund të kishte emrin e tij.
Është gjimnazi i ri, ai, i cili mund ta ketë emrin e tij. Etj. Etj.
Pra, çështja është se nuk është punë e mençur dhe as e ndershme që të përjashtojmë një emër të madh, për ta vendosur e nderuar një emër tjetër të madh.

Nuk është mirë ta heqim emrin e Nolit, për ta vënë emrin e Beqir Musliut.
Beqir Musliu nuk nderohet kështu.

Ai vetë nuk do ta donte as do ta bënte një gjë të tillë. Kush e njeh personalitetin, qëndrimin, sjelljet jetësore dhe veprën e Beqir Musliut, do ta kuptojë se Beqir Musliu ishte kundër gjërave e sjelljeve të tilla të pandershme.

Emri i tij, prandaj, do nderuar, po jo me gjeste e situata jofisnike dhe të pamençura.
Emri, personaliteti, sjelljet jetësore dhe vepra e Beqir Musliut, ashtu si e njohim dhe e dimë, janë gjithashtu edhe një qortim për të gjithë pseudokrijuesit, krijuesit e pandërgjegjshëm dhe pushtetarët, të cilët sot po bëjnë tregti me emrin e tij.