Më seriozisht për atë që preokupohemi

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Shefik Shkodra- Nuk duhet veç zhurmë dhe asgjë efektive edhe në debatet tona, me gojë ose me shkrim. Njëherë thonë, “këqyru’ në pasqyre!” Shumica edhe shikohen, po vetja i duket shumkujt figura më e mirë.

Dhe le të mendoj secili si të dojë, e drejt personale dhe ndoshta edhe natyrshme. Krejt nisma është se sa është reale e çfarë është qëllimi praktik nga autori. Në këtë mënyrë, secili njeri duhet ta dijë “takatin” e vet, me çka mund të merret. Sa mund ta bartë barrën që e ngarkon në shpinën e vet. Çfarë është ajo barrë.

Çdo punë e kryer me zotësi e i përgatitur mirë, i kënaq të tjerët. S’është për kundërshtim atë që di e që i del zot autori i cilës do punë. S’është për mohim diçka estetike, e pastër e me vetëdije autoriale. Diçka krijuese e sa është e mundur më origjinale. Diçka që s’është prekë shumë prej të tjerëve.

Me një fjalë, kërkohet një racionalitet edhe në këto ditët tona në çdo pikëpamje. Madje, duhet të ketë një farë mase, deri ku mund të shkohet. Para se gjithash, duhet të mendohet se atë që e shfaq me shkrim a me gojë, mund ta lexoj a ta dëgjoj edhe dikush tjetër. Mund t’i hyjë në përdorim ndoshta edhe të tjerëve. Pëlqehet, etj. Gjithsesi, duhet autocensura te secili person që merret sidomos me punë publike, sepse ajo është përgjegjësi morale. Paraqitje sa më modeste. Sa më qartë e pa lajka e patetizëm.

Në paraqitjet publike për opinione, analiza e vështrime tjera, të mos potencohet aq shumë ndonjëri, sikur tepër ekspert e në realitet nuk del krejt ashtu. Në debate publike, nëse nuk ke dije e guxim, mos përserit! Mos hy ku s’un del! Mos u merr me servilzma në vend të shprehjes objektive. Sot, te ne ka mjaft tema në jetën e përditshme, që qytetari i jonë duhet të ngre zërin, të kritikoj e të sugjeroj. Le të shfaqet mendimi i kujdo qoftë e për çkado qoftë, por “kandarin” duhet ta ketë pranë vetës e për vete… ai më i vjetri dhe ai i riu, nëse ashtu dëshiron të vijoj për analiza shoqërore, ekonomike, politik e kulturore.

Thonë, “këqyre punën tënde!”

Shumë shprehje e aforizma popullore na kanë mbetur me interes edhe për kohën. Po “këqyre punën tënde”, nëse vërtet nuk thua asgjë dhe nuk shërben për asgjë.
Sot shkruhen libra vëllimorë të mirë, po të shumtën shumë të pa vlerë. Të tillë janë monografi për ndonjë toponimi a mikrotoponimi, për fshatin, monografi për personin, përkushtime e analiza të ndryshme, që pak ka dobi lexuesi prej tyre.

Pa ndonjë dëshmi shkencore. Me thashetheme, fund e krye. Shkruhet libër për familjen, duke i dhënë epitete më të larta që është e mundur, si për personalitete, që herë-herë janë të dyshimta. Ka para, ia kushton vetes librin, duke i diktuar një shkrimbërësi, e ai nuk ishte askushi, por veten do që ta rehabilitoj e ta qëndisë në piedestalin më të lartë të shoqërisë. Edhe librat letrar, ndoshta, dikush i shkruan me para.

Por e merr guximin edhe ndonjë diletant dhe i bën analizë librit në prozë a poezi dhe veç shkarravit edhe thotë, unë jam kritik. Pa i treguar publikut se çfarë është ajo materie. Ndodh edhe ta bëj të shkëlqyeshme atë që është e baltosur. Ose, ka edhe të tillë që bëjnë komercializëm me krijimtari, edhe kjo ndodh te ndonjë që për shkaqe sociale detyrohet ta bëj edhe atë që në kushte normale nuk do ta bënte, psh.: – Shkruaj për mua se, të paguaj! etj.

Disa thonë, po ky, ai, ajo ka titull magjistri, doktori a specialisti të shkencës. Mirë, ka pasur dhe tash ka me shumicë, askush nuk është kundër. Ato janë grada shkencore. Po këta tituj nuk e kanë bërë asnjërin më të vlershëm se që është në realitet. Ka njerëz me tituj dhe kanë punuar. Po ka njerëz me tituj shumë dallaverxhinj dhe spekulantë e falsifikatorë të dorës së parë.

KKVITI

Nuk ua tejkalojnë në punë atyre pa tituj, përkundrazi. Edhe këta që merren me disa analiza (dikush me shumë patetikë) subjektive dhe jo funksionale, sikur ia “nxjerrin bishtin” ngase nuk thonë atë që duhet, nuk e thonë (disa realitetin), atë për të cilën do të duhej të luftohet në shoqërinë tonë, të jetë i paanshëm, veç sa për të thënë së po them apo po shkruaj diçka.

Kur e pyet ndonjërin, si ishte dhe si e kaluat atë mbrëmje, atë takim a manifestim për këtë e atë çështje, akëcili të përgjigjet krejt në superlativ – shkëlqyeshëm. S’është e vërtetë, po për shkak të patronatit e organizatorit, që t’u hyjë në qejf sa më shumë. T’u lyhet si yndyra në rroba. T’i bëj vetit një “grazhd”, ku mund sot a nesër ta fus kokën në radhë për një vend pune a për një kthim “borgji” me të mirë – huamarrje nga njerëzit zyrtarë e të kulturës. Dikush merret me figura kombëtare e nuk e njeh kush është dhe çfarë vepre ka krijuar. I del në mbrojtje si avokat i pa pagesë.

Dikush e kundërshton dikë për toke dhe ia thotë veç dobësitë. Ata që ia dinë hallin veti, jo veç që janë të pranueshëm në kritika e analiza, por, ata dinë çka thonë dhe për çka e kanë fjalën. Është paradoksale, që ka njeri që i përzien edhe gjinitë letrare. Shkruahet edhe për shumë çka, si për I. Kadaren, a si për rastin e vdekjes së A. Podrimjes. E bën sikur e ka njohur dhe ia ka lexuar ato vjersha dhe di t’ia intepretoj publikut. E lavdëron se e kanë lavdëruar të tjerët, kështu i ka pa e i ka dëgjuar të tjerët, ‘hajt edhe unë të them diçka për të’.

Me atë edhe do të krenohet, se, çka po arrin, shkrimtarin a poetin më të madh po e merr në shqyrtim e në vlerësimin e tij. Dhe, sikur porosia e mësuesit për nxënësit e klasave të fillores: – shkruani një vjershë për…detyrë shtëpie! Pastaj nxënësit secili në mënyrën e vet, por pa mundur të thonë shumë njëri prej tjetrit: “I dashuri, i madhi, më i miri…Kurrë s’kemi me të harrue…” etj. që as e kanë ditur e as e kanë pas të qartë për kënd e për çka kanë varguar ato fjalë.

Ka për çka preokupohet e për çka debatohet

Edhe këta opinionistët tanë, ka prej tyre mjaft konciz e të qartë çka shkruajnë. Shkruajnë se duhet dikush të shkruaj për shumë çështje te ne. Shkruajnë t’ia tërheqin vërejtjen atyre që veprojnë e ndoshta s’e qëllojnë. Shkruajnë për t’ia treguar më mirë rrugën dikujt dhe i ndihmohet, por edhe kritikohet aty e atje ku ështe me vend. Po disa kështu edhe duhet bërë. Po ndonjëri? Pse e shkruan në fund, “jam i këtij profesioni, jam analist i pavarur, po, jam i këtij ose asaj grade shkencore”. Psh.: “jam profesor gjuhe, po qe unë po shkruaj edhe për ekonomi.” Ekonomisti rrin e heshtë. Çka ka lidhje kjo? Dhe le të shkruhet në fund autori dhe profesioni i ndonjë kuadri, i cili merret ekluzivisht me atë profesion për të cilin flet dhe bën analizën.

Me siguri te dikush është e nevojshme këto që ta njohim…edhe i riu, mund ta shënoj sipas dëshirës në fund dy-tri herë se, jam ky, ai, ajo me këtë kualifikim, etj.
Realisht, nëse qytetari i jonë, i arsimuar nga cilido profesion, mund të shpërfaq mendimin publik për të ndihmuar rrjedhat shoqërore, politike e kulturore.

Duke filluar nga Bashkësia lokale, komuna e deri te institucionet më të larta. Si p.sh.: a ka pengesa në infrastrukturë kanalizim, uji lagja e vet, komuna – qyteti; a ka pengesa në shëndetësi, në arsimin tonë të cilido rang, në zhvillimin ekonomik, në punësimin e njerëzve, për korrupsion si dukuri e pandalshme tash për tash, për implementimin e ligjit në shtrirje të përgjithshme, çfarë jete kulturore kanë në BL, në qytetin e tyre dhe çfarë mund të bëhet më shumë, etj. dhe kush është fajtori ? çfarë mund të veprohet në të ardhmen?

Janë këto dhe të tjera tema që do të duhej të preokupohen të gjithë, e sidomos të rinjtë tanë. Të mos mësohen “me prit”, apo të nisin me servilzma e me punë të tjerëve që nuk ka kurrfarë afiniteti.