RCCOLA

Më së miri në rajon

/ 4 minuta lexim

Kosova i ka punët më së miri me kreditë e këqija dhe borxhin e jashtëm se të gjitha vendet e rajonit, me 6.5 për qind kredi të këqija e 8.5 për qind borxh të jashtëm. Një vlerësim i Bankës Botërore tregon se më keq është Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria. Shumica e tyre kanë shkallë të kredive të këqija rreth 20 për qind dhe borxh të jashtëm mbi 60 për qind.

Kriza e eurozonës ka lëshuar rrënjë edhe në Ballkan. Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë direkte apo indirekte po i vuajnë pasojat e goditjeve financiare të Europës nga viti 2008.

Megjithatë, një raport i Bankës Botërore i hartuar së fundi tregon se shtetet e kësaj pjese po ia dalin mbanë disi. E më së miri nga të gjithë duket se po ia del Kosova, pavarësisht se situata nuk paraqitet e kënaqshme për asnjë vend.

Kur shikohen të dhënat për kredit e këqija dhe nivelin e borxhit publik e ati të jashtëm krahas pesë shteteve tjera përreth, Kosova e ka shkallën më të ulët të kredive të këqija, 6.5 për qind, ndërsa borxhi publik është 6.9 për qind, respektivisht 8.5 për qind.

Më së keqi me këta indikatorë i ka punët Shqipëria dhe Mali i Zi.

Deri në shator të vitit që shkoi në Shqipëri, niveli i kredive jo performuese ka qenë 22 për qind, ndërsa huat që shteti ka marrë në tregun e brendshëm kanë shkuar në 63 për qind. Sipas të dhënave të analizuara nga Banka Botërore, bazuar në të dhënat statistikore të vendit, borxhi i jashtëm i këtij shteti është 35 për qind i Bruto Produktit Vendës.

Por, në raport vlerësohet se ka rezerva të mjaftueshme për të mbuluar nevojat emergjente që paraqiten si dhe ka garancion të mjaftueshëm që i siguron depozitat e klientëve në banka.

Situata me borxhin e jashtëm është shumë më e rëndë në Mal të zi, i cili ka borxh të jashtëm 97.4 për qind të BPB-së dhe ka telashe me likuiditet.

Kredit e këqija në këtë shtet kanë shkuar në 18.5 për qind, gati sa ka edhe Serbia e cila ndryshe nga Mali i Zi, ka rezerva të mjaftueshme për të mbuluar depozitat dhe ndonjë kërkesë tjetër emergjente.

Borxhi publik në Serbi llogaritet të jetë 65 për qind, ndërsa ai i jashtëm 80 për qind.

Eco Higjiena

Me këtë të fundit, sipas të dhënave, nuk mund të krenohet as Maqedonia e cila ka marrë hua nga jashtë vendi mbi 63 për qind të BPB-së dhe për shkak të situatës jo të mirë makroekonomike në vend po përballet me shkallë të lartë të kredive jo performuese, 10.1 për qind.

Për dallim nga Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi, ky vend duket se i ka punët më mirë me kreditë e këqija, ashtu sikur edhe Bosnja e Hercegovina e cila e ka shkallën e këtyre kredive 12 për qind.

Bosnja gjatë vitit 2012 e ka ruajtur edhe nivelin e borxhit publik dhe atij të jashtëm nën 60 për qind.

Performanca e sektorit financiar dhe ekonomisë së këtyre vendeve në përgjithësi duket se nuk është shumë e ndryshme nga njëra-tjetra.

Kështu e sheh edhe Banka Botërore në njëfarë mënyre.

“Pavarësisht nga dallimet e tyre, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shuma karakteristika të ngjashme të sektorit financiar: nivel të lartë të kredive jo performuese, rritje negative të kredive, … kushte të brishta makroekonomike”, thuhet në këtë raport.

Me këtë përballet edhe Kosova, e cila në raport me vendet përreth i ka punët më mirë, së paku në letër.

Banka Botërore i sheh me rrezik përqendrimin e kredive dhe depozitave në bankat komerciale në vend dhe rekomandon institucionet përgjegjëse që të kenë kujdes.

Pavarësisht shkallës së lartë të likuiditetit që kanë bankat, depozituesit e mëdhenj përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të totalit të depozitave dhe në raste të caktuara, kjo thuhet se mund të kthehet në rrezik që e cenon qëndrueshmërinë e sistemit në përgjithësi.(express)