Eko Higjiena

Me nderime ushtarake i jepet lamtumira e fundit luftëtarit të UÇK-së, Fehmi Mustafa

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Me nderime të larta ushtarake dhe pjesëmarrje të gjerë qytetare, i është dhënë lamtumira e fundit luftëtarit të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Mustafa. Ceremonia mortore u zhvillua në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve dhe qytetarëve nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa nderimet u kryen nga Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në kohën kur shumëkush kërkonte shpëtim larg luftës, Fehmi Mustafa bëri zgjedhjen e kundërt: la pas jetën e ndërtuar, rehatinë dhe sigurinë, për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut. Si një ndër luftëtarët e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai u rreshtua në vijën e parë të sakrificës, duke dëshmuar se liria nuk është privilegj, por përgjegjësi që kërkon guxim dhe përkushtim të plotë.

Rrugëtimi i tij nga jeta në diasporë drejt frontit të luftës mbetet një nga shembujt më të fuqishëm të atdhedashurisë së kthyer në vepër.

I ndjeri, i lindur më 20 dhjetor 1956 në fshatin Depcë, vendlindja e heroit Agim Ramadani, ishte pjesëmarrës aktiv në luftërat për liri, fillimisht në Kroaci dhe më pas në Kosovë, ku kontribuoi në betejat e rëndësishme të Pashtrikut gjatë operacionit “Shigjeta”.

Në ceremoninë e varrimit, një fjalim të plotë dhe prekës mbajti Xhelil Rrahmani, i cili, mes emocionesh, tha:

“Të nderuar të pranishëm, e nderuara familje Mustafa, Rashiti, dhe të gjithë ju që ndani dhembjen për ndarjen nga jeta të Fehmi Mustafës.

Sot jemi mbledhur për të nderuar jetën dhe veprën e një njeriu të madh – një prindi të përkushtuar, një miku të sinqertë, një vëllai e gjyshi të dashur, dhe mbi të gjitha, një luftëtari të orëve të para të UÇK-së.

Fehmiu nuk ishte vetëm një shok i besueshëm dhe i afërt, por një burrë që nuk kurseu asgjë nga vetja për lirinë dhe dinjitetin e kombit. Në ditët më të vështira të luftës, ai dëshmoi guxim të rrallë dhe u bë shembull i sakrificës dhe i burrërisë.

Eco Higjiena

Që në rininë e hershme, ai u frymëzua nga idealet kombëtare. I lindur në Depcen heroike, vendlindjen e heroit Agim Ramadani, në Karadakun e Idriz Seferi, ai u rrit me ndjenjën e thellë të atdhedashurisë.

Prandaj, shumë herët iu bashkua luftëtarëve të lirisë, duke lënë pas jetën që kishte ndërtuar në Kroaci, ku kishte qenë gjithashtu pjesëmarrës në luftë. Ishte një zgjedhje që kërkonte guxim, sakrificë dhe bindje të palëkundur.

Unë pata nderin ta kem shok shkolle, bashkëmoshatar dhe mik të mirë. Kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i gjallë.
Thuhet se njerëzit e mirë nuk vdesin kurrë. Ata kalojnë në përjetësi, por veprat dhe kujtimi i tyre jetojnë përgjithmonë ndër ne.

I dashur Fehmi, pusho i qetë në dheun e Kosovës që aq shumë e deshe. Ti e përmbushe me nder detyrën tënde ndaj atdheut.

Familjarë të nderuar, jini krenarë për këtë vëlla, prind, gjysh e patriot.

Lavdi jetës dhe veprës së tij!”

I ndjeri la pas djalin Kushtrimin dhe vajzën Artën, për të cilët u kujdes me përkushtim të veçantë, duke i edukuar me vlerat e ndershmërisë dhe atdhedashurisë.

Figura e Fehmi Mustafa do të mbetet e gjallë në kujtesën e atyre që e njohën dhe në historinë e përpjekjeve për liri, si një dëshmi e një jete të jetuar me dinjitet dhe sakrificë./rajonipress/