Hidromorava

Me homazhe dhe akademi përkujtimore u nderua dëshmori Safet Rexhepi në 27-vjetorin e rënies

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Viti – Në shenjë nderimi dhe kujtimi për jetën dhe sakrificën e Dëshmorit të Kombit, Safet Rexhepi, në komunën e Vitisë janë zhvilluar aktivitete përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të rënies së tij heroike, si dhe është shënuar dita e shkollës që mban emrin e dëshmorit.

Aktivitetet nisën me homazhe te varrezat e dëshmorëve në Viti, ku përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, subjekte politike dhe qytetarë vendosën kurora lulesh në nderim të të rënëve për liri.

Më pas homazhet vazhduan pranë shtatores së dëshmorit Safet Rexhepi, ish-pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ku u përkujtua kontributi dhe sakrifica e tij për çlirimin e vendit.

Manifestimi qendror u mbajt në Shkolla Fillore “Safet Rexhepi”, ku njëkohësisht u shënua edhe dita e shkollës. Në akademinë përkujtimore morën pjesë figura të njohura të luftës së UÇK-së, përfshirë Ahmet Isufi, Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj.

Në emër të institucioneve komunale foli zëvendëskryetari i komunës, Hasan Aliu, i cili vlerësoi lartë figurën dhe sakrificën e dëshmorit Safet Rexhepi.

Ai theksoi se shkollat që mbajnë emrat e dëshmorëve janë bartëse të kujtesës historike dhe krenarisë kombëtare, duke kujtuar se liria e Kosovës është ndërtuar mbi gjakun dhe sakrificën e bijve më të mirë të vendit.

Uji Dea

“Dhimbja për humbjen e më të dashurve nuk shuhet kurrë, por krenaria për lirinë e fituar nga dëshmorët e bën më të fortë kujtesën dhe respektin ndaj tyre,” u shpreh Aliu.

Ai u bëri thirrje mësimdhënësve dhe nxënësve që të vazhdojnë rrugën e dijes dhe edukimit, duke e konsideruar shkollimin si formën më të lartë të nderimit për ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.

Në këtë akademi përkujtimore folën edhe ish-ushtarakët e UÇK-së, të cilët evokuan kujtime nga lufta dhe roli i dëshmorëve në rrugën drejt çlirimit të Kosovës.

Ndërkohë, drejtori i shkollës, Florim Brahimi, prezantoi historikun e institucionit dhe rezultatet e arritura ndër vite në procesin edukativo-arsimor.

Aktiviteti u përmbyll me një program artistik të përgatitur nga nxënësit e shkollës, të cilët përmes recitaleve, këngëve dhe interpretimeve artistike nderuan figurën e dëshmorëve dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës./rajonipress/