Mobi Casa

Me gjithë vërejtjet, Kuvendi miratoi Pakon e ligjeve antikorrupsion

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Me 51 vota për, 33 kundër, dhe 7 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale. Ky projektligj është kundërshtuar nga LDK-ja dhe Vetëvendosja.

Propozim-strategjia dhe Plani i Veprimit kundër korrupsionit për vitet 2013-2017, ishte pika për të cilën u debatua më së shumti. Ligjet dhe strategjia u miratuan me gjithë thirrjen nga Forumi Këshillues i OJQ-ve që të votohet kundër, raporton RTK.

Kundër u shprehen Grupet parlamentare të LDK-së, AAK-së dhe të Vetëvendosjes, me qëndrime se propozim strategjia nuk është e mirë dhe nuk mund ta luftojë korrupsionin.

Diskutimet u zhvilluan edhe për aspektin e respektimit të ligjit nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Kryekuvendari, Jakup Krasniqi tha se Agjencia nuk po e ndjek rrugën ligjore, kur po i drejtohet Qeverisë.

“Realisht është një defekt. Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) është organ që i përgjigjet Kuvendit dhe raporti i tij duhet të vinte në Kuvend direkt, e jo rruga që e ndjekin ata” , tha Krasniqi.

Ndërkaq, Armend Zemaj në emër të grupit Parlamentar të LDK-së, potencoi se ekziston një nen në Ligj, që ia mundëson këtë Agjencisë dhe atë ligj e kanë votuar vet deputetët.

Fundamenti

“Është e vërtetë që AKK është organ i themeluar nga Kuvendi, por një nen në ligjin e AKK-së thotë që strategjia kalon përmes Qeverisë dhe nuk miratohet nga Qeveria, pra aty është defekti i pranuar nga Kuvendi i Kosovës”, tha Zemaj.

Megjithëse opozita votoi kundër, Propozim-strategjia dhe Plani i veprimit kundër korrupsionit për vitet 2013-2017, u miratua me 54 vota për, 45 kundër dhe 2 abstenime.

Në fillim të seancës, me 51 vota për, 33 kundër dhe 7 abstenime, u miratua edhe Ligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.

Këto dy ligje u kundërshtuan nga Forumi Këshillues i OJQ-ve, të cilët para mbajtjes së seancës u bënë thirrje deputetëve që të mos i miratojnë, ngase sipas tyre, ato janë të dobëta.

Sipas Admir Salihu nga ky forum, Qeveria dhe Kuvendi nuk janë të interesuar që të nxjerrin një ligj efikas.

“Komisioni me urgjencë e ka sjell në Kuvend këtë ligj, i cili është tërësisht i kotë. Nuk janë marrë parasysh rekomandimet tona, edhe ato që janë marrë janë marrë krejt jashtë në një formë jashtë asaj që ne kemi kërkuar dhe shoqëria kosovare kërkon”, tha Salihu.

Ndërkaq, për dallim nga dy ligjet e përmendura, deputetët ishin dakord për Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, i cili ligj u miratua me 94 vota për, si dhe nga një votë kundër dhe të abstenuar. /Telegrafi/