Fundamenti

Më falni që nuk pi duhan, prapë më falni!

/ 8 minuta lexim

Nga Adriatik Kelmendi – Jemi vendi i fundit në këtë pjesë të botës që ende paturpësisht e vë në pikëpyetje një dilemë bukur primitive: të kufizohet ose jo duhani! Nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, atëherë, më falni, por primitivizmi brina s’mund të ketë!

A DUHET MEDOEMOS që në çdo fushë, e edhe në mbrojtjen e shëndetit tonë, të fëmijëve tonë, të jemi të fundit?

Pse edhe kur e dimë se si janë rregulluar çështjet e ndjeshme në vendet që tashmë janë larg me zhvillim, demokraci e mirëqenie njerëzore, vlerësojmë se ne – për ndonjë arsye të pashpjegueshme, por ne – gjithsesi mund ta shpëtojmë e të shpëtojmë me Të Keqen.

E pra, që duhani është E Keqe, me shkronjë të madhe, dhe E Keqe bukur e veçantë besoj se e dimë që të gjithë.

Jemi vendi i fundit në këtë pjesë të botës që ende paturpësisht e vë në pikëpyetje një dilemë bukur primitive siç është ajo lidhur me kufizimet për duhanin. U pa mirëfilli se Ligji i parë për Duhanin nuk gjeti zbatim për një sërë arsyesh, por edhe pse linte hapësirë të madhe interpretimi. Si rrjedhojë, Kosova momentalisht ka ngritur flamurin e bardhë karshi duhanit, është dorëzuar.

Mirëpo, me Ligjin e ri të propozuar, do të mund të pritej që vendi së paku të arrijë një normalitet në këtë fushë, krahasuar edhe me vendet jo shumë të përparuara të rajonit si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia, e të cilat megjithatë na kanë lënë prapa në këtë fushë.

ALARMI PËR TË MOS zbatuar të paevitueshmen, dhe thirrjet për të vazhduar të të qenit në shekullin e kaluar sa i përket duhanit, erdhën menjëherë nga disa deputetë labilë ose të korruptuar, si dhe shoqatat e individët që shohin përfitime nga vazhdimi i kaosit të tashëm.

Arsyetimet e atyre që avokojnë për mosndalim duhani, kinse thirren në mirëqenien e një grupi të vogël njerëzish që sigurojnë të ardhura nga shitja e cigareve, duke neglizhuar qëllimshëm mirëqenien e të gjithë të tjerëve që helmohen nga nikotina, duhanpirës ose jo.

Më vjen keq, por këto dilema gjithsesi janë trajtuar dhe kanë kaluar nëpër lobime shumë më të mëdha edhe në vende të tjera, por vendimmarrësit nuk kanë lëshuar pe ndaj presionit dhe gjendja e tashme është ajo që është: janë të ndara vendet ku dhe si mund të pihet duhani dhe ka marrë fund kaosi. S’ka nevojë për zbulim të ujit të nxehtë.

Pse ne po u dashka të jemi açik, tash?!

Apo nuk mund të presim më mirë, kur shohim se vetë deputetët, ligjvënësit pra, ata që e kanë votuar ligjin e parë për duhanin, e që parasheh kufizime, vetë e pinë duhanin në hapësira publike të Kuvendit? Ç’të presim nga të tjerët?

Kësaj s’mund t’i jepet një emër tjetër, përveçse: primitivizëm.

Aq më tepër kur, në qoftë se s’po duam dhe s’po dimë se si ta mbrojmë shëndetin tonë vetë, atëherë pse të mos i bindemi kërkesave që ligjet antiduhan të jenë në përputhje me vendet e zhvilluara që vijnë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNICEF-i, Raporti i Progresit nga Komisioni Evropian e shumë të tjera.

E KAM SHKRUAR edhe më herët, nëse jeni joduhanxhi që keni pasur fatin të jetoni në Kosovë, ju mund t’i keni bukur të qarta nja dy-tri gjëra lidhur me duhan-primitivizmin kosovarçe.

Një, do të duhej të vendosni të qëndroni i vetmuar në lokal, ose ta gjeni një shok joduhanxhi, në qoftë se dëshironi së paku të uleni në atë pjesën ku nuk do të duhej pirë duhani (qëllimisht po e përdor “ku nuk do të duhej” pasi që kurrë s’i dihet).

Dy, në qoftë se leni takim në lokal me ndonjë duhanxhi, ai nuk do të harrojë të ju porosisë me egoizëm: “Ulu aty ku lejohet duhani”, duke mos i bërë fare përshtypje se ju nuk pini duhan.

Dhe tre, s’ka shumë lidhje se ku do të uleni, tymi i duhanit do të ju arrijë, për shkak të mosventilimit të mjaftueshëm dhe mosndarjes së standardizuar të hapësirave.

Teksa, rastet e mësipërme mund të duken si tragjikomike, ka edhe të tjera ku komikja më nuk ka fare kuptim dhe e tërë skena i ngjan vetëm një trileri tragjik. Ndonëse jam kundër përgjithësimeve, e kam vështirë të kujtoj një vend tjetër që e mëton ta quaj veten të kultivuar dhe jo gjysmë të egër, ku duhani pihet lirisht nga të gjithë edhe në lokalet e dedikuar për lojëra të fëmijëve nën moshën dhjetëvjeçare. Por, natyrisht se këtu ndoshta fajin më të vogël e ka menaxheri i lokalit – i cili së paku do të duhej të respektonte një ligj të natyrës në qoftë se jo të shtetit – sa kanë faj vetë prindërit që pinë duhan në prani të fëmijëve të tyre ose të tjerë që kanë ardhur për lojë.

KKGJILAN

E tash vlerësoj se nuk ka pamje më bizare se sa një nënë shtatzënë me bark të fryrë që pi duhan pa ia nda. Personalisht – më falni që jam kaq i drejtpërdrejtë – më duket si një tentimvrasje. E besoni, raste të tilla shohim të gjithë non-stop në Kosovë.

PËRSE KY VES KAQ I shprehur te ne? Përse gjithë kjo mospërfillje? Ose kjo mosdije?

Duket se ka të bëjë pikërisht me injorancën në masë dhe me varfërinë. Së paku, kështu e tregojnë shifrat zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të organizatave të tjera që merren me çështjet e lidhura me duhanin.

Vlerësohet se një nga tre të rritur në botë pinë duhan, me rreth 1.2 miliardë njerëz në gjithë rruzullin. Shumica e duhanxhinjve banojnë në vendet e spektrit socioekonomik më të ulët e deri në atë gjysmë të ulët, në një masë prej rreth 80 për qind. Evropa Lindore, ku bën pjesë edhe Kosova, ka përqindje prej 59 për qind të meshkujve të rritur që pinë duhan, teksa femrat ka ky regjion pinë më tepër duhan se sa ato në Azi dhe në rajonin e Pacifikut.

Gjatë shekullit të kaluar, duhani ka shkaktuar vdekjen e rreth 100 milionë njerëzve në botë.

Duhani mbyt një person në çdo dhjetë minuta dhe deri në vitin 2025 llogaritet se do të jetë shkaktar i vdekjes së 10 milionë njerëzve për çdo vit, që i bie 10 fish më tepër se një shekull më parë.

Thithja e tymit të duhanit, e quajtur pirje pasive e duhanit, shkakton rreth 604 mijë vdekje çdo vit, prej të cilëve rreth 165 mijë janë fëmijë. Në një studim për vitin 2004, nga pirja pasive e duhanit 5.94 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare janë diagnostifikuar me infeksione të traktit të ulët respirator, kurse 1.25 milionë të tjerë kanë fituar astmën.

Femrat shtatzëna që i ekspozohen pirjes pasive të duhanit kanë 23 për qind më shumë gjasa që të lindin para kohe dhe 13 për qind të kenë defekte gjatë lindjes.

Çdo 30 sekonda, një person në botë vdes nga kanceri i mushkërive.

Më shumë amerikanë çdo vit vdesin nga sëmundjet e lidhura me pirjen e duhanit se që vdesin nga AIDS, aksidentet në trafik, vrasjet dhe abuzimi me drogat, të gjitha këto të kombinuara bashkë.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË e Kosovës llogaritë se rreth një e treta e kosovarëve janë duhanxhinj dhe se për kokë banori brenda vitit tymosen nga 2.687 cigare.

Vetë këto shifra shpërfaqin edhe shumë kundërargumete logjike ndaj avokatëve produhan. Me situatën si është në vend, i bie që dy të tretat e popullatës të vuajnë mosrespektin e një të tretës së popullatës që pi duhan.

Tjetra, në qoftë se do të përgjysmohej numri i tashëm i pirjes së cigareve nga një individ brenda vitit, do të krijohej buxhet i mjaftueshëm personal e familjar për të blerë shumëçka tjetër, do të kurseheshin paratë për ilaqe kundër sëmundjeve të lidhura me duhanin, do të kishim më pak nevojë për shpenzime mjekësorë e shumë të tjera të mira bashkë.

Por, mbi të gjitha, do të tregonim se edhe ne dimë se çka është e mirë për veten dhe për shoqërinë, se jemi për të drejta të njeriut, për ambient të pastër, për shëndet tonin dhe të fëmijëve tanë.

Dhe, përfundimisht, ndonëse jo ndoshta me peshën më të madhe në këtë kontekst, se nuk jemi vrimë e zezë e Evropës.

Deri më tash kemi dështuar dhe kemi dështuar keqas.

Se si do të jemi, zgjidhja është vetëm e jona.

Dhe… për të mirën, ose për të zitë e fatit tonë.