RCCOLA

Më e bukura e diasporës në Gjermani

/ 3 minuta lexim

Spektakli ,,Miss Diaspora Germany 2012“ vjen këtë fundjavë në Dyseldorf të Gjermanisë.

Më e bukura e diasporës në Gjermani do të kurorëzohet në një konkurs bukurie më 23 qershor në Dyseldorf të Gjermanisë.

Organizatorët thonë të jenë bërë të gjitha përgatitjet për spektaklin e së shtunës “Miss Diaspora Germany 2012” në Dyseldorf .

Modele dhe moderatore që njeh mirë rrugën e modës dhe sfilatave, organizatorja e këtij evenimenti në Gjermani, Malbora Gurra, tha për albinfo.ch se janë duke perfeksionuar gjithçka që mbrëmja e së shtunës të jetë madhështore në „Golden Time Neuss” në Düsseldorf.

Modelja nga Shqipëria thotë se i ka ardhur koha edhe për artin e bukurisë në diasporë.

„Këtë vit Shqipëria feston 100-vjetorin e pavarësisë dhe njëkohësisht ka vite që Kosova tashmë është vend i lirë, kështu që ka ardhur koha t’i përkushtohemi artit dhe kulturës, e pse jo edhe artit të bukurisë”, ka deklaruar Malbora Gurra.

Për këtë konkurs 20 vajza nga Shqipëria dhe Kosova anekënd diasporës do të garojnë për titullin e më të bukurës së diasporës në Gjermani.

Eco Higjiena

Për të zgjedhur ambasadoren e bukurisë së diasporës, projekti është përkrahur edhe nga Kosova dhe Shqipëria, por nuk ka munguar as përkrahja e kompanive të ndryshme në diasporë.

„Pa bashkëpunimin me ekipin që ka bërë shumë nuk do të bëhej realitet “Miss Diaspora Germany 2012”. Kemi bashkëpunuar për marketing me Fatbardh Haxhiun, me menaxherin e evenimentit, që është dhe asistenti im, Ilir Balija. “Fjalë pak, e punë shumë!” është motoja e bashkëpunimit me fotografin e mirënjohur Avni Selmani, që për mua ka vlera të veçanta. Por, jam e privilegjuar që bashkëpunoj edhe me Jeton Qafleshin, që ka dhënë shumë mund dhe angazhim në këtë eveniment”, thekson Gurra.

Stiliste e “Miss Diaspora Germany 2012” është disenjatorja Nadire Zymberi nga Menakon që do ta prezantojnë moden e saj vajzat konkurrente në spektakël.

Për koreografinë është kujdesur Daniella Miatovic, një top modele e njohur dhe shumë e suksesshme nga Bosnja.

Jurinë e këtij spektakli të bukurisë e përbëjnë gazetarë, fotografë, miss dhe modele, si Ilir Geci nga Gecjan, Fashion Group, Ema Golijani, Miss Bosnja, Nadire Zymberi, disenjatore në Menakon, Avni Selmani, fotograf, Joni Peci nga “JPFG Peci Fashion Group”, Megi Shala, gazetare, Ariana Cena, modele, Petri Bozo nga “Miss Globe International”, Arjan Kashtanjeva, diplomat dhe Suzana Mushkolaj, fotografe.

Miss Diaspora Germany 2012 do të jetë një nga përfaqësueset e skuadrës shqiptare (Albanian Team) në „Miss European“ që do të zhvillohet në Portugali në bashkëpunim me “Albanian Pageant Group”.

Fituesja e “Miss Diaspora Germany 2012” do të jetë edhe zyrtarisht modele e agjencisë më të madhe shqiptare të modës „Gecjan Fashion Group“, dhe si e tillë do të jetë e angazhuar në shumë evenimente të modës në Kosovë dhe Shqipëri.(albinfoch)