Me dy gishta përpjetë
Pjesëtarët e FSK-së që fotografohen duke bërë rite kolektive fetare në ambiente sekulare ushtarake dhe me uniformën e shtetit sekular dhe multi-konfesional, veç sa bëhen mjet i fuqishëm i propagandës së vjetër serbe, që tenton ta ngjyrosë Kosovën shumë specifikisht tash e 100 vjet.
Dy nga shtyllat kryesore të propagandës serbe ndaj Kosovës mund të pasqyrohen në dy teza që Serbia i përsërit kudo tash e shumë vjet: E para është që Kosova dhe shqiptarët janë të prirë për krim, janë të prirë për pabesi dhe korrupsion – thjesht janë një vrimë e zezë e pacivilizuar e Evropës. E dyta është se shqiptarët dhe Kosova është një djep i ekstremizmit fetar, përkatësisht islamit politik radikal. Këto dy teza janë komplementare në mes vete për të ngjyrosur një rrëfim neokolonialist tejet negativ se çka është Kosova dhe cilët janë shqiptarët.
I kemi dëgjuar këto akuza në vazhdimësi tash e shumë dekada. Shqiptarët janë quajtur banditë dhe islamistë, arnautë a turq, që nga koha e okupimit fillestar pas rënies së Perandorisë Osmane, për të justifikuar veprimet kolonialiste të okupatorëve serbë. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, aksionet famëkeqe për mbledhje armësh apo shtypja e rezistencës së Shaban Polluzhës (i cili fillimisht ishte edhe vetë partizan) mbrohej me nevojën për të shtypur banditizmin konservator (antirevolucionar) shqiptar.
Këto dy teori posaçërisht kanë marrë krahë me ardhjen e Milosevicit, i cili, edhe pse nominalisht komunist, e përdori me “mjeshtëri” (gjithsesi vetëshkatërruese) ikonografinë dhe diskursin kishtar për të gjeneruar përkrahje masive nga popullata injorante në Serbi për lëvizjet e tij anti-Kosovë.
Nuk jam person që beson në konspiracione, por në Serbi është dëshmuar përtej çfarëdo dyshimi se në kohën e Milosevicit e edhe më vonë, mediet, bizneset e ndyra të profiterëve të luftës, shërbimet sekrete dhe disa nga strukturat vendimmarrëse kanë qenë në një rrjet të organizuar. Receta ka qenë si ajo në Kroaci, Bosnje ashtu edhe në Kosovë: fillimisht përdoren mediet e besuara dhe të kontrolluara nga UDBA për të krijuar “terrenin e volitshëm” – duke animuar ndjenja te banorët e pastaj përdoret aparati i dhunës për të krijuar realitete të reja të përshtatshme për struktura krimogene.
Më 1990, okupimit të Kosovës i ka paraprirë një fushatë e tërë e sofistikuar për gjoja dhunimet e grave serbe nga ana e shqiptarëve, krejtësisht e sajuar. Me muaj të tërë, gazeta, kolumnistë, reporterë në Politika Ekspres, NIN, Vecernje Novosti, RTB, “raportonin” të sinkronizuar duke helmuar opinionin publik në Serbi kundër shqiptarëve. Edhe vetë ardhja e Milosevicit në Fushë Kosovë është dëshmuar të ketë qenë një komplot i inskenuar medial – sipas dëshmisë së Miroslav Solevicit në serinë famoze të Laura Silber “Vdekja e Jugosllavisë”. Pastaj përdoret aparati i dhunës si policia dhe ushtria për të vepruar, ndërsa mediet përdoren tutje për të justifikuar dhunën, në një “perpetum mobile” dreqnore të propagandës dhe dhunës që e ushqejnë njëra- tjetrën. Edhe vrasjes së Djindjicit i kanë paraprirë shkrime të ndryshme propagandistike që diabolizonin Kryeministrin e vrarë para një dekade, si tradhtar të kombit dhe kriminel mafioz.
Narracioni i këtillë, esencialisht racist i Serbisë kurrë nuk u pranua nga ata që i njihnin mirë rrethanat në Kosovë. Amerikanët dhe europianët që e njihnin Serbinë dhe Kosovën nuk u kanë varë veshin teorive serbe për shqiptarët dhe Kosovën.
Por, kohërat kanë ndryshuar. Klasa e politikanëve europianë dhe amerikanë që e njohin Ballkanin po zëvendësohet me një klasë të re politikanësh që veprojnë në një botë të trazuar me krizë permanente ekonomike, ku teoritë për “luftën e civilizimeve” të Huntingtonin gjejnë tokë pjellore më shumë se kurrë dhe ku rrjetet sociale janë dëshmuar të bëhen gjeneratorë të vërtetë të interpretimeve paralele të historisë.
Në SHBA, kandidati republikan për kryetar shteti për pak nuk u bë Rick Santorum, i cili pati deklaruar se për Amerikë një nga rreziqet e mëdha është “xhihadi shqiptar në Kosovë”. Edhe në kryeqytete europiane ka lëvizje gjithnjë e më të mëdha politike që synojnë ta ngjyrosin botën nëpërmjet ndarjeve fetare dhe kulturore, sidomos tek e djathta ekstreme që shpesh reflekton sentimentin e një shtrese të gjerë të “proletariatit” perëndimor. Ky këndvështrim fatkeqësisht inspiroi edhe vrasësin Breivik që në Norvegji vrau mbi 70 fëmijë, duke i thirrur në teorinë e tij se “Islami po e kërcënon Europën”. Ai pati thënë se Kosova, Bosnja dhe Shqipëria janë “bazat e para të okupimit islamo-fashist të Europës” dhe për këtë arsye vrau fëmijët që ishin pjesë e një kampi multi-kulturor majtist. Këto lëvizje në opinion publik të shteteve që vendosin për të ardhmen tonë europiane dhe me të cilët pretendojmë të ndërtojmë miqësi strategjike afatgjate – si në rastin beninj ashtu edhe tek incidentet ekstreme nuk duhet injoruar.
Kosova ka arsye të jetë krenare për tolerancën e treguar ndër shekuj. Ka arsye të jetë krenare edhe me faktin se Nënë Tereza i ka rrënjët në Kosovë, por edhe se ndër xhamitë më të para në Ballkan janë ndërtuar në Kosovë. Nuk ishim të okupuar dot ne nga Turqi sepse nuk patëm vështirë të inkorporohemi në Perandorinë. Kemi të drejtë të jemi krenarë edhe me ritet Sufi të Bektashinjëve, por edhe me shkollën Hanefi të shumicës kosovare që i është dedikuar ruajtjes së modelit të respektimit të ndërsjellë. Kemi arsye të jemi krenarë edhe me kishat e bukura serbe që tashmë janë pjesë e begatisë globale të mbrojtura nga UNESCO (dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës – ato janë serbe, përkundër faktit që moti dikur krishterët që themeluan ato ishin shqiptarë, serbë, ballkanas të etnive të përziera).
Prandaj në sferën publike, aty ku është prezenca e shtetit, aty ku është prezenca e idealeve kombëtare dhe liridashëse – aty nuk ka vend për çfarëdo interpretimi uniform kolektivist fetar. Çfarëdo insistimi i Kosovës në një fe, në një botëkuptim, në një mënyrë të vetme të interpretimit të historisë apo politikës do të çojë ujë në mulli të propagandës serbe.
Shumëkush mund të thotë se kjo nuk është fer. Se kosovarët do të duhet të kishin po të njëjtat të drejta si serbët, rusët, grekët, kroatët që të kenë fe shtetërore apo që së paku feja të ketë më shumë prezencë në jetën publike.
Por jeta nuk është fer.
E as Kosova nuk është Serbi apo Greqi sepse shtet-lindja jonë nuk ndërlidhet me fenë, por me kombin. Nuk mund të harrojmë se Sami Frashëri ishte Bektashi që pinte verë dhe që kontribuoi në mbajtjen e Perandorisë Osmane sa edhe iluminizimin e shqiptarëve, se rezistenca ndaj Serbisë ka rrënjët edhe te françeskani më i madh kosovar, Atë Shtjefën Gjeqovi i Janjevës, se Bashkësia Islame e Kosovës apo Ipeshkvia e Kosovës ishte po aq pjesë e rezistencës qytetare sa edhe LDK-ja apo UÇK-ja, edhe gjatë nëntëdhjetave të hershme. Nuk duhet harruar se në qendër të Prishtinës ka pasur xhami dhe një e re po ndërtohet, ka pasur edhe kishë, dhe ajo po ashtu po ndërtohet, por deri më 1962 në Prishtinë ka pasur edhe sinagogë dhe kjo po ashtu duhet shënuar.
Kornizave të realitetit nuk mund t’u ikim. Paragjykimet njerëzore nuk i luftojmë duke i injoruar apo duke u vetëviktimizuar, por duke qenë aktivisht të angazhuar në promovim të së vërtetës dhe diversitetit.
Kosova nuk është vrimë e zezë. Ka të tillë që duan ta bëjnë të tillë, të tillë që valojnë flamurë të zinj dhe ogurzinj, por duhet thënë gjithmonë dhe pa ndarë, se të tillët janë produkte të konspiracionit historik të shtetit serb dhe veç sa konfirmojnë tendencat e egra të qarqeve propagandistike. S’do mend se mund të jenë të paguar edhe nga Serbia.
Thyerja e propagandës historike të Serbisë filloi me orientimin e kosovarëve drejt Europës dhe SHBA-së. Ishin dy gishtat e çuar përpjetë në shenjë të viktorisë që sollën simpatitë botërore dhe lirinë përfundimtare, këtë asnjëherë nuk duhet ta harrojmë.
Autori është Zëvendës Ministër i Jashtëm. Opinioni nuk përfaqëson doemos edhe qëndrimin e këtyre organizmave. Për më shumë, përcillni nofkën në Twitter: @petrit

