Fundamenti

Me aktakuzë të konfirmuar, në krye të PTK-së

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Kreu i bordit të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Rexhë Gjonbalaj, nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga pozita që ka, pavarësisht se gjatë javës që lamë pas, ndaj tij ka filluar një proces gjyqësor për lidhje të kontratave të dëmshme dhe tejkalim të autorizimeve.

Para pak ditësh Gjykata Komunale në Prishtinë ka konfirmuar një pjesë të aktakuzës kundër Gjonbalajt. Por, një gjë e tillë nuk e ka penguar fare atë, që edhe më tutje të ushtrojë funksionin e kryetarit të bordit të drejtorëve në kompaninë publike më profitabile në vend.Por, symbyllur dhe aleat karshi Gjonbalajt, është treguar edhe Qeveria e Kosovës, si aksionare e vetme e PTK-së.

Qeveria e Kosovës përmes një vendimi, para pak ditësh pati liruar nga detyra zëvendëskryeministrin Bujar Bukoshin dhe zëvendësministrin e Financave Astrit Haraqija, pasi që ndaj tyre prokuroria ka ngritur aktakuzë për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Por, nga ky vendim i Qeverisë është “amnistuar” Rexhë Gjonbalaj, i cili tashmë po përballet me drejtësinë për nënshkrim të kontratave të dëmshme.

Uji Dea

Gëzim Baxhaku, këshilltar për media i ministrit të Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, thotë se procesi kundër Gjonbalaj ka filluar javën që shkoi. Sipas tij, Ministria e Zhvillimit Ekonomik monitoron punën e bordeve të drejtorëve të ndërmarrjeve publike, ndërsa çështjet e përgjegjësisë eventuale të supozuar penale mbeten përgjegjësi e organeve të drejtësisë. “Pra, bëhet fjalë për një proces penalo-juridik në të cilin MZHE-ja në asnjë mënyrë nuk dëshiron të implikohet apo të ndikojë. MZHE-ja gjithashtu respekton premisën kryesore të drejtësisë se secili është i pafajshëm derisa me vendim të formës se prerë gjyqësore nuk shpallet fajtor”, tha ai për “Zërin”.

Baxhaku thotë se prania e Gjonbalaj në PTK, nuk mund ta dëmtojë procesin e privatizimit. Sipas tij, në procesin gjyqësor kundër kryetarit të Bordit të PTK-së dhe ish-kryeshefit ekzekutiv të PTK-së bëhet fjalë për përgjegjësinë e tyre të supozuar individuale. “MZHE-ja vlerëson se kjo nuk mund të ketë ndikim negativ në procesin e privatizimit të PTK-së, pasi që procesin e privatizimit e udhëheq Komisioni Qeveritar i Privatizimit dhe ne atë proces bordi i drejtorëve dhe kryetari i bordit nuk kanë kurrfarë ndikimi”, tha Baxhaku.

Në anën tjetër Avni Zogiani nga Organizata për Dinjitet dhe Antikorrupsion “Çohu” thotë se kreu i bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj së bashku me anëtaret tjerë ka shkatërruar kompaninë më profitabile në vend. Zogiani tha se është shumë e çuditshme që Gjonbalaj akuzohen për shkatërrim të PTK-së dhe në anën tjetër vazhdon ta drejtojë bordin e PTK-së. “Kjo veç në Kosovë ndodh. Aktakuza kundërt tij është ngritur nga EULEX-i për shkatërrim të kompanisë, e anën tjetër ai vazhdon ta kryej punën e njëjtë për të cilën akuzohet”, tha Zogiani.