Uji Dea

Me AKR-në për t’u rikthyer në politikë

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Bajram Kosumi, është një profil politikani në Kosovë që mbahet mend që nga demonstratat e vitit 1981. Angazhimet e tij në partitë politike mbahen mend nga Partia Parlamentare e deri tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe mandati i tij si kryeministër i Kosovës. Në zgjedhjet e 8 qershorit, Kosumi do të jetë në listën garuese të Aleancës Kosova e Re (AKR). Në intervistën për Tribuna, Bajram Kosumi sqaron arsyet e aderimit të tij në AKR-në e Behgjet Pacollit.

“Arsyeja kryesore e afrimit me AKR-në është fakti se strukturat e kësaj partie janë më të hapura dhe kanë një qasje liberale, e jo dogmatike e të mbyllur, si ndaj individëve e grupeve politike, ashtu edhe ndaj projekteve politike”, ka thënë Bajram Kosumi në intervistën për Tribuna.

Bajram Kosumi, është një profil politikani në Kosovë që mbahet mend që nga demonstratat e vitit 1981. Angazhimet e tij në partitë politike mbahen mend nga Partia Parlamentare e deri tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe mandati i tij si kryeministër i Kosovës. Në zgjedhjet e 8 qershorit, Kosumi do të jetë në listën garuese të Aleancës Kosova e Re (AKR). Në intervistën për Tribuna, Bajram Kosumi sqaron arsyet e aderimit të tij në AKR-në e Behgjet Pacollit.

Tribuna: Fillimisht, nëse mund të na sqaroni angazhimin tuaj politik në zgjedhjet e sivjetme. Do të jeni pjesë e listës së AKR-së?
Kosumi: Do të rikthehem në politikë. Fillimisht pata menduar se me krijimin e shtetit të Kosovës janë përmbushur edhe idealet e mia politike kombëtare, prandaj jam larguar nga politika aktive në vitin 2010. Iu ktheva idealit tim jetësor; shkencës, edukimit dhe shkrimit. Por duke parë proceset politike në këto vjetët e fundit, përfundimisht jam bindur se duhet dhe se kam potencial t’i kontribuoj procesit politik dhe vendit tim me rikthimin tim në politikë. Pastaj kam kërkuar strukturën se ku mund ta jap këtë kontribut. Shpresoj se kjo strukturë do të jetë AKR. Partia dhe presidenti i saj ka kërkuar ndihmën time për procesin dhe unë jam i gatshëm ta bëjë këtë: ta ndihmoj shoqërinë në realizimin e synimeve tona dhe ta ndihmoj në këtë proces edhe AKR-në.

Tribuna: Cilat kanë qenë arsyet kryesore të aderimit tuaj drejt AKR-së, ngaqë pas mandatit tuaj si kryeministër ishit ofruar me PDK-në?
Kosumi: Në zgjedhjet e 2010-s kam pasur një koalicion me PDK-në, në emër të Lëvizjes për Demokraci, i cili nuk ka funksionuar. Koalicionet partiake në skenën tonë politike vështirë funksionojnë. Unë nuk di një të tillë në të cilin partnerët janë ndarë të lumtur.
Aderimi im në AKR është i një natyre tjetër. Unë do të jem pjesë e strukturave të organizuara të AKR-së dhe pjesë e listës zgjedhore të saj. Arsyeja kryesore e afrimit me AKR është fakti se strukturat e kësaj partie janë më të hapura dhe kanë një qasje liberale, e jo dogmatike e të mbyllur, si ndaj individëve e grupeve politike, ashtu edhe ndaj projekteve politike. Unë njoh për së afërmi pothuajse të gjithë udhëheqësit e partisë dhe në vazhdimësi kemi biseduar për anëtarësimin tim në këtë parti.

UBT

Tribuna: Sa konsideroni se do të jenë sfiduese këto zgjedhje, marrë parasysh afatin e shkurtë kohor që organizohen?
Kosumi: Nuk dyshoj në aftësinë e KQZ-së dhe të partive politike për të organizuar zgjedhje të jashtëzakonshme. Partitë mund ta bëjnë këtë dhe do të kenë mundësinë që edhe për dhjetë ditë ta kontaktojnë elektoratin e tyre. I vetmi problem qëndron, te ajo që e dinë të gjithë, te siguria e votës. Qytetari ka votuar në zgjedhjet e parafundit (2010), por ai nuk ka zgjedhur deputetët e Kuvendit. Tashmë ky problem është faktuar edhe me disa vendime të gjykatave për dënimin individëve dhe grupeve të cilët kanë shkelur votën e lirë të qytetarit. Ky nuk është një problem vetëm i KQZ-së, por i mbarë shoqërisë, e në radhë të parë i partive politike dhe i gjykatave. Shpresoj se liria e votimit dhe e numërimit të votave në zgjedhjet e fundit lokale do të vazhdojë edhe në këto zgjedhje.

Tribuna: Marrë parasysh plejadën e forcave politike dhe fuqisë së partive politike në Parlament, si e shihni kompozimin e qeverisë së ardhshme, koalicionin e ardhshëm qeverisës?
Kosumi: Një gjë duhet ta dimë me siguri: Kosovës i duhet një Kuvend i përgjegjshëm për veprimet e veta dhe që krenohet me punën e tij. Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme. Jam ndjerë thellë i dëshpëruar ditën e shpërndarjes së Kuvendit duke i dëgjuar deputetët se si e ndjenin veten jokrenarë, të zhgënjyer dhe kokulur me punën e Kuvendit dhe të Qeverisë. Kosovën e presin në këtë mandat shumë sfida: zhvillimi ekonomik dhe shteti ligjor, reforma e politikave arsimore, afrimi me BE, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë e të tjera. Prandaj, këto zgjedhje janë vendimtare.

Tribuna: Flitet shumë edhe për mundësinë e krijimit të një qeverie me bazë të gjerë, koalicion i gjerë. Sa konsideroni se do të ishte në dobi të Kosovës një koalicion i tillë?
Kosumi: Në skenën politike të Kosovës tashmë kemi filluar të mësohemi me dy polet: pozita dhe opozita. Mendoj se duhet ta ruajmë këtë kulturë demokratike dhe ta forcojmë.

Tribuna: Keni bartur dhe udhëhequr edhe funksione të larta politike. Jeni të gatshëm t’i ktheheni angazhimit tuaj edhe në qeverinë e ardhshme?
Kosumi: Çdo rikthim në politikë kërkon një fazë të ndërmjetme. Do të angazhohem aty ku mendoj se mund ta jap më tepër kontributin tim.