Fundamenti

Mbretëria Thaçi

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Avni Zogiani – Kryeministri i Kosovës vesh petkun e politikanit vetëm gjatë vizitave në Bruksel, prej nga ai bie lajme për një kompromis të ri, në procesin e vazhdueshëm të lëshimit pe në favor të Serbisë. Me t’u kthyer në Kosovë, edhe njerëzit që janë të afërt me të thonë se ai vesh petkun e një biznesmeni, që ka për detyrë të mbajë fijet e biznesit të kësaj ndërmarrjeje të madhe biznesore të quajtur PDK.

Sa pasuri ka familja e kryeministrit tonë Thaçi? Sa para qarkullojnë zyrtarët e PDK-së? Zor se e di dikush, sepse këtë nuk e di as vetë familja Thaçi. Kryeministri ynë ka disa vëllezër që janë të lidhur me biznese që kanë përfitime direkte nga punët publike. Gani, Idriz e Blerim Thaçi janë të ndërlidhur me kompani e zyra publike që kanë përfitime direkte nga sektori publik. Raportimet e “Jeta në Kosovë” dhe të Preportr mbi këto biznese pothuajse janë injoruar nga “mainstream media”.

Skema pak a shumë është kjo. Në qendër të këtij grupi të interesit është biznesmeni nga Drenasi, Milaim Cakiqi, i cili së bashku me vëllanë e kryeministrit, Blerim Thaçin, kanë kompaninë ndërtimore “Iliria Building”. Cakiqi figuron në regjistrin e biznesit si bashkëpronar i kompanisë “Ove Group” me Visar Banjicen, të birin e Hajati Banjica, të dy nga Maqedonia, e ky i fundit ka në pronësi kompaninë “Geo Mineral”, me bazë në Astrazub të Malishevës, e cila vetëm nga “Rruga e Kombit” dhe nga KEK-u ka pasur përfitime prej rreth 1,600,000 euro.

“Geo Mineral”, sipas hulumtimeve të “Jeta në Kosovë”, nëpërmjet vëllait të kryeministrit Thaçi, Idriz Thaçit, ka blerë naftë nga “Kosova Petrol”, një rrjet i stacioneve të karburanteve në posedim, por jo edhe në pronësi, të zyrtarit tjetër të PDK-së, Bedri Selmani.

“Ove Group”, në pronësi të Visar Banjices, është një kompani ku partneri i Thaçëve në “Iliria Building”, Milaim Cakiqi, listohet me numër letërnjoftimi si bashkëpronar. “Ove Group” ka përfitime të shumta nga sektori publik, sidomos nga KEK-u.

Pra, “Ove Group”, e “Geo Mineral”, që të dyja në pronësi të familjarëve Banjica, kanë qenë për vite me radhë përfituesit e miliona eurove nga sektori publik. Në biznes regjistrin e Agjencisë Kosovare për Regjistrim të Biznesit po shtype numrin e letërnjoftimit të Milaim Cakiqit, parterit biznesor të Blerim Thaçit, edhe tani del si pronar i “Ove Group”. Kompanitë e Cakiqit kanë qenë edhe përfitues të privatizimeve të kontestuara në Kosovë. Cakiqi e Thaçi duket se paratë e përfituara në mënyra të ndryshme nga sektori publik i shpëlajnë në ndërtime të larta në Prishtinë nëpërmjet “Iliria Building”.

Natyrisht ky nuk është prezantimi i përgjithshëm i përfitimeve të njerëzve të lidhur me kryeministrin që përfitojnë nga kontratat me sektorin publik dhe nga privatizimet. Kompanitë e sigurimeve janë një nga sektorët më fitimprurës në Kosovë. Vëllai i kryeministrit, Gani Thaçi, është njeriu që praktikisht kontrollon këtë treg. Politikat që janë nxjerrë që nga ardhja e tij në postin e shefit të këtij sektori kanë qenë tërësisht të dyshimta. Një nga veprimet e para të qeverisë Thaçi ka qenë ulja e tatimeve për kompanitë e sigurimeve.

UBT

Biznese të tjera pa fund kanë zyrtarët e PDK-së dhe familjarët e tyre. “Kalaja” është një kompani e familjarëve të zyrtarit të PDK-së, Sami Lushtaku, kryetar i komunës së Skënderajit, që ka pasur përfitime të shumta nga sektori publik, kurse në Drenas sot e kësaj dite kjo kompani mban si restorant ndërtesën e stacionit të trenit. Kompania “Security Code” e nipit të kryetarit të Skënderajt, Milazim Lushtakut, ka përfituar gjithsej njëmbëdhjetë kontrata me institucionet e Kosovës me një vlerë prej rreth 3 milionë eurosh.

“Kosova Petrol” po ashtu një përfituese direkte ose e tërthortë nga kontratat në sektorin publik, e që është marrë në posedim në një mënyrë të çuditshme, me një letër të UNMIK-ut, nga Bedri Selmani, ish-deputet i PDK-së dhe zyrtar i kësaj partie. Ambasadori i Kosovës në Washington, Akan Ismaili, ka privatizuar dy kompani në pjesën veriore të Kosovës, kurse ka hapur edhe një kompani në Leposaviq me emrin “Arena Invest”. Në këtë të fundit pronar figuron edhe deputeti i PDK-së, Berat Buzhala. Ismaili, para epokës së PDK-së ishte një njeri i zakonshëm, kurse sot ai ka një pasuri disa fish më të madhe sesa vetë kryetari i ShBA-ve, Barack Obama.

Lidhjet e kryeministrit dhe PDK-së me bizneset që janë përfituese direkte dhe të tërthorta nga sektori publik nuk janë hetuar ndonjëherë as nga policia vendore as nga EULEX. Ndërkohë që kryeministri është duke ndërtuar një shtëpi që i ngjason shumë një pallati mbretëror, ku është fqinj me partnerin e vëllezërve të tij në biznes, Milaim Cakiqit. Me makinën e këtij të fundit, kryeministri ynë është parë të ketë udhëtuar në një takim të fshehtë në Maqedoni para disa vitesh, takim ky i raportuar nga televizioni maqedonas “A1”, në të cilin janë parë edhe biznesmenë nga Shqipëria.

Shndërrimi i politikës në biznes, për kryeministrin dhe zyrtarët përreth tij ka pasur rezultate të papara pasurore. Mirëpo, fatkeqësia e këtyre marrëdhënieve biznesore qëndron në faktin që kryeministri ynë ka bërë politikën biznes ndërkohë që përballohet në një proces negocimi me politikanë serbë të karrierës. Marrëdhëniet e kryeministrit tonë, përkatësisht familjarëve të tij, me bizneset me përfitime nga sektori publik e bëjnë atë një lider të dobët në politikë. Ato i krijojnë atij një presion të vazhdueshëm dhe ia pamundësojnë kryerjen e funksioneve themelore shtetërore.

Në fund të fundit kryeministri ynë ka treguar se jo vetëm i përkrah këto marrëdhënie që kanë marrë peng politikën, por ai është shndërruar edhe në një sabotues direkt të mekanizmave për mbisundim të ligjit. Gjatë një ngatërrese mes dy politikanëve të njohur, Azem Sylës e Gani Gecit, kryeministri ynë, në stilin e një kumbare të vërtetë, u fut në veprimin që nxori jashtë institucionet e drejtësisë. Pas një konflikti të armatosur, kryeministri takoi Gecin e Sylen dhe, sipas raportimeve, arriti t’i pajtojë ata.

Mirëpo, ajo që në të vërtetë varrosi edhe shpresat e fundit të tij si politikan është fakti se sipas mediave kosovare në këtë takim kryeministri i tha Gecit se një vrasje të pretenduar nuk e paskësh porositur Syla, por dha të kuptojë se ai e dinte se dikush tjetër e ka bërë këtë. Asnjë intervistim të kryeministrit nga organet e hetuesisë nuk u raportua nga kjo. Të tillë liderë kanë ekzistuar në rajonin e Ballkanit dhe atë të Evropes Lindore në epokën post-komuniste, por në masë të madhe ata janë degraduar, apo edhe burgosur. Të tillë politikanë sot gjejnë punë si liderë vetëm në ndonjë nga republikat e ish-Bashkimit Sovjetik.