UBT

Mbikëqyrja e përmbylljes

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Albin Kurti-Pavarësia e shpallur me 17 shkurt 2008 po të quhej ‘pavarësi e kontrolluar’ nuk do ngjante aq e vlefshme. Një pavarësi që do të mbiemërohej si e kontrolluar, më parë sesa entuziazëm e gëzim, te njerëzit do të ngjallte kujdes e skepticizëm.

Ata nuk do të festonin por do të prisnin të kuptonin se cila është domethënia praktike dhe konkrete e kontrollit. Ata do të hamendeshin se sa pavarësi mbetet nga kontrolli e pas kontrollit (të pavarësisë). Fjala ‘kontroll’ ka një kuptim të fortë të intervenimit të vazhdueshëm, madje fizik, mbi një situatë a proces socio-politik. Te figura imagjinative e shprehjes ‘pavarësi e kontrolluar’ ka më shumë kontroll sesa pavarësi. ‘Pavarësia e kontrolluar’ nuk është pavarësi e kontrolluar por kontroll mbi pavarësinë. Dhe, kontrolli mbi pavarësinë është veçse pavarësi e kontrolluesit.

Prandaj nuk e quajtën ‘pavarësi e kontrolluar’ por ‘pavarësi e mbikëqyrur’. Mbikëqyrja tingëllonte shumë më butë dhe gati nuk dëgjohej pas shqiptimit të fjalës ‘pavarësi’. Mbikëqyrja është këqyrje prej sipër, shikim nga lart. Mbikëqyrja bie te regjistri i shqisës së shikimit për dallim prej kontrollit që i përket regjistrit të shqisës së prekjes duke mos u kufizuar as aty. Pra, do të na shikojnë prej lart neve të pavarurve. Kaq. S’mund të jetë gjë e keqe kjo, përveç nëse nuk jemi bestytë që i frikësohemi syrit të keq, apo jo? Nëse shpallja e ‘pavarësisë së kontrolluar’ do të përjetohej si shpallje e kontrollit, nuk mund të thuhet krejt njësoj që shpallja e ‘pavarësisë së mbikëqyrur’ është shpallje e mbikëqyrjes, apo jo? Funksionalisht, mbikëqyrja ishte eufemizëm i sukseshëm për kontrollin.

Mirëpo, kjo pavarësi e mbikëqyrur duhej jetuar tash. Institucionet dhe shoqëria, politika dhe ekonomia, do ta testonin e sprovonin mbikëqyrjen e pavarësisë së mbikëqyrur. Realiteti jetësor i mëtutujeshëm do të ndeshej me strukturën e re juridike. Ajo që do të bëhet dhe ajo që s’do të bëhet shndërrohen në kuptimin e asaj që është. Domethënia e mbikëqyrjes mbushej me përmbajtje që vinte prej muajve e viteve të jetesës në pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Kuptimi i mbikëqyrjes ishte rikuptimësim karshi asaj që ishte menduar se paraqet mbikëqyrja atëherë kur u shpall pavarësia e mbikëqyrur. Çfarë ishte imagjinuar si mbikëqyrje transformohej nga ajo që jetohej nën mbikëqyrje. Realiteti është rikuptimësim – sigurisht që mbikëqyrja doli të jetë më shumë se mbikëqyrje, sepse mbikëqyrja ishte kontroll dhe kontrolli ishte quajtur mbikëqyrje. Mospërdorimi i fuqive ekzekutive të PCN-së mbi Qeverinë dhe institucionet e tjera ishte dëshmi e kontrollit dhe jo e mbikëqyrjes. Ose, më saktë, arritje e mbikëqyrjes ideale, pra e kontrollit përmes vetëkontrollit, e vetëcensurës që e bën të panevojshme censurën, e shikimit që maskon sytë, e shikimit pa sy.

Uji Dea

Mbikëqyrja e pavarësisë e dominoi pavarësinë e mbikëqyrur. Të gjithë e morën vesh sepse të gjithë e panë. Katër vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë më shumë shikohej mbikëqyrësi prej poshtë sesa që shikonte ai prej lart. Duhej bërë diçka. Dhe, vetëm një gjë mund të bëhej: pavarësia duhej rishpallur. 10 shtatori 2012 është dita e pavarësisë së Kosovës. 17 shkurti 2008 është dita e pavarësisë së mbikëqyrur. Rrjedhimisht, 10 shtatori 2012 është dita e përmbylljes së mbikëqyrjes. Kësisoj, çështja u bart nga konotimet e mundshme kuptimore të fjalës ‘mbikëqyrje’ tek ato të fjalës ‘përmbyllje’. Pasi që u pa se mbikëqyrja na paska qenë kontroll, në vijim mbetet të shihet se çfarë ka qenë kjo ‘përmbyllja’. Pra, cila është domethënia e saj, për t’u përmbyllur hamendjet se sa mbikëqyrje mbetet nga përmbyllja e pas përmbylljes së mbikëqyrjes (së pavarësisë).

Ndërkohë, vazhdon festa e rishpalljes së pavarësisë e cila nuk paraqet festimin e ndonjë ndryshimi jashtë festimit. Festimi është ndryshimi. Sepse, festimi me 10 e 11 shtator është i vetmi ndryshim i këtyre dy ditëve, dhe i ditëve të ardhshme, prej 9 shtatorit dhe ditëve paraprake. Festimi është esenca. Sepse, festimi është rikthimi i mbikëqyrjes si mbikëqyrje e përmbylljes.

Festimi i rishpalljes së pavarësisë është porsi festimi i vitit të ri. I vetmi dallim ndërmjet 1 e 2 janarit krahasuar me 31 dhjetorin është festimi. Asgjë më shumë, asgjë tjetër. Ndryshim i reduktueshëm në festimin për ndryshimin që nuk është. Nuk po festohet ndryshimi. Festa është ndryshimi. Po festohet festa. Viti i ri, pra. Festim (i ri) i festës (së vjetër). E kemi parë diku? Jo, e kemi parë këtu.

Prandaj 10 shtatori 2012 nuk mund të jetë ditë historike. Sepse viti i ri nuk mund të jetë ditë historike. Viti i ri e dimë se do të ndodhë. Dhe, kur ndodh viti i ri nuk kemi ndodhi. Viti i ri nuk shkon sepse vjen. Viti i ri vjen sepse shkon. Kjo shpallje flet më shumë për shpallësit sesa për atë që shpallet. Shpallësit e ditëve historike tashmë jetojnë në të ardhmen prej nga e kundrojnë të tashmen e historizuar. Ata e fantazojnë librin e ardhshëm të historisë prej së tashmes së tyre ku mbyllen e hapen kapituj popujsh e vendesh. Autobiografinë (që nuk e shkruajnë) e ngatërrojnë me historinë (që do të shkruhet). Mbikëqyrja e së tanishmes është e sigurt vetëm duke ia shtuar mbikëqyrjen e historisë së ardhme. U përmbyll mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë? Mund të jeni të sigurt që u përmbyll veçse mbikëqyrja juaj e këtij teksti të pavarur këtu.