RCCOLA

Mbikëqyrja e njëmendtë e pavarësisë

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Blerim Shala- Shteti i Kosovës është i zënë peng nga një politikë e cila nuk e ka ndërmend të ndërrohet dhe të vihet në shërbim të tij, të qytetarit të thjeshtë.

Ethe apo zjarrmi. Nuk ka mes në këtë politikën kosovare. Nuk ka temperaturë normale, e cila, midis të tjerash, shquhet me aftësinë për t’i parë gjërat ashtu si janë, për t’i vlerësuar dhe analizuar ato në mënyrë objektive, pa kompromituar atë trajtim me anësinë, interesin dhe synimin politik.

Kujt i kujtohet tani, ta zëmë që deri para dy javësh nisë e sos dita politike kosovare karakterizohej me debatin për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ishim bërë dy a tre taborë, ishin hapur istikamet, shtihej me të gjithë arsenalin politik në palët e përfshira në këtë hallakamë, dhe kur perdja ra, gjithçka u harrua, apo, u la prapa në gjendjen e një rrëmuje të madhe.

Ndërsa realisht, temat e mëdha politike dhe ekonomike është dashtë të hapen menjëherë pas ceremonisë së përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, duke synuar një mobilizim të munguar tash e sa vjet në shoqërinë dhe politikën kosovare, në adresimin e tyre.

Me të dhënat zyrtare të publikuara të premten e kaluar (me 21 shtator), të Regjistrimit të prillit të vitit 2011, e dimë sa jemi, çka jemi, çfarë prone kemi, sa jemi në punë, sa presim të punësohemi. Por ende nuk ka të ‘dhëna’ të mirëfillta në këtë shoqërinë kosovare për ta kuptuar se ku jemi si politikë, çka duhet të bëjmë tash e tutje që më në fund, të bëhemi një shtet i qëndrueshëm, me perspektivë reale euro-atlantike.

Në gjithë ato kremtimet dhe fjalimet e përjetuara dhe të dëgjuara para dy javëve në Kuvendin e Kosovës dhe gjetiu, kur iu dha fund Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe modelit të mbikëqyrjes së pavarësisë, Martti Ahtisaari, Kryenegociatori ndërkombëtarë i statusit të Kosovës dhe autori i Propozimit që solli Kosovën tek 17 shkurti i vitit 2008 dhe shpallja e pavarësisë, e tha një fjali të jashtëzakonshme, e cila si rëndom tek ne, humbi në atë mjegullnajën e kotësisë dhe në pluhurin që çohet pas përplasjeve inatçore politike.

Ahtisaari në fjalën e tij drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, u tha, pos tjerash, që derisa këtë ditë (të hënën e 10 shtatorit), po mbaron mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë, është një tjetër mbikëqyrje e cila asnjëherë nuk do të marrë fund: Mbikëqyrja e qytetarëve të thjeshtë.

Ishte kjo një porosi e Presidentit Ahtisaari që do të duhej të gjithëve të na kthejë në tokë të bukës (si thuhet), sepse ajo na përkujton atë faktin themelor: Shteti i Kosovës i detyrohet në radhë të parë qytetarëve të vet. Shteti i Kosovës është rezultat i vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës. Kushdo që është në krye të këtij shteti, do të duhej të ishte në shërbim të qytetarëve të Kosovës, me synim të përmbushjes së interesave jetik të tyre.

Mbikëqyrja ndërkombëtare, ajo që thënë troç, asnjëherë nuk ka funksionuar ashtu siç ishte paraparë me Propozimin e Presidentit Ahtisaari, ishte prioritet absolut për autoritetet e Kosovës, të cilat, poashtu thënë fare hapur, nuk janë penguar, asnjëherë, prej ICO-së, për t’i bërë gjërat e duhura për vendin e tyre, ashtu sikurse që nuk janë ndaluar (fatkeqësisht), për të mos i bërë gjërat e gabuara për këtë vend. Kështu ishte ta zëmë me zgjedhjet e komprometuara parlamentare të dhjetorit të vitit 2010. Dhe me shumë gjëra të tjera.

Uji Dea

Mbikëqyrja vendore e pavarësisë, e qytetarit të thjeshtë, rëndom ishte prioritet absolut politik në ato javët para mbajtjes së zgjedhjeve lokale apo të përgjithshme, atëherë kur politikës i duhet vota e qytetarëve. Më pas, qytetari zakonisht harrohej, pos tjerash, për shkak të një bindjeje të gabuar (gjithsesi), që shkalla e durimit dhe e optimizmit të tij është poaq e lartë sa ishte disa vite më parë, ndërsa realisht, niveli i pakënaqësisë së tij me statusin që ka si qytetar, si familje, është në rritje të madhe, tok me mosbesimin e tij që politika kosovare mund t’i ofrojë atij diç më tepër se sa premtime boshe, gënjeshtra të plota dhe realitet të zymtë.

Ky qytetar përditë e më shumë është i detyruar të krijojë përshtypje që e tëra politika kosovare është e mbrapshtë, e diskredituar, e korruptuar, e komprometuar, dhe që shteti i Kosovës është i zënë peng nga një politikë e cila nuk e ka ndërmend të ndërrohet dhe të vihet në shërbim të tij, të qytetarit të thjeshtë.

Nuk mund dot të jesh politikan i mirë që mbron interesat e shtetit të Kosovës, nëse nuk mërzitesh fare për qytetarin anonim të Kosovës, i cili i ka meritat më të mëdha (tek e mbrama), që rrugëtimi historik i shqiptarëve të Kosovës pati atë përfundimin e drejtë dhe të duhur në shkurtin e vitit 2008.

Në kohërat tjera, shumë shekuj më parë, thuhet që mbretërit dhe perandorët janë veshë me rroba të thjeshta, dhe të shoqëruar me ndihmësit e tyre më besnikë, kanë dalë në qytete, në tregje dhe në kafene, ashtu të maskuar si njerëz të rëndomtë, për t’i pyetur ata se çfarë mendojnë për sovranin e tyre (populli nuk ka qenë sovran në atë kohë). Në këtë mënyrë ata kanë menduar që do ta marrin vesh të vërtetën e njëmendtë për veten dhe për mbretërinë e tyre.

Tash, natyrisht, është shumë më lehtë për të kuptuar se çfarë thonë dhe çka mendojnë qytetarët e rëndomtë të një vendi, në këtë hapësirën politike që përbashkohet me nocionin demokraci, për pushtetin dhe për shtetin e tyre.

Kështu është edhe në Kosovë.

Ky mendim, nëse jemi të sinqertë ndaj vetvetes, shumë më tepër dominohen nga zhgënjimi se sa nga kënaqësia, shumë më tepër shquan një shqetësim të madh për të ardhmen, se sa shpresën që këndejpari gjërat do të marrin atë drejtimin e pritur prej qytetarëve të Kosovës.

Mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës prej tyre pra, nuk e ka notën pozitive. Assesi.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)