Mbikëqyrësit e pavarësisë janë njerëzit e Kosovës!
Ish-kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, në fjalën e mbajtur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ka deklaruar se mbikëqyrësit më të rëndësishëm të pavarësisë janë njerëzit e Kosovës.
“Para pesë vitesh i pata ofruar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara një projekt për një demokraci sovrane, shumetnike të quajtur Kosovë. Sot, ne po festojmë adoptimin e plotë dhe përfundimtar të parimeve dhe strukturave të këtij projekti në institucione, procese dhe kornizën juridike të një shteti të pavarur dhe funksional”, tha Ahtisaari.
“Ky projekt – Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të cilin historia e quajti Plani i Ahtisaarit – ishte rezultat i shumë muajve të punës së durueshme dhe të menduar të një ekipi diplomatësh dhe ekspertësh teknikë, në diskutim me përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë”.
“Mbikëqyrësit më të rëndësishëm të pavarësisë janë njerëzit e Kosovës. Janë vuajtjet e tyre, durimi i tyre dhe mbështetja e tyre që na ka sjellë këtu ku jemi sot. Qytetarët e Kosovës të të gjitha etnive kanë përjetuar shumë dhimbje dhe e kanë pritur për një kohë shumë të gjatë një shtet i cili do t’i mbrojë ata dhe t’u japë fëmijëve të tyre rastin për më shumë paqe dhe stabilitet sesa që ata e kanë pasur për vete. Ata ua kanë dhënë besimin juve për të siguruar që vuajtjet dhe pritjet më në fund të çojnë në diçka pozitive”.
“Burokratët do t’i prodhojnë raportet e tyre, diplomatët do t’i shkruajnë telegramet e tyre. Por, ju do ta ndjeni vlerësimin më të ashpër kur i kujtoni ata që kanë dhënë jetën për këtë vend, dhe kur t’i shikoni në sy ata që do ta trashëgojnë atë”.
“Propozimi Gjithëpërfshirës i ofron Kosovës mundësinë për stabilitet, prosperitet dhe qeverisje të mirë. Se a do të bëhet kjo mundësi realitet, kjo varet nga populli i Kosovës, dhe në veçanti nga ju, përfaqësuesit e tyre demokratik. Është në duart tuaja, dhe vetëm në duart tuaja, se a do ta bëni Kosovën me paragjykime apo tolerante, se a do ta bëni Kosovën të korruptuar apo të drejtë, se a do ta bëni Kosovën të dështuar apo të suksesshme”.
“Kur e kemi shqyrtuar përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, ka pasur një debat nëse Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin do të duhej të ruhej si një burim i veçantë i së drejtës. Besoj se vendimi i marrë është i drejtë, i përputhshëm me qëllimet e mia fillestare, që PGJS-ja të absorbohet tërësisht në kornizën kushtetuese dhe juridike sovrane të Kosovës”.
“Suksesi në Kosovë – dhe suksesi në Serbi – nuk do të gjendet në një shtrëngim duarsh dhe në një kryetitull lajmesh. Ai do të gjendet në zbatimin e vazhdueshëm dhe me përkushtim të një plani i cili ka demonstruar rezultate të prekshme në terren në Kosovë”.
“Shikoj përqark kësaj dhome të madhështore, dhe i shikoj udhëheqësit, përfaqësuesit dhe zyrtarët e një vendi të lirë, të një vendi i cili i ka strukturat institucionale dhe juridike që do ta mundësojnë funksionimin e një demokracie funksionale, liberale dhe shumetnike, dhe të një anëtari të mirëpritur të familjes evropiane dhe botërore. Ju falënderoj, ju përgëzoj dhe ju uroj sukses në rrugëtimin tuaj”, tha ndër të tjera ish-presidenti finlandez. /Telegrafi/