Mbijetesa me zor e Thaçit
Opozita në Kosovë paralajmëron partitë në pushtet se përfundimisht nuk do të mund ta çojnë deri në fund mandatin e tyre qeverisës.
Ky paralajmërim erdhi të hënën nga shefi i grupit kuvendor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqirit, i cili duket të jetë i entuziazmuar për rritje të elektoratit të partisë së tij në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Ai tha se partitë në koalicion tashmë duhet ta dinë se nuk do të jenë në gjendje që ta përfundojnë mandatin e tyre për shkak se po përballen me mungesë të numrave të nevojshëm në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, LDK është në favor të reformës zgjedhore, edhe pse, sipas tij, nuk duhet mbetur peng i reformës.
“Ne do të dëshironim që edhe kjo pjesë e reformës që ka mbetur të përfundojë, por Kosova duhet t’i mbajë zgjedhjet nacionale sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë ai.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, e pranon se legjislatura aktuale është përcjellë me shumë probleme dhe ngërçe, që kanë reflektuar edhe në qeverisje.
“Shpresoj që gjatë muajit dhjetor të pajtohen për ndryshmin e kodit zgjedhor dhe të shkojmë në zgjedhje me kod të ri”, ka thënë ai. Sipas Gjinit, rruga më e lehtë do të ishte që të ndërpriten proceset tani, por që nuk do të ishte zgjidhja më e mirë. “Nuk mendojmë se është mirë për Kosovën të shkojë në zgjedhje pa reformë zgjedhore. Nëse do të imponohet një situatë e tillë, ne si AAK do të jemi gati të shkojmë në zgjedhje”, ka shtuar Gjini.
PDK-së nuk i ngutet
Nga ana tjetër shefi i grupit më të madh parlamentar, PDK-së, Adem Grabovci, nuk sheh asnjë arsyeje që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Koalicioni qeverisës, ka thënë ai, i ka numrat e mjaftueshëm dhe, sipas tij, kjo u pa në seancën e fundit plenare kur u aprovua në parim projektbuxheti i Kosovës.
Në të kundrën ka shtuar Grabovci, PDK-ja është e përgatitur dhe e konsoliduar që të shkohet dhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse për diçka të tillë pajtohen të tjerët.
I pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit nëse partia e tij është e gatshme që të shkojë në zgjedhje të parakohshme edhe në Komunën e Skenderajt, kryetari i së cilës, Sami Lushtaku, tash e 7 muaj gjendet në paraburgim nën dyshimin se ka kryer krime të luftës, ai tha se “ne jemi gjithnjë të gatshëm të respektojmë dhe të veprojmë në përputhje me ligjet”.
Megjithatë ai shfaqi besimin se Lushtakut do t’i mundësohet që të marrë përgjegjësitë e veta, shkruan Zëri.
“Besoj fuqishëm në pafajësinë e tij dhe për këtë jam thellësisht i bindur. Jo që është e papranueshme, por është absurde të mendohet se në Kosovë, UÇK-ja ka bërë krime të luftës. Në mënyrë absolute e them dhe për të satën herë do të rikonfirmohet kjo e vërtetë se UÇK ka bërë luftë të drejtë, të pastër duke i respektuar të gjitha ligjet”, ka thënë ai.
Por, kur është pyetur se si do të veprohet në rastin e Lushtakut, të cilit i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj dhe në këtë drejtim do ta ketë të pamundur që të japë betimin, Grabovci tha se nuk është vendim statik dhe, sipas tij, qysh nesër mund të ndryshohet masa karshi Grupit të Drenicës dhe në këtë drejtim ata edhe mund të lirohen.
Krasniqi nuk do të jetë në garë
Në ditën kur ka filluar gara për balotazh për zgjedhjet komunale në gati 25 komunat e Kosovës, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se tashmë e ka kryer misionin e tij dhe nuk do të jetë pjesë e kësaj gare as në Malishevë, ku Iniciativa Qytetare e tij do ta ketë përballjen e dytë më 1 dhjetor.
“Unë e kam kryer, nuk jam pjesë e balotazhit. Unë do t’i kryej punët e mia që i kam në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ku është marrë vendim që këtë javë për shkak të festave të nëntorit të mos ketë seancë plenare.
Sipas tij, ky “pushim” njëjavor nuk lidhet edhe aq shumë me fushatën elektorale për balotazh, por siç tha ai, “për shkak të festave të nëntorit, por edhe për faktin se nuk kemi material të mjaftueshëm. Kështu që seanca e radhës do të jetë më 5 dhjetor 2013 dhe mendoj se kjo shtyrje kësaj radhe nuk ka të bëjë me çështjen e zgjedhjeve”.
Por, shefat e grupeve parlamentare thanë se fushata elektorale për balotazh është arsye që këtë javë të mos ketë seancë plenare të Kuvendit të Kosovës. /Zëri/


