UBT

Mbi yjet dhe gjilpërën e busollës

/ 5 minuta lexim

Nga Sarah Gretler-Në gazetën Sonntagsblick, në një artikull për futbollin, hasa pak kohë më parë në një flamur shqiptar me yllin mbi shqiponjën dykrenore.

Siç bën të ditur albinfo.ch, ambasadori shqiptar kishte reaguar me një letër dërguar kryeredaktorit, ku e bënte atë me dije se Shqipëria është një vend i lirë, demokratik, anëtar i NATO-s dhe që nuk ka yll në flamurin kombëtar. Ambasada më tej kishte kërkuar që të bëhet përmirësimi dhe të publikohet flamuri i vërtetë, pa yll.

Kjo histori më ngjalli përnjëherë kujtimin e një ngjarjeje tjetër, që në historinë time personale shtrihet larg, por në përmasat e historisë së përgjithshme nuk është aspak e moçme.

Tridhjetë vjet më parë, si studente e re e shkencave gjuhësore, që, e miqësuar me shumë kosovarë, dëshiroja të mësoja shqipen, interesohesha edhe për Shqipërinë. Në verën e vitit 1981 pata shkuar atje. U ktheva me shumë fotografi dhe imazhe në kokë, nga vendi praktikisht i panjohur në Zvicër dhe punova madje një drugëdhendje, në të cilën paraqita një nga ato peizazhet me terraca, që më patën lënë mbresa në Shqipëri.

Për t`i dhënë vendit të bukur, të huaj, një referencë, në drugëdhendjen time vura edhe një shqiponjë dykrenore, të kopjuar saktësisht nga një libër mbi Shqipërinë. Por, nuk i vura fare yllin përmbi – thjesht, nuk më kishte shkuar mendja ta bëja një gjë të tillë.

Tash, në banesën tonë, ku unë banoja me një mikun tim kosovar, frekuentonin shumë shqiptarë. Shumica ishin punëtorë sezonalë që punonin në ndërtimtari. Pikërisht në atë kohë, pas shtypjes së dhunshme të demonstratave për Republikën e Kosovës, në pranverën e vitit 1981, kishin ardhur në Zvicër edhe shumë studentë dhe të rinj të tjerë, për t`iu shmangur kontrolleve që ushtronte në gjithë Kosovën dhe gjerësisht edhe në Jugosllavi, policia dhe shërbimi sekret, dhe për t`i shpëtuar kështu burgut dhe torturave.

Të gjithë këta të rinj që hynin e dilnin te ne, konstatonin, sipas rastit, me habi ose me indinjatë të madhe, se në punimin tim nga Shqipëria mungonte ylli! Ishte keq, unë mezi mundja të mbrohesha nga akuzat e tyre. Unë, me lënien jashtë të yllit, që simbolizonte në fakt fitoren e partizanëve por edhe sundimin në vazhdim të partisë së Enverit, kisha dështuar të sillja dëshminë se rregullimi i tashëm shtetëror i Shqipërisë me partinë e tashme në pushtet, është i vetmi i drejtë!

Hidromorava

Edhe më keq akoma, me yllin e munguar i isha nënshtruar dyshimit të ashpër se mos isha ithtare e Ballit Kombëtar, revizoniste ose simpatizante e ndonjë rrymimi kundërrevolucionar, të dirigjuar nga jashtë dhe armiqësor kundrejt Enver Hoxhës.

Ndërkohë që disa prej tyre, pas një debati të ashpër ishin megjithatë të gatshëm që, me një rudhje supesh, të shmangnin konfliktin, kishte edhe të tillë që ishte evidente se nuk mundeshin as të flinin më, sa kohë që u duhej të imagjinonin se në banesën tonë varej një shqiponjë shqiptare pa yll.

Kishte në mesin e tyre edhe të tillë që silleshin si diktatorë dhe provonnin që gati-gati të më detyronin të vendosja një yll në drugëdhendjen time. Është e vetëkuptushme që nuk kishin sukses ta bënin këtë. Me gjithë faktin se unë tashmë e kisha të qartë se çfarë kuptimesh politike dhe ideologjike i visheshin yllit në flamur – që të gjithë ata e donin vetëm më të mirën për popullin shqiptar – unë, e prirë vetëm nga vetërespekti i pastër, nuk do ta vendosja më yllin aty, pas gjithë asaj dhune dhe terrori doktrinar të derdhur mbi imazhin tim të pafajshëm të një ullishteje.

Mbetet të shtohet se unë jam deri diku e sigurt se një pjesë e madhe e bartësve të sotëm të funksioneve publike dhe politike në Shqipëri, atëbotë do ta kritikonin në po atë mënyrë vizatimin tim për mungesën e yllit. Por sot, ata rrahin gjoks, përfshirë këtu edhe kosovarët nga ajo kohë, me anëtarësinë e Shqipërisë në NATO.

Kështu, flamuri shqiptar, së pari me yll e pastaj pa të, është rrotulluar nga ka fryer era.

Sikur për t`i vënë kapakun, NATO në simbolin e saj ka një lloj “lgjilpëre të busollës”, dhe, edhe nëse tash flamuri shqiptar nuk guxon më të ketë yll, së paku ai kosovar ka gjashtë sish.