Mbi vizitën e KM të Kosovës në Zvicër dhe Austri

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Osman Osmani- Ata që me çdo kusht pretendojnë të marrin funksione drejtuese në një vend dhe posa të vinë në ato funksione nuk kanë kurajë dhe s’duan të mbrojnë dhe nuk angazhohen për njerëzit e vendit të vet, nuk mund të konsiderohen si zyrtarë e funksionarë që e duan me të vërtetë vendin e vet, nga i cili vetëm zhvatin gjithçka që është e mundur, por anashkalojnë interesat dhe të drejtat e qytetarëve, falë të cilëve ata edhe ushtrojnë pushtetin.

Për të mos humbur kohë me hyrje formale po kaloj drejtpërsëdrejti në çështjen që besoj nuk është preokupim vetëm imi. Që të dyja këto vende nikoqire të qindra mijëra shqiptarëve, , si Zvicra dhe Austria, njëra pas tjetrës me arsyetime të ndryshme kanë suspenduar Marrëveshjen mbi Sigurimet Shoqërore me Kosovën.

Kosova, apo ma mirë me thënë qytetarët e saj, tani trajtohen si qytetarët e vendeve me të cilat këto shtete nuk kanë Marrëveshje ndërshtetërore në fjalë, si p.sh. Kina, Tanzania, Iraku, apo Hondurasi, pasi nga këto vende edhe ashtu nuk ka qytetarë që punojnë e jetojnë në Zvicër e Austri.

Më tej vlen të theksohet edhe fakti se Kosova është i vetmi shtet i dalë nga ish federata e Jugosllavisë në raport me të cilin nuk zbatohen këto marrëveshje shumë të rëndësishme edhe për ruajtjen parakushteve për kthim të këtyre qytetarëve në vendet amë… Kjo në njërën anë i diskriminon ekskluzivisht qytetarët e Kosovës, të cilët për dekada të tëra (gati qe gjysmë shekulli) kanë kontribuar si në mbijetesën e familjarëve dhe popullit të vet në vendet amë, ashtu kanë dhënë kontribut të pamohueshëm edhe në mirëqenien e prosperitetin e vendeve pritëse si Zvicra dhe Austria.

Ndërsa në anën tjetër i kufizon dhe i zhveshë së tepërmi ata nga e drejta për të vendosur vetë se ku do të kalojnë jetën mbetur në moshë të pensionit. Këtu vlen të theksohet edhe fakti se përkeqësimi në vazhdimësi i ligjeve për të huajt, posaçërisht për qytetarët që nuk vijë nga shtetet BE-së, janë të detyruar të jetojnë në ankth, se a do tu vazhdohet leja e qëndrimit në vendet pritëse, çka atyre edhe përkundër disa dekadave të punës u krijon vështirësi e pasiguri të përcjella edhe me probleme shëndetësore.

Dënimi si shpërblim

Mos zbatimi i këtyre marrëveshjeve në raport vetëm me Kosovën pos tjerash konsiderohet edhe një humbje e radhës për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për “perspektivën evropiane të Kosovës”, pasi suspendohen marrëveshjet ndërshtetërore që shkatërrojnë urën e vetme të qëndrueshme që lidh këto vende dhe këta popuj, pra godet keqas qytetarët e Republikës së Kosovës e me ketë edhe interesat e familjarëve, popullit dhe vendit të tyre.

Ata që me çdo kusht pretendojnë të marrin funksione drejtuese në një vend dhe posa të vinë në ato funksione nuk kanë kurajë dhe s’duan të mbrojnë dhe nuk angazhohen për njerëzit e vendit të vet, nuk mund të konsiderohen si zyrtarë e funksionarë që e duan me të vërtetë vendin e vet, nga i cili vetëm zhvatin gjithçka që është e mundur, por anashkalojnë interesat dhe të drejtat e qytetarëve, falë të cilëve ata edhe ushtrojnë pushtetin.

Andaj, së tepërmi demagogjike tingëllojnë premtimet e qeveritarëve e zyrtarëve neglizhentë e injorantë të Republikës së Kosovës se janë të përkushtuar për diasporën e saj. Këta punëtorë që duke ndarë nga djersa e punës së mundimshme nëpër kantiere të shteteve të ndryshme të Evropës perëndimore mbajtën familjet, farefisin, popullin dhe vendin e tyre duke mbështetur me të gjitha forcat çdo aktivitet në të mirë të popullin dhe vendin amë, duke mos lanë për asnjë çast anash edhe përkrahjen e protestave dhe luftën çlirimtare sikur financiarisht ashtu edhe fizikisht, në vend të mirënjohjes nga qeveritarët e “përkushtuar”, të “vyeshëm” dhe të “ndershëm” të Republikës së Kosovës morën edhe këto “shpërblime” të radhës.

Për tu arritur kulmi i tragjikomikes, e tërë kjo do të provohet të kalohet me një koncert alla-tallava në sheshin “N. Tereza” dhe marifetllëqe të ngjashme në disa nga sheshet e qytetarëve tjera të Kosovës…

Rekomandimet e Kuvendit të papërfillshme

Eco Higjiena

Po ua kujtojë të gjithë të interesuarve 10 rekomandimet e Kuvendit të Kosovës në shtator të vitit 2010 që obligojnë qeverinë e Kosovës në raport me fillimin e negociatave për Marrëveshje të re për Sigurimet Shoqërore me Zvicrën.

Edhe pse kanë kaluar gati dy vite të plota, mjerisht pa asnjë lloj arsyetimi ende nuk janë përmbushë rekomandimet tepër formale që ka të bëjnë me pikën 6. dhe 7. :
“…6. Të bëhet një takim i lartë …qeveritar Kosovë – Zvicër lidhur me rinegocimin e Marrëveshjes për sigurimet shoqërore;
7. Të nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës për zgjidhjen adekuate të përkohshme, deri në zgjidhjen e përhershme të kësaj çështje;…”

Të denjë dhe të padenjë

Në të njëjtën kohë kur Zvicra para më se dy vitesh paralajmëroj mos zbatimin e mëtejmë të Marrëveshjes mbi Sigurimet Shoqërore në raport me Kosovën, me arsyetimin kryesor se në Kosovë mungojnë institucionet dhe partnerët e denjë për implementim të saj, po me Kosovën u nënshkrua një marrëveshje e re ndërshtetërore për “riatdhesim”, ndërsa para disa muajsh edhe një tjetër për mbajtjen e dënimit në vendin amë të personave të dënuar në vendet gjegjëse.

Se Zvicra edhe përkundër solidaritetit dhe dashamirësisë karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj, në radhë të parë sheh interesat e veta është më se normale dhe e kuptueshme, porse qeveritarët dhe zyrtarët e Republikës së Kosovës shkelin pa mëdyshje në interesat e qytetarëve dhe venit të tyre duke anashkaluar edhe Parlamentin edhe Kushtetutën e vendit kjo është më shumë se zhgënjyese.

Athua me çfarë motivacioni dhe për çfarë interesash bëjnë një gjë të tillë?!
Asnjë fjalë për këto çështje nuk u shtrua dhe shkrua, as nga gazetarët (besnik të pushtetit aktual), apo edhe nga ndonjë gazetarë i rrallë i rastit, mbi Marrëveshjet ndërshtetërore në fjalë, të prishura dhe të goditura, varësisht nga interesat.

Vlerat e banalizuara

Fundjavën që posa lamë, kryeministri papritmas ishte në Gjeneve në një takim me investitor të mundshëm nga Gjeneva, ku të nesërmit morri edhe një “çmim”, i cili ku ta dish se sa u ka kushtuar e do tu kushtojë tatimpaguesve (dhe pasurisë publike) te Kosovës…
Investitorët më të mëdhenj të kësaj copë shtetësie e pavarësie të Kosovës edhe më tej po anashkalohen! Athua deri kur?!

“Doktori i nderit i Universiteteve private të Zvicrës”, z. Hashim Thaçi në të ardhmen shpreson të vijë edhe zyrtarisht si Kryeministër i Republikës së Kosovës në Zvicër. Si duket asgjë nuk ka përfunduar… Kështu edhe Liria, Pavarësia, Shtetësia e shumëçka tjetër relativizohen deri në banalitet. Të shpresojmë në ditë e kohë më të mira, me qytetar dhe pushtetarë më të ndërgjegjshëm.

Osman Osmani,
Bernë, me 2 korrik 2012