Uji Dea

Mbi tetë vjet zgjat një rast në gjykata!

/ 9 minuta lexim

Ditë më parë, edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, duke folur për gjendjen në drejtësi tha se 49 % e rekomandimeve të këtij institucioni kushtetues të shtetit nuk zbatohen nga ana e institucioneve të tjera të pushtetit.

“KGJK-ja, gjykatat, prokuroritë dhe administrata e shtetit në Kosovë, në të dyja nivelet, janë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut dhe atë në baza ditore dhe pandalshëm për vite të tëra, pa pyetur për ligjin e Kushtetutën, së cilës i referohen çdo ditë dhe në të gjitha rastet”, u shpreh Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Ditë më parë, edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, duke folur për gjendjen në drejtësi tha se 49 % e rekomandimeve të këtij institucioni kushtetues të shtetit nuk zbatohen nga ana e institucioneve të tjera të pushtetit.

Sipas tij, moszbatuesit më të mëdhenj janë Këshilli Gjyqësor dhe administrata e shtetit në nivel qendror e lokal. Jashari ka shtuar se mesatarisht për të përfunduar një proces gjyqësor në Kosovë, sipas llogarive të Avokatit të Popullit, nevojiten 8.5 vjet, që është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, ligjet dhe Konventat Ndërkombëtare, ndonëse të detyrueshme për Kosovën. Tani, duke iu referuar këtyre të gjeturave dhe këtyre rekomandimeve që nuk zbatohen nga institucionet, analistët dhe ekspertët me të drejtë shtrojnë pyetjen serioze se çfarë drejtësie është ajo së cilës i nevojiten 8.5 vjet për të ardhur në përfundim e shumë të tilla nuk e shohin dritën, sepse parashkruhen fare.

Shtrohet si shqetësim serioz se si mund të pretendojmë se mund të zhvillohemi si shtet, kur të dy institucionet më kryesore të shtetit e që janë KGJK-ja, gjykatat dhe administrata e shtetit në Kosovë, në të dyja nivelet, shkelin të drejtat e njeriut me të dyja këmbët në baza ditore dhe pandalshëm për vite të tëra, pa pyetur për ligjin e Kushtetutën fare? E para,sipas analistëve, është e kapur nga politika e mafio-oligarkët përmes njerëzve e sekserëve të tyre, kurse e dyta është e mbushur me militantë partiakë e familjarë. Si emërues i përbashkët i kësaj situate del kërkesa sipas së cilës duhet një pastrim i shpejtë i këtyre dy institucioneve, ndryshe nuk do të ketë kurrë funksionim normal të shtetit demokratik e ligjor në Kosovë,deklarojnë analistët.

Të paaftët nuk po ndëshkohen

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se pikërisht këto elemente flasim mjaftueshëm për seriozitetin e gjendjes në fushën e sundimit të ligjit. ” Pos të dhë- nave të tjera për inefikasitetin e sistemit të drejtësisë edhe këto nga Avokati i Popullit tregojnë qartë se në vendin tonë gjithnjë ka probleme serioze me fenomenin e zbatimit të ligjit me të meta të shumta referuar parimit të drejtësisë si dhe të efikasitetit. Pos nevojës imediate për reformim substancial të institucioneve të sistemit të drejtësisë në vendin tonë kërkohet edhe kompletimi i infrastrukturës ligjore, në radhe të parë referuar sanksioneve adapte në të mirë të shtrëngimit për aplikimin e ligjit në fuqi”, u shpreh ai. “Po ashtu, edhe institucionet e sistemit të drejtësisë sikundër edhe ato të administratës publike medoemos duhet të sanksionohen juridikisht për të gjitha rastet e dështimeve të zbatimit të kërkesave ligjore. Ndryshe, te qytetarët me bazë është krijuar opinion se as prokuroritë, as gjykatat nuk funksionojnë me kohë, madje as në rregull”, vijoi më tutje Smaka. “Në këtë situatë ka gjykatës e prokurorë të përkushtuar për punë legale, por theksi vihet në një pjesë të konsideruar të tyre, të cilët pos që nuk ndodhen në nivel të funksioneve të besuara, por nuk janë të përgjegjshëm për pasojat e punës neglizhente dhe të papërgjegjshëm. Mjerisht, rastet e këtilla së pakut deri sot nuk janë ndëshkuar në favorin e efikasitetit dhe të efiçiencës së institucioneve publike prokuroriale, gjyqësore e administrative”, tha prof. Smaka për “Kosova Sot”

Zvarritja e rasteve

“Pasi fshesa e pastrimit duhet të kalojë nëpër të gjitha institucionet e shtetit, e tek mandej të flasim për ligjshmëri në vendin tonë”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”

KKGJILAN

Analisti politik Florim Zeqa konsideron se pikërisht duke u bazuar në të dhënat e Avokatit të Popullit, ku del 50 % e rekomandimeve të këtij institucioni nuk zbatohen nga institucionet më të larta të shtetit, përkatësisht nga KGJKja dhe administrata e shtetit në të dyja nivelet, del se të dy këto institucione janë të kapura nga mafio-oligarkët dhe të “populluara” me familjarë, militantë partiakë dhe sekserë të tyre besnikë, prandaj edhe nuk janë në funksion të zbatimit të ligjit për interesin e qytetarit, të forcimit të shtetit ligjor. “Si pasojë e kësaj situate, pra të kapjes së drejtësisë në njërën anë dhe burokracisë primitive së administratës në anën tjetër, të ashtuquajturës drejtësi kosovare i duhen nga 8-10 vjet deri në përfundimin e proceseve gjyqësore! Ndodh që shumë prej lëndëve të mos arrijnë asnjëherë në tavolinën e drejtë- sisë! Kjo stërzgjatje e panevojshme e lëndëve, përveçse shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, ligjet dhe Konventat Ndërkombëtare, obligime të detyrueshme për Kosovën”, u shpreh ai. “Pra, KGJK-ja, gjykatat, prokuroritë dhe administrata e shtetit në Kosovë, në të dyja nivelet, janë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut dhe atë në baza ditore dhe pandalshëm për vite të tëra, pa pyetur për ligjin e Kushtetutën së cilës i referohen çdo ditë dhe në të gjitha rastet. Andaj, nuk mund të pretendojmë se mund të zhvillohemi si shtet demokratik dhe ligjor pa pastrimin e institucioneve të sipërpërmendura dhe jo vetëm”, potencoi Zeqa për “Kosova Sot”.

PRETENI: PROKURORËT DHE GJYQTARËT JANË MASHTRIMI I SHTETIT!

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, thotë se ky fakt flet mjaftueshëm që ne si qytetarë nuk kemi pse t’u drejtohemi këtyre shkatërruesve të shpresës për një shtet ligjor. “Të ankohemi e të presim 8 vjet, po ku është shpresa, po kush e ka këtë vullnet e këtë besim? Të kthehemi në tërësi te Kanuni…? T’u kthehemi Këshillave Pleqnare, njerëzve me integritet, njerëzve që vendosin shpejt e drejtë? Mjerim, të kthehemi në mesjetë. Prokurorët dhe gjyqtarët janë mashtrimi i shtetit, ku t’u besojmë atyre që i kanë pagat e majme, privilegjet jetësore, lidhjet me biznesin e me shumë vende pune. Për interesin e përgjithshëm nuk mendojnë. Ky raportimi i fundit i Avokatit të Popullit është alarmant, po kush duhet ta trajtojë këtë, shtrohet pyetja, a duhet ta trajtojë politika? Po janë këta të parët që i shërbejnë këtyre, politikës”, vlerësoi Preteni për “Kosova Sot”.”Situata është e pashpresë, situatë alarmante për shtetet normale. Elita politika në Kosovë është e preokupuar pas tenderëve, pas privatizimit, pas lekut, pas reketit, pas shantazhit dhe pas çështjeve që janë jashtë interesit publik të vendit”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”

KAPITI:POLITIKA DHE KRIMI E KORRUPSIONI I SAJ NUK PYET AS PËR LIGJIN, AS PËR KUSHTETUTËN DHE AS PËR KONVENTAT NDËRKOMBËTARE!

Analisti Skënder Kapiti thotë se drejtësia, sistemi gjyqësor dhe administrata në Kosovë janë institucione thellësisht politike, të zgjedhura, të emëruara prej saj vetëm e vetëm për t’i shërbyer dhe për ta mbrojtur politikën. “Kjo ndodh në atë shtet ku nuk funksionon demokracia, por aty ku sundon regjimi politik partiak e klanor. Institucioni i Avokatit të Popullit në shtetin e regjimit politik është vetëm formal, pasi nuk kryen dot funksionin e tij, përderisa as vetë populli nuk është realisht sovrani i vërtetë në Kosovë, ku demokracia apo qeverisja nuk është realitet, por vetëm mashtrim e me shumë thashetheme”, ka theksuar ai.”Regjimi politik i instaluar në Kosovë nga politika dhe krimi e korrupsioni i saj nuk pyet as për ligjin, as për Kushtetutën dhe as për Konventat Ndërkombëtare, sepse regjimi gjithnjë cenon dhe shkel e manipulon me drejtësinë, me liritë dhe të drejtat e njeriut, me të drejtën shtetërore dhe me aspiratat e me imazhin kombëtar”, tha Kapiti për “Kosova Sot”. Sipas tij, moszbatimi i rekomandimeve lidhet me korrupsionin e lartë në organet e shtetit.”Është e besueshme edhe ajo se çfarë deklaron Avokati i Popullit, kur thotë se 49% të rekomandimeve të tij nuk zbatohen nga KGJK-ja dhe as nga administrata. Por, unë nuk i besoj kësaj shifre, pasi duhet të jetë edhe më e lartë, duke pasur parasysh se mbi 90% e qytetarëve të Kosovës nuk besojnë te drejtësia”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.

MIFTARI:ZGJATJA MESATARE E NJË PROCESI GJYQËSOR DERI MË 8.5 VJET TREGON MJAFTUESHËM SE KU GJENDEMI NE SOT SI SHTET!

Analisti Naim Miftari thotë se personalisht u beson statistikave të Avokatit të Popullit, madje ai beson se gjendja është akoma më negative sesa që janë publikuar ato të dhëna, por zgjatja mesatare e një procesit gjyqësor deri më 8.5 vjet tregon mjaftueshëm se ku gjendemi ne sot si shtet dhe si shoqëri. “Aq më keq kur 24 orë për çdo ditë politikanët tanë na lodhin duke u thirrur në ligj, në drejtësi, në prosperitet, kurse pikërisht gjithë veprimet negative vijnë nga po këta politikanë mashtrues. Raporti i Avokatit të Popullit nuk tregon sa procese dështojnë krejt, sa nuk shqyrtohen kurrë e sa komprometohen nga vetë prokurorët,gjyqtarët apo policia. Pra, pa u pastruar kjo klasë politike nga skena që e ka kapur, Kosova vetëm do të sillet në rreth dhe kurrë nuk do të jetë shtet serioz dhe ligjor”, theksoi Miftari për “Kosova Sot”. Ai vazhdon të theksojë se vetëm VETTING-u serioz amerikan, pa e amnistuar askënd, është e vetmja zgjidhje e mundshme që mund ta shpëtojë Kosovën nga dora e mafisë politike e financiare, që sot është e kontrolluar nga krimi i organizuar.

(Kosova Sot)