KKGJILAN

Mbi njëqind studiues të shqipes bashkohen në kryeqytet

/ 4 minuta lexim

Prishtinë – Mbi njëqind studiues të albanologjisë e kulturës shqiptare do të bëhen bashkë edhe një herë në kryeqytet.

Seminari XXXI për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është bërë sebep që ata që merren me trashëgiminë dhe krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar, të shpalosin kumtesat e tyre para kolegëve në Kosovë. “Maratona” trembëdhjetëditëshe e aktivitetit më të madh të albanologjisë në vend do të nisë sot (e hënë). Ceremonia e hapjes së këtij edicioni do të mbahet në orën 11:00, në ambientet e Fakultetit Filologjik në Prishtinë.

Një ditë para nisjes së aktiviteteve që do të mbahen nën ombrellën e këtij organizimi, Bardh Rugova, drejtor i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ka thënë se organizatorët janë kujdesur për të gjitha detajet.

“Jemi përgatitur për Seminarin XXXI. Tashmë një pjesë e mysafirëve ka arritur në Prishtinë”, ka thënë Rugova.

Sipas tij, numri i studiuesve që do të lexojnë kumtesat e tyre në kuadër të seminarit, nuk ndryshon shumë nga edicionet e kaluara.

“Nuk ndryshon numri i pjesëmarrësve nga vitet e shkuara. Do të jenë aty pak mbi njëqind të huaj dhe po aq shqiptarë që do të marrin pjesë në kuadër të referimeve dhe të sesioneve shkencore”, ka thënë Rugova, derisa ka shtuar se përveç prezantimit të kumtesave, Seminari edhe sivjet ngërthen në vete edhe kurset e gjuhës shqipe.

KKGJILAN

“Studiuesit e huaj do t’i ndjekin kurset e shqipes në tri nivele”, ka thënë ai.

Në kuadër të sesioneve shkencore që organizon Seminari çdo vit, këtë herë, vëmendja më e madhe, sipas Rugovës, do t’i kushtohet përvjetorit të 100-të të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

“Edicioni i këtij viti përkon me 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Për këtë do të mbahet një tryezë e veçantë e Seminarit, por edhe sesionet shkencore do të jenë të lidhura me këtë ngjarje”, ka thënë Rugova. Edhe sivjet Seminari do të ketë sesionin e gjuhësisë, për të cilin është caktuar tema “Gjuhësia shqiptare (1912-2012)”, si dhe atë të letërsisë që këtë vit do të ketë për temë “Studimet letrare shqiptare (1912-2012)”.

Organizatorët e Seminarit për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare, po ashtu janë kujdesur që të nderojnë poetin e ndjerë, Ali Podrimja.

“Poeti Ali Podrimja ka qenë pjesë e seminarit vazhdimisht në një mënyrë ose tjetrën. Ai u nda prej nesh, pasi ne e kishim dërguar në shtyp programin e Seminarit. Mirëpo ne kemi vendosur që të gjejmë një hapësirë brenda programit dhe t’ia kushtojmë një orë letrare poetit Podrimja, duke lexuar disa nga poezitë më të bukura të tij”, ka thënë Rugova.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare do të mbahet deri më 25 gusht. “Miti serb i Kosovës” i Enver Mehmetit, është titulli i kumtesës së parë që do të lexohet në kuadër të seminarit. Ndërkohë, kumtesa tjera që janë pjesë e programit të sivjetmë janë edhe “Funksioni i parafjalëve më, në, nën dhe mbi në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase” e Irena Manovska, “Theksi i fjalës në morfologji të shqipes: teoria metrike dhe e optimalitetit” e Gjorgje Bozhoviq, “Shënime për standardin morfologjik të Korpusit nacional të shqipes” e Marija Morozova, “Kaj nas” folësit e Boboshticës në kontakt me popullin autokton” e Anna Kapitanovas, “Politikat religjioze të perandorëve romakë” e Naser Ferrit, “Shkolla Arbërore në Venedik në shek. XV-XVI” e Jahja Drançollit etj.(koha)