UBT

Mbi “Lopën heroike”

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arben Idrizi – Telashet kanë nisur nga këtu. Nga mashtrimi se ne jemi lopa e dymbëdhjetë ditëve dhe e shumë ujqve që na e kishin mësyrë. Dhe duke qenë se ne luftuam, tani, në paqe, mund të vazhdojmë të luftojmë prapë, pra të çmendemi. Derisa, derisa i zoti ta kuptojë se jemi çmendur dhe të na ndalë.

Është thurur tanimë (siç ndodh rëndomë në raste të tilla), një mori teorish komploti mbi atë se pse u publikuan përgjimet e telefonatave të zyrtarëve të lartë qeveritarë. Janë bërë edhe shumë vlerësime mbi atë nëse publikimi i tyre ishte ose jo i ligjshëm. E po ashtu janë bërë edhe interpretime të ndryshme të vetë atyre bisedave. Kjo e fundit, është argument më i hapur, e ndoshta edhe më domethënës.

Pse e përdorim gjuhën që e përdorim dhe, për ta parafrazuar disi Raymond Carverin, për çka flasim kur flasim për gjërat për të cilat flasim?

Vërejtja e parë që bëjmë, e për të cilën duket të ketë një pajtueshmëri të gjerë, është se gjuha e përdorur nga të përgjuarit është gjuha e përdorur nga masa. Është gjuha e përditshme e shtresës së gjerë qytetare (Na e fal sot gjuhën e përditshme!). Jo për thjesht atë se të përgjuarit janë të zgjedhurit e kësaj shtrese, por ngase të zgjedhurit e përgjuar përfaqësojnë në vete prototipin e kësaj shtrese. Gjuhën që e përdorim, do të thotë, e përdorim për ta manifestuar natyrën tonë, dëshirat, ëndrrat, kërkesat, idealet dhe mbi të gjitha mundësitë tona. Ne jemi gjuha që e përdorim. Jo vetëm që gjuha është shtëpia jonë, por edhe ne vetë jemi shtëpia e gjuhës. Pra, kur ne themi: ‘Jakupovski’, apo ‘ua q… nënën të gjithëve’, apo ‘pse nuk po ia q… nanën atij qeni’, ne duam të themi se: filani është njëri për t’u hequr qafe, ngase na i prish planet, s’e bën atë që duam të bëjmë ne, mund të na i nxjerrë në shesh të palarat, se të gjithë meritojnë t’ua q… nanën ngase nuk janë me ne dhe duke mos qenë me ne janë inferiorë, nuk meritojnë asgjë tjetër veçse t’i mashtrojmë, vjedhim, plaçkitim e kur është nevoja (e nevoja mund të jetë për çdo ditë të lume) edhe t’i vrasim si qentë, etj., etj.

Gjëra që ndodhin më lehtë në realitet se sa në filma.

Me çka e përforcojmë argumentin tonë se ai (‘Jakupovski’) s’ia vlen për asgjë? Ndër të tjera, duke i dhënë emrit të tij prapashtesën karakteristike të një mbiemri të një gjuhe që ne e konsiderojmë gjuhë të armikut. Armiku është i urryer. Gjithsecili që bart një shenjë, apo mund t’i vishet një shenjë nga gjuha, kultura a tradita e armikut është për t’u urryer. Ne jemi këndej në anën tonë; gjithçka që është në anën tjetër është e urryer, armiqësore. Prandaj, këtë e dëshmon gjuha që e përdorim. Prandaj kjo është gjuha që e përdorim. Gjuha jonë e përditshme nuk kërkon argument bindës për akuzën, vetëmjaftohet me arbitraritetin e saj akuzues.

Pse ne jemi aq të zotë sa t’u q… nënën të gjithëve (edhe pse dikush mund të na thotë se në të vërtetë neve po na e q… nënën kush po çohet)?

Përdigjja e parë dhe më e përhapur duket të jetë se: jemi aq të zotë sepse e kemi në dorë gjithçka, pushtetin dhe gjykatat. Duke qenë kështu, ato shkathtësi që i kemi për të pështjellë punë, për të thurur intriga, për të mashtruar, gënjyer e hedhur pluhur syve, i realizojmë pa u frikësuar për pasojat ligjore dhe morale, duke e pasur të sigurt se s’do të duhet të japim përgjegjësi.

Uji Dea

Gjuha jonë është e zhveshur, e drejtpërdrejtë. Çfarë themi e ka vetëm një kuptim, të vetëm dhe të saktë. Kur flasim për q…, do të thotë se flasim për q… Kur flasim për Jakupovskin, do të thotë se flasim për Jakupovskin. Kur flasim për marrjen në punë të një të afërmi, do të thotë se flasim për marrjen në punë të një të afërmi.

Me fjalë të tjera, ne jemi disi si ajo »lopa heroike« nga ajo rrëfenja e mrekullueshme te ‘Udhëtimi i elefantit’ i José Saramagos. Lopës i kishte bërë vaki të humbiste me viçin e saj dhe të sulmohej nga një turmë ujqërish. Pas dymbëdhjetë ditë e netësh lufte heroike, ajo, kafsha, për habinë njerëzore, arriti të jepte prova se zotëronte ndjenja njerëzore, si dashuria për familjen, sakrifica, etj, pra të dilte fitimtare. Megjithatë, dy ditë pas shpëtimit, i zoti e vrau, ngase e mësuar me dhe e traumatizuar nga lufta, lopa nuk reshte më së luftuari. Ishte çmendur, thënë ndryshe.

Megjithatë, kjo nuk ishte tërë e vërteta. Ata që i njohin ujqërit, e dinë se ata nuk gjuajnë në grup. Më e shumta, lopa mund të ishte sulmuar nga një ujk i vetëm, të cilin do ta ketë mënjanuar pas një beteje të shkurtër dhe me fat. Po të kishin qenë dy e më shumë, lopa heroike s’do kishte arritur t’iu bënte ballë as një orë të vetme. Sa për ta marrë një medalje, nuk ka nevojë të gënjehet për dymbëdhjetë ditë dhe ujqit e shumtë, përligjet me një ujk të vetëm. Por çështja është se lopa e meritonte të vërtetën më shumë se medaljen, mendon personazhi i Saramagos.

Edhe ne, më shumë se medaljen, e meritojmë të vërtetën. A ishim ne ‘lopa që luftoi dymbëdhjetë ditë kundër shumë ujqve dhe u sakrifikua’ apo ishte vetëm një betejë e shkurtër rastësore dhe vetëm një ujk?

Se telashet kanë nisur nga këtu. Nga mashtrimi se ne jemi lopa e dymbëdhjetë ditëve dhe e shumë ujqve që na e kishin mësyrë. Dhe duke qenë se ne luftuam, tani, në paqe, mund të vazhdojmë të luftojmë prapë, pra të çmendemi. Derisa, derisa i zoti ta kuptojë se jemi çmendur dhe të na ndalë.

Që të na çlirojë e vërteta, duhet ta kemi të vërtetën. Më shumë se medaljen, e cila nuk çliron askënd nga asgjë dhe nga askush.

Lopët e çmendura, në të vërtetë, le të na lejohet ta themi këtë për fund, nuk hyjnë në punë as në luftë, e lëre më në paqe.