Mbi konferencat
Nga Petrit Selimi-Një nga qëllimet primare të Kosovës duhet të jetë të rritë interaksionin me aktivistë, artistë, gazetarë, liderë nga rajoni dhe bota. Kemi qenë gjatë të izoluar dhe çdo mysafir që vjen në Kosovë e sheh se republika më e re europiane është normale.
Ambasadori slloven në Kosovë, Josef Help i di nja dy-tri gjëra për organizim të konferencave.
Në periudhën 6 mujore më 2008, kur shteti i tij Sllovenia ka udhëhequr Presidencën e BE-së, Ambasadori i eksperiencuar ka udhëhequr protokollin në MPJ-në sllovene.
Gjatë gjashtëmujorit të presidencës sllovene është dashur t’i mbikëqyrë më shumë se 500 konferenca, seminare dhe takime, prej nivelit të presidentëve të shteteve të BE-së deri tek ekspertët e ambientit, tregtisë, peshkatarisë, shoqërisë civile e dhjetëra fushave të tjera. Kalendari i presidencës prezente daneze është edhe më voluminoz. Nëse ia shton edhe ngjarjet kulturore të organizuara enkas për periudhën e presidencës, gjatë 180 ditëve Danimarka do të jetë nikoqire e mbi 1000 evenimenteve, pra mesatarisht ka 6 në ditë, prej konferencave me qindra pjesëmarrës dhe liderë shtetesh nga 27 shtete anëtare dhe disa sosh kandidate e deri te takimet më të vogla të ekspertëve.
Disa prej këtyre takimeve me gjasë edhe mund të jenë të kota dhe në to pjesëmarrësit edhe mund të koten. Megjithatë, avazi i organizimit të tyre vazhdon për tri arsye kryesore: arsyeja e pare është krejtësisht praktike – sepse për çfarëdo vendimi në BE, prej madhësive të domateve e deri te kuvendimet për shpëtimin e euros, shtetet anëtare duhen arritur konsensus, i cili arrihet vetëm me debat. Debati mund të zhvillohet vetëm kur t’i mbledhë njerëzit në një dhomë. Asgjë nuk e zëvendëson kontaktin fizik dhe bisedën e drejtpërdrejtë për halle.
Konferencat janë bërë edhe magnet për promovime qytetesh dhe shtetesh, gati si godinat e bukura të arteve moderne. Qytetet përpara kanë bërë gara për “hardwerin” apo ndërtesa të bukura dhe spektakolare, ndërsa tani shtyhen për të mbajtur takime ndërkombëtare që mbahen mend, ku biseda të thella (apo të cekëta) zhvillohen midis “yjeve”. Kjo bëhet natyrisht për ta rritur vizibilitetin dhe për të promovuar vlerat e shtetit. Disa nga konferencat tashmë mundohen të krijojnë edhe brend të vërtetë që bëhet atraktiv për politikanë, analistë dhe gazetarë, që përcjellin ngjarjet kontemporane. Kështu kemi Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, Globsec në Bratislava, Belgrade Security Forum në Beograd, Croatia Summit në Dubrovnik, Sofia Forum në Sofje, vetëm disa prej atyre ballkanike. Konferencat e tilla mbledhin numër të madh të njerëzve me ndikim në një pikë dhe nëse organizatori e kryen punën mbarë dhe shteti lë mbresa të mira, efekti pozitiv është shumë më afatgjatë se reklamat në televizion.
Arsyeja e tretë që mbahen konferencat është se ato edhe sjellin shpesh (por jo gjithmonë) debate të rëndësishme dhe lëvizin opinionin publik, duke krijuar platforma të debatit dhe të ballafaqimit kreativ të koncepteve dhe ideve. Rrjetëzimi është ndoshta benefiti më i madh këtyre konferencave – krijohen ura të reja midis njerëzve dhe ekspertëve mysafirë dhe nikoqirëve. Bëhen lidhjet politike, ato biznesore, por edhe miqësitë që i hyjnë në punë edhe shtetit edhe shoqërisë.
MPJ e Kosovës gjatë tri viteve të para të ekzistencës së vet nuk e ka organizuar asnjë të vetme konferencë. Asnjë të vetmin seminar. Asnjë të vetmen mbledhi sado modeste. Nuk ka ftuar asnjë të vetmin mysafir. Ish Ministri Hyseni bile para disa ditëve i quajti konferencat dhe takimet ndërkombëtare si të “kota” dhe “të parëndësishme”.
Një amatorizëm i tillë i një deputeti, që ulet edhe në Komisionin për punë të jashtme të Parlamentit, duhet ta analizojmë pak.
Ç’është e vërteta, në aktivitetin tim gadi 20 vjeçar në shoqëri civile, media dhe tash në diplomaci, edhe kam qenë në shumë konferenca të kota, ku edhe kam takuar shumë njerëz të kotë që ndoshta edhe kanë bërë biseda edhe më të kota. Megjithatë, kam qenë edhe në konferenca aq inspiruese dhe aq produktive, sa pjesëmarrësit edhe vite me radhë pas takimit i mbajnë në mend debatet dhe i përdorin rrjetet. Pas një konference të tillë në mes më 1993 pata takuar edhe sekretarin e shtetit norvegjez, Kai Eide, i cili me ftoi të jetoja me familjen e tij me vite të tëra për t’i përfunduar studimet.
Por, bindjet apo eksperienca ime personale nuk është argument fare, sado më e pasur dhe diverse që është se ajo e ish-Ministrit të jashtëm.
Kosova ka qenë zorrë qorre me dekada, nëse jo qindra vite. Si për nga infrastruktura, ashtu edhe për nga situata politike, Kosova ka qenë dëbuese për vizitorë. Presidenti Rugova e ka ditur këtë dhe që nga fillimi ka insistuar të ftojë mysafirë nga bota, nga ata pak njerëz që kanë qenë të interesuar aso kohe për Kosovën. Edhe UÇK e ka ditur dhe ka qenë e hapur që gazetarët e diplomatët e huaj t’i vizitojnë sepse është ditur se vetëm me interaksion me media botërore mund t’i hidhet dritë këtij vendi të shkretë dhe luftës për liri.
12 muajt e fundit MPJ ka organizuar jo edhe aq shumë evenimente sa i ka ra Sllovenisë për presidencë, por megjithatë ka filluar të lëvizë. T’i mësojë stafin e protokollit të pretë dhe të përcjellë njerëz dhe të shtypë e të përgatitë materiale. Ish-Ministri i quan mysafirët tanë “të parëndësishëm” dhe “të kotë”, por hajde t’i shikojmë kush janë këta mysafirë dhe partnerë të MPJ sot: European Council on Foreign Relations (drejtorët: Marti Ahtisari, Joshka Fisher, Princesha Mabel e Holandës); Center for International Studies of Oxford University (ndër universitetet më të mira në botë); Open Society Kosovo (me filantropin Soros në krye); British Council (rrjeti më i madh britanik i kulturës dhe diplomacisë publike); Forum Alpbach (thinktanku i famshëm austriak), ndërsa javën e kaluar për herë u organizua për herë të parë në Kosovë konferencë edhe Aspen Institute (ndër organizatat më të mëdha të politikës së jashtme në Amerikë që në bord ka drejtorin e CNN, drejtorin e Disney, Sekretaren Albright, etj), me mysafirë nga FBI, NATO, LSE, Harvard, Parlamenti Gjerman, etj.
Para një muaji organizuam me AUK edhe një konferencë ekumenike me liderë fetarë nga mbarë bota me ndihmën e Tony Blair Faith Foundation, iniciativë që solli Tony Blairin në Kosovë. Ç’është më e rëndësishmja kemi fuqizuar edhe shumë OJQ kosovare të rrisin interaksionin.
Kjo është vetëm një segment i vocërr i punës sonë në MPJ, por segment esencial që ka munguar më parë. Me gjasë puna po u pëlqen miqve të Kosovës sepse vetëm për konferencat tona gjatë 12 muajve të fundit kanë dhënë donacione mbi 300,000 euro shumë ambasada dhe organizata ndërkombëtare. Editoriale dhe shkrime pozitive nga Algjeria e Izraeli e deri në Indonezi e Japoni janë botuar nga mysafirët dhe gazetarët pjesëmarrës në takimet e organizuara nga MPJ.
Kontakti ballë për ballë me Kosovën i kujtdo (nga mbi 300 mysafirë që kemi ftuar deri më tani) që ka ardhur në Kosovë ka qenë gjithmonë pozitiv. Befasohen se sa më mirë është Kosova se paragjykimet propagandistike që shpërfytyrojnë Kosovën si mizore dhe dështake.
Organizimi i 6-7 konferencave gjithsesi nuk është pra i vetmi mjet në politikë të jashtme. Por, insistimi që nikoqirllëku i miqve të vjetër e të rinj është i kotë është anti-teza e plotë e diplomacisë dhe nuk e përgatit këtë vend për sfidat e integrimeve europiane. Nuk i ndihmon as qytetit të Prishtinës.
Është thjesht inat politik.