Mbi 30 mijë familje në ndihmë sociale

Ekrem Ramadani është kryefamiljari i cili me 75 euro të asistencës sociale e kalon muajin së bashku me dy fëmijët dhe gruan.
Familja e tij prej katër antarësh jeton në varfëri, e cila, sipas ekuivalentit, llogaritet të jetë ekstreme. Me asistencën prej 75 eurosh në muaj një anëtar i familjes Ramadani shpenzon rreth 0.62 euro në ditë, që është nën nivelin e varfërisë së skajshme ku një person shpenzon 1.20 euro.
Ramadani ka thënë se jeton në baraka, në Fushën e Pajtimit në Prishtinë, që nga paslufta. Familja Ramadani është vetëm njëra nga dhjetëra e mijëra familje kosovare , e cila jeton në varfëri të skajshme dhe mbijeton me asistencën sociale që e ndan Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ramadani ka thënë se askush nuk kujdeset për ta dhe se jetojnë në kushte të vështira.
“Vijnë me na pa vetëm kur na e vazhdojnë socialin, edhe për atë na i kërkojnë “150 mijë dokumente”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave që ka MPMS-ja, në Kosovë, 31, 740 familje me 135.446 anëtarë jetojnë në varëfëri dhe marrin asistencë sociale nga buxheti i kësaj ministrie.
Behxhet Gaxhiqi, zëdhënës i MPMS-së, ka thënë se në bazë të Ligjit për skemat e ndihmës sociale, familjet e varfra të cilat gëzojnë ndihmën sociale në Kosovë ndahen në dy kategori.
“Kategoria e pare, familja në të cilën të gjithë anëtarët janë të varur dhe asnjëri prej tyre nuk është i punësuar dhe kategoria e dytë, familja me një anëtar të familjes së afte për punë, me të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeçe apo që kanë përkujdesje të përhershme një jetim nën moshën 15 vjeçe”, ka thënë ai.
Sipas statistikave të muajit mars të këtij viti, Gaxhiqi ka thënë se numri i familjeve që hynë në kategorinë e dytë është rreth 3 mijë familje më i madh se sa numri i familjeve në kategorinë e parë.
Sipas tij, MPMS-ja së bashku me shumë denatorë kanë implementuar disa projekte të cilat kanë ndikuar që ky numër të ulet, është shprehur Behxhet Gaxhiqi./Indeksonline/