GRANDEMALL

Mbështetja në askushin (Skicë)

/ 7 minuta lexim
FITORJA

Nga Nuhi Ismajli – Pothuajse e kisha harruar Z. Më parë, kur banoja në pjesën perëndimore të qytetit, e shihja shpesh. Ai ecte shpesh rrugëve të lagjes, siç i kishte preferuar mjeku, pas një komplikimi kardiovaskular, që kishte pasur nga pirja e duhanit. Atëherë, Z. vinte shpesh të rrinte në banesën tonë, ku bënim biseda të gjata dhe ku më tregonte për vështirësitë e përjetimet e rënda që kishte pasur pas diferencimit ideopolitik, përjashtimit nga puna në arsim dhe caktimit të tij, si përkthyes, në qendrën e grumbullimit të drithërave, një vend degradimi e torturimi, për një punëtor të përkushtuar arsimi, siç ishte ai.

Rrugëve kryesore dhe qendrës së qytetit, Z. shihej rrallë, si dikur, kur pushtuesi i kishte paralizuar ato me praninë e tij dhe kur nuk e dije se ç’të papritura djallëzore do të dilnin nga shërbëtorët më të ndryshëm të tij. Edhe kur shihej, ndonjëherë, ai dukej si i rënduar nga gjithë mundimet dhe brengat e kësaj bote dhe nga ndonjë e papritur e tmerrshme. Duket, Z. nuk po mund ta hiqte nga vetja barrën e rëndë të përjetimeve të së kaluarës…

Me një barrë përjetimesh të rënda në mendje e në zemër, edhe atë ditë, Z. kishte dalë në qendër të qytetit, më thërret përmes telefonit dhe më fton të dal për nga një kafe, si dhe t’ia sillja veprat e botuara së fundit.

E takova në qendër të qytetit. Pasi u përshëndetëm, si dy miq të vjetër e tejet të sinqertë, spontanisht u nisëm të ecnim. Duke ecur pa ndonjë paracaktim se ku do të shkonim, kaluam nëpër oborrin e hotelit “Kristal”e pranë derës së tij dhe dolëm në rrugën që shpie kah pjesa jugore e qytetit. Unë i bindesha drejtimit të ecjes së Z. dhe nuk e kuptoja se ku ai donte të rrinim, siç nuk e kuptova pse Z. nuk kërkoi të rrinim në qendër, në hotelin kryesor të qytetit, në hotelin “Kristal” dhe pse, kur kaluam, ai as deshti të shikonte hyrjen e hotel “Kristalit”, sikur nuk do ta shihte dhe e hiqte shikimin nga ai, sikur e heq njeriu shikimin nga ndonjë gjë tepër e padëshirueshme.

Kur vërejta se ecja po na largonte nga qendra, u ndala dhe i thashë Z. se mund të ulemi diku, kudo që atij i pëlqen, e se mund të rrimë edhe në “Kristal”.

Diku ku është më fshehtë. Po shkojmë aty ku ka qetësi në shumë, tha Z., duke treguar edhe me shikim rrugës nga ishim nisur, që ishte një vend i shmangur dhe larg qendrës. Vërtet, vitet e robërisë na kishin nxjerrë nga qendra dhe na kishin bërë banorë të të gjitha periferive.

Po, pse nuk kthehemi në “Kristal”? Pse të shkojmë në periferi?”, pyeta unë. Z., që lexoi mungesën e dëshirës sime të shkoja në një lokal të mënjanuar nga qendra, u pajtua të ktheheshim dhe të rrinim m’u në qendër, në hotelin “Kristal”, ku unë dal shpesh të pushoj ndonjë çast, të rri me ndonjë të njohur dhe t’i shoh, për çudi, tipat që nuk ka arritur t’i shohë as Homeri, as Eskili, as Aristofani, as Kamy…

Në hotelin “Kristal”, Z. rrinte si një qenie që rri duke pritur një të keqe të madhe të pashmangshme. Herë-herë, fytyra e tij përshkohej nga lëvizjet e aty-këtushme të lëkurës. Ajo që përjetonte përbrenda, Z. i shfaqej edhe së jashtmi, në gjithë qenien e tij. Dukej, ai po përjetonte atmosferën e para njëzet vjetëve të hotelit “Kristal”, kur të tërit i vinte era pushtues.

ARKATANA

Këtu mund të ketë edhe spiunë! Këtu ka spiunë!, tha Z., duke përshkuar fshehtazi me shikim gjithë hapësirën e hotelit.

Le të ketë, thashë, ne po flasim lirisht, nuk po fshehim asgjë. Nuk është koha që të fshihemi, as nuk është koha të mos flasim haptazi. Jemi në qytetin tonë. Nuk jemi ilegalë. As pa adresë. As qytetarë të padisiplinuar. As shkelës të ligjeve tona. Pushteti është yni. Pushteti që e kemi votuar vetë. Pushteti ynë popullor. I dashur. Humanist. Pushteti që na e ka mrekulluar jetën. Pushteti, të mirat e të të cilit shihen edhe nga qielli…!Fol, lirisht!

Nuk po guxoj me folë, se të hakmerren këta qena! Nuk po e kam gajle për veti, po për fëmijët. Iu hakmerren fëmijëve! Nuk po di si t’ia bëj me djalin. Atë djalë e kam e po frikohem mos po më shkon dika e po më humb. Ka magjistruar në teknologji, po s’i të punësohet? Secili po i punëson të vetët. Pa punë. Si…? Do të më humb djali! Do të shkojë dikah!, tha Z.

Duhet të kemi besim, i them. Duhet të kemi besim në pushtetin tonë të dashur, popullor, të drejtë, humanist…Do ta gjejë ndonjë mundësi.

Jam skeptik, tha Z., do të mbetemi keq. S’do të arrijmë të bëjmë asgjë.

Nuk është logjike, i them. Është absurde. Vetë krahasimi i së tashmes me të kaluarën tonë, nën sundimin fashist, të tregon se nuk është normale, se është absurde të ndodh kjo, pra logjika nuk e pranon dhe as unë nuk mund të besoj se mund të ndodhë kjo. Si është e mundur të ndodhë kjo, Z., i them, si është e mundur të ndodhë, pra, edhe të besojmë ne se ndodh një gjë e tillë, në shoqërinë tonë, kur edhe pushtuesi fashist, kur të ka larguar nga arsimi shqip, ta ka gjetur një punë!? Mirë – keq, ta ka gjetur një punë. Nuk të ka lënë bash pa hiçgjë. Si mund të ndodhë që, sot, të të lënë pa asnjë kujdes?! Jo, nuk besoj! Nuk mund të ndodhë! Shko! A ke shkuar të bisedosh me ta?, i them unë.

Kam shkuar, po asgjë, tha Z. Unë nuk kam asosh çfarë mund të kërkojnë ata. Nuk kam as b…, as lira! Ti, bile, ti e di. E di punën e atyre mësueseve të reja, për shkakun e së cilave i transferuan padrejtësisht mësueset më të vjetra!

Jo, jo, e kundërshtoj unë kategorikisht Z., më shumë që t’ia forcojë shpresën, t’i shtojë pak forcë e optimizëm, e jo se kisha farë besimi se Z. do të gjente një ndihmë për punësimin e djalit të tij. Është bërë vështirë. (Rauna Zot, mund ta humbim edhe punën që kemi, e lëre më të gjejmë një vend të ri pune!) Prandaj, i them sërish të ketë besim në pushtetin e dashur popullor, pushtetin humanist, pushtetin, arritjet e të cilit shihen edhe nga qielli, pushtetin që na e ndriçoi jetën e na e bëri parajsë…I them Z. të ketë besim, të shkojë të bisedojë vetë me pushtetin, t’ia paraqesë pushtetit çështjen e punësimit të djalit dhe do të bindet edhe vetë se sa mirë do ta presin, se me sa butësi do t’i flasin, se me ç’premtime do ta përcjellin, se nuk është e mundur që ky pushtet të të lërë pa përkrahje, kur edhe një pushtues fashist ta ka bërë një çare.
Si të shkohet tek askushi, bre?!, tha Z. Çfarë të mire mund të të bëjë askushi?! Ti mos fol, se, që tash, e di se si do të jetë: fjalë të mira e gurë në trastë!

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.