Mobi Casa

Mbahet takimi publik për punën e ekzekutivit në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Kamenicë – Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, ka prezantuar para qytetarëve raportin e punës së ekzekutivit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, duke shpalosur në mënyrë të detajuar projektet dhe aktivitetet e realizuara në fusha të ndryshme.

Gjatë takimit publik u prezantuan investimet dhe arritjet në arsim, infrastrukturë rrugore, shëndetësi, kulturë dhe zhvillim, të cilat, sipas kryetarit Rahimaj, kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Arsimi

Kryetari Rahimaj e nisi prezantimin me sektorin e arsimit, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë realizuar projekte të rëndësishme, ndër të cilat:

hapja e drejtimit të ri Kulinari, ndarja e 154 bursave komunale për nxënës dhe studentë, pajisja e të gjitha shkollave me kamera sigurie dhe sistem të vijueshmërisë, ndërtimi i çerdhes së re në Koretin, furnizimi i çerdheve me mjete didaktike dhe lodra për fëmijë, përgatitjet finale për mësimin tërëditor.

Infrastruktura

Në fushën e infrastrukturës rrugore, kryetari Rahimaj prezantoi një numër të madh projektesh, duke përfshirë: vendosjen e sinjalistikës rrugore në qytet, zgjerimin, asfaltimin dhe ndriçimin e rrugës kryesore të qytetit, së bashku me ndërtimin e trotuareve, përfundimin e 11 rrugëve lokale në Hogosht, asfaltimin e 8 rrugëve në Karaçevën e Poshtme dhe 11 rrugëve në Karaçevën e Epërme, asfaltimin e dy rrugëve në Koretin, rregullimin e trotuarit dhe ndriçimit publik në Kopërnicë, asfaltimin e 10 rrugëve në Muçiverc dhe dy rrugëve në Dajkoc, asfaltimin e rrugës “Tema” në Busavatë, asfaltimin e 12 rrugëve në Roganë dhe rregullimin e parkingut të AMF-së, shtrimin e shtresës së dytë të asfaltit në rrugët e Feriçevës.

Po ashtu, u theksua se lumi në Kopërnicë do të shndërrohet në një atraksion për qytetarët, me shtigje ecjeje, hapësira rekreative, fushë streetballi, si dhe parkingje për vetura dhe biçikleta.

Ndër projektet tjera janë rregullimi i parkingut të shkollës “Dëshmorët e Kombit”, rinovimi i stadiumit të qytetit, asfaltimi i rrugëve në Krilevë, Topanicë (17 rrugë në proces) dhe në lagjen “Malësia” në qytet.

Hidromorava

Shëndetësia

Në sektorin e shëndetësisë, kryetari Rahimaj njoftoi për sigurimin e një autoambulance të re për QKMF-në, duke rritur kështu kapacitetet e shërbimeve emergjente.

Zhvillimi

Sa i përket zhvillimit, Rahimaj theksoi se Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare të komunës.

Po ashtu, u përmendën: ndarja e pakove “Baby Box” për përfituesit e rinj, organizimi i Ditës së Diasporës, përzgjedhja e Kamenicës për shpërndarjen e internetit publik falas, marrëveshja për hartimin e Planit të Mobilitetit, organizimi i festivalit “Kamenica Summer Fest”, angazhimi i 19 praktikantëve me pagesë në Komunë, anëtarësimi i Kamenicës në rrjetin botëror “Mayors for Peace”, projekti për ndërtimin e Parkut të Aventurave në Lugin e Verdhë, nënshkrimi i marrëveshjes për dhënien në shfrytëzim të vendgjuetisë, ndërtimi i kuzhinës popullore në shërbim të nxënësve dhe familjeve në nevojë.

Kultura

Në fushën e kulturës, kryetari Rahimaj përmendi organizimin e konferencës shkencore “Kamenica në rrjedha të historisë”, si dhe shënimin për herë të parë të Ditës së Nderit në Kamenicë.

Takimi u përmbyll me njoftimin se buxheti i Komunës së Kamenicës për vitin 2026 do të jetë më i madhi në histori, në vlerë prej 15,606,103 euro, prej të cilave 2 milionë euro janë të dedikuara për investime kapitale./rajonipress/