Fundamenti

Mbahet takimi për Projekt-Buxhetin për vitin 2024 me Stafin Mjekësor dhe Mësimdhënësit

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Kamenicë – Drejtoria për Buxhet dhe Financa në bashkëpunim me Kuvendin Komunal kanë mbajtur dëgjimin për Projekt-Buxhetin për vitin 2024 me Stafin Mjekësor dhe Mësimdhënësit.

Pjesëmarrës në këtë dëgjim ishin: Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, Drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Ardita Dërmaku, Zyrtari Kryesor Financiar, Naser Hashani, zyrtarë të tjerë komunal përgjegjës për mbajtjen e dëgjimeve buxhetore.


Drejtoresha Ardita Dërmaku ka hapur këtë dëgjim duke prezantuar buxhetin për vitin 2024.

“Ju falenderoj për pjesëmarrje dhe për kontributin që ju e jepni në mësimdhënie dhe në shërbimet shëndetësore. Ne sot po e mbajmë këtë takim për të marr nga ju kërkesat tuaja më të nevojshme, në mënyrë që më pas ato të cilat janë më me prioritet t’i paraqesim në listën e projekteve për vitin 2024. Andaj sot e keni mundësinë që t’i thoni kërkesat e juaja, ato që keni nevojë më së shumti. Sa i përket buxhetit për vitin 2024 duke u bazuar në Qarkoren e Parë Buxhetore, kemi një rritje të dukshme prej 17.48%, saktësisht 14 milion e 546 mijë e 545 euro është buxheti për vitin 2024. Po ashtu kjo rritje vërehet edhe tek investimet kapitale dhe tek subvencionet”, ka thënë ajo.

I pari i komunës, Kadri Rahimaj, duke falënderuar mjekët dhe mësimdhënësit për praninë e tyre në këtë dëgjim, ka thënë se ata janë aseti më i madh i komunës.

UBT

“Mendoj që aseti më i madh i Komunës së Kamenicës veç është i përcaktuar. Nuk mund të ketë aset më të madh sesa stafi që angazhohet çdo ditë brenda institucioneve të ndryshme. Aseti njerëzor është ai që lëviz gjërat përpara, andaj ne dëshirojmë ta shfrytëzojmë këtë aset në të mira të përbashkëta. Vitin e kaluar kemi qenë komuna e parë në Kosovë për organizimin e dëgjimeve publike, dhe këtë vit e kemi rritur numrin e dëgjimeve me qëllim të harmonizimit të problemeve që përballemi çdo ditë. Problemet nuk përfundojnë brenda një periudhe kohore, ato vijnë e zhvillohen karshi rritjes së njerëzimit dhe proceseve. Ne ju kemi thirrur në këtë takim që të shohim se çfarë mund të bëjë komuna për institucionin që ju jepni kontribut, që të lehtësohet procesi i punës për ju, të lehtësohet procesi i mësimnxënies dhe i shërbimeve shëndetësore”, ka thënë ai duke shtuar se bashkë me stafin mjekësor dhe mësimdhënësit do t’i trajtojnë problemet.
“Një lojtar e fiton një ndeshje, por një ekip e mirë e fiton një kampionat. Ne jemi komunë e përbashkët, dhe pa bashkëpunimin e juaj nuk mund ta fitojmë kampionatin. Ne bashkë me ju duam t’i trajtojmë problemet. Identifikimi i problemeve është një gjysmë zgjidhje e pastaj mbështetja financiare është një ndihmë e plotë. Fati që kemi buxhet më të madh është një gjë e mirë, për neve ka më shumë punë, për të tjerët është më profitabile kjo sepse mund të kryhen shumë procese”, shtoi Rahimaj.

Kërkesat që stafi mjekësor dhe mësimdhënësit kishin, ishin të ndryshme. Drejtori i QKMF-së kishte disa kërkesa si: rregullimin e e parkingut në QKMF, një autoambulancë, rregullimin dhe zgjerimin e garazheve të autoambulancave, renovimin e disa AMF-ve, shkallët emergjente në QKMF, fasadimin e QKMF-së, rregullimi i nxemjes qendrore.


Ndërsa nga stafi i mësimdhënësve, kërkesa drejtuan disa mësimdhënës por edhe drejtorët e shkollave “Ismail Qemali”, “Andrea Durrsaku”, “Sadri Misini”, “Dëshmorët e Kombit”, “Xhelal Sopi”, “Hasan Prishtina”, “Rexhep Mala”, “Avdullah Krashnica-Presheva”.

Kërkesat e tyre kishin të bënin me: trajnimet me bazë në shkollë të ndahet fond i veçantë, renovim të disa shkollave përfshirë rrethojën, rregullimin dhe pajisjen me mjete për kabinete në shkolla, rregullim të sallave sportive, rregullim të nxemjeve në shkolla, rregullim të trotuareve në afërsi të shkollave, transport falas për nxënës të shkollave të mesme dhe kërkesa të tjera të cilat janë evidentuar në procesverbal./rajonipress/