Mbahet Festivali “Kushtrimet e Karadakut”
Gjilan – Festivali kushtuar valleve burimore dhe traditave të grykës së Karadakut mbahet më 16 shtator nën patronatin kryetarit të komunës ka thënë Hamit Aliu.
Festivali “Kushtrimet e Karadakut” këtë vit pritet të mbahet në Shurdhan më 16 shtator dhe do të jetë një ditor. Kështu ka thënë organizatori Hamit Aliu në një takim me gazetarët.
Duke folur për programin e festivalit Aliu tha se është paraparë që të marrin pjesë ansamble e grupe të ndryshme nga Presheva, Bujanoci, Kumanova, Fushë Kosova, Peja, dhe mbi 10 ansamble nga Gjilani.
Sipas Aliut festivali nuk është garues dhe kryesisht i kushtohet valleve burimore duke ruajtur gjithnjë traditën dhe vlerën që kanë pasur vallet e Grykës së Karadakut. Aliu tha se vetë fakti që mbahet në Shurdhan e ka një domethënie që lidhet me trekëndëshin Gjilan – Preshevë- Kumanovë.
Aliu tha se festivali është përkrahur nga drejtoria e kulturës, Ministria e Kulturës dhe PTK-ja, derisa festivali mbahet nën patronatin e kryetarit të komunës.
Edhe Veton Nevzadi drejtor i kulturës tha se është përkrahur ky festival sepse i kushtohet traditave të Anamoravës./rajonipress/