Mbahen zgjedhjet studentore, raportohen parregullsi

Studentët e Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” të mërkurën kanë votuar për përfaqësuesit e tyre në këshillat e studentëve dhe Parlamentin Studentor të UP-së. Në këto zgjedhje, ku kanë garuar nëntë organizata studentore, sipas përfaqësuesve të këtyre organizatave procesi nuk ka qenë i rregullt, të paktën ashtu siç edhe ishte paralajmëruar se do të zhvillohej.
Premton Hulaj, nga organizata “Paqja studentore”, ka thënë se në përgjithësi procesi i votimit ka shkuar mirë, por, sipas tij, ka pasur edhe padrejtësi e po ashtu lëshime. Ai ka bërë të ditur se monitoruesit e kësaj organizate do të raportojnë dhe do të denoncojnë në Komisionin Qendror Zgjedhor të gjitha shkeljet që kanë evidentuar gjatë ditës.
Ndërkaq, Lëvizja Studentore “Studim, Kritikë, Veprim” – SKV ka raportuar gjatë ditës për parregullsi gjatë procesit të votimit. “Zgjedhjet po karakterizohen me disa parregullsi. Deri tani është shumë evidente numri i studentëve që nuk figurojnë fare në listën e votuesve, pavarësisht që ata janë të rregullt në studime”, thotë Flamur Pireva, përfaqësues i SKV-së. Pireva thotë për “Zërin” se në Fakultetin e Gazetarisë një numër i konsiderueshëm i studentëve të vitit të dytë nuk figuron fare.
“Kjo është vërejtur edhe në departamentet tjera të fakulteteve përkatëse në UP. Numri i votuesve deri tani është i kënaqshëm, shpresojmë që studentët të dalin masovisht dhe të shprehin vullnetin e tyre, veçanërisht për të mos u lënë hapësirë keqpërdorimeve të mundshme me fletëvotimet e zbrazëta”, thotë ai./zeri/