Maurer: Zvicrën dhe Kosovën e lidhin shumë miqësi

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Presidenti i Konfederatës së Zvicrës, Ueli Maurer tha se shteti helvetik është i përkushtuar për të vazhduar miqësinë me Kosovën dhe për të krijuar bashkëpunim në të gjitha fushat. Ai tha se Zvicra krenohet me Kosovën, aq me shumë kur gjysmën kombëtares zvicerane e përbejnë kosovarët.

Këto komente presidenti helmet i bëri në Prishtinë, gjatë një takimi që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Kjo e fundit ka ftuar për vizitë zyrtare në Kosovë, presidentin Ueli Maurer.

“Zvicrën dhe Kosovën i lidhin shumë miqësi. Në të njëjtën kohë, ju e dini që mbi 170 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në Zvicër. Në ndërkohë ata janë të integruar, janë bërë qytetar të Zvicrës dhe kjo e bën raportin mes Zvicrës dhe Kosovës edhe më të posaçëm”, deklaroi Mauzer.

Duke u përgjigjur si me shaka, presidenti Maurer tha se gjysma e kombëtares zvicerane e përbëjnë kosovarët. “Kështu që vërtet edhe kualifikimi në Brazil është falë bashkëqytetarëve tuaj”, tha Maurer, sipas të cilit, “Shaqiri është bërë vërtet një shembull për të gjithë qytetarët e Kosovës e po ashtu edhe në Zvicër”.

Mirëpo ai tha se në Kosovë është për një qëllim tjetër. “Unë jam këtu para së gjithash të bisedojmë rreth bashkëpunimit tonë në të ardhshëm. Sigurisht që Zvicra është akoma e interesuar që të kontribuon në ndërtimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai në vazhdim.

Dëshiroj që t’ju përgëzoj për gjitha sukseset dhe përparimet që keni arritur. Ata që vijnë rrallë në Kosovë i vërejnë më së miri këto ndryshime, kështu që vërtet para rastin sot që t’i shoh ato.

Presidenti helvetik, tha se për shtetin e tij dhe ekonominë zvicerane nevojitet edhe më tepër stabilitet politik, në mënyrë që Kosova të bëhet më tërheqëse për investime edhe nga Zvicra.

Mirëpo, edhe në këtë fushë, sipas Maurer, janë arritur suksese të mëdha, andaj ai përgëzoi presidenten Jahjaga për të gjitha këto përparime, mirëpo edhe për imazhin personal që e gëzon në të gjitha nivelet ndërkombëtare.

Mobi Casa

“Kjo është me rëndësi sepse përveç stabilitetit ekonomik dhe atij politik, janë gjithmonë të rëndësishme kontaktet personale, që do të ndikojnë më tepër në mbështetjen e mëtutjeshme. Mes dy vendeve kemi marrëveshje të shumta bilaterale. Disa funksionojnë shumë mirë, ndërsa te disa të tjera duhet të punohet edhe më tepër”, tha ai.

Bashkëpunimin mes dy vendeve, sipas presidentit Maurer, është partneritet që funksionon shumë mirë. “Vet fjala partneritet do të thotë që të dyja palët japin kontributin e barabartë në këtë bashkëpunim”, tha ai.

Presidenti i Zvicrës tha se Kosova është në rrugë të mbarë, edhe pse, siç tha ai, nevojiten edhe shumë hapa të tjerë, “mirëpo ne në ndërkohë kemi krijuar një raport shumë të mirë personal dhe natyrisht institucional, dhe nuk do të këtë problem”.

Presidentja e Koosvës, Atifete Jahjaga tha Kosova dhe Zvicra kanë një histori të gjatë të lidhjeve mes tyre, prandaj ajo falënderoi presidentit Maurer për ndihmën që Zvicra i ka dhënë Kosovës, në hapjen e kapitullit të ri të shtetndërtimit dhe të një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse.

“Që prej më shumë se 14 vjetësh, forcat paqeruajtëse të Zvicrës, në kuadër të Forcave të NATO-s, kanë ndihmuar në vendosjen e paqes dhe të një mjedisi të sigurt për qytetarët e Kosovës, duke dëshmuar përkushtimin për ndërtimin e një Kosove të përparuar”tha presidentja Jahjaga.

Sipas saj, ndihma e forcave zvicerane vazhdon të jetë e domosdoshme në stabilizimin e Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike dhe ndërtimit të kapaciteteve tona të sigurisë.

“Lidhjet mes dy vendeve tona janë të pashkëputshme, sepse Zvicra për dekada të tëra ka treguar gatishmërinë për të ndihmuar qytetarët e Kosovës, duke pranuar një numër të bashkatdhetarëve tanë, të cilët sot janë të integruar dhe të respektuar, jetojnë e punojnë me dinjitet, si dhe janë një urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve tona”, tha më tej Jahjaga.

Konfederata e Zvicrës, siç tha ajo në vazhdim, është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës duke ndihmuar edhe në konsolidimin e shtetësisë.
Ndryshe presidenti i Zvicrës për herë të parë po qëndron në Kosovë. Ai viziton Kosovën me ftesë të presidentes Jahjaga. /albinfo/