Matoshi: “Bahçja” është shansi i fundit për Kamenicën

Kamenicë – Janë shqetësuese, disa informata, shkrime e reagime sipas të cilave në pronën komunale të Kamenicës, konkretisht zonën e njohur si Bahçja e Kamenicës, sipas PZHK së miratuar së fundi qenka planifikuar ndërtim i lartë. Jam shumë i bindur se ky do të jetë gabimi fatal për Kamenicën, nëse lejohet të ndodhë, por, shpresoj se qytetarët e Kamenicës nuk do ta lejojnë këtë gjë. Kjo hapësirë që dikur shërbente për kultivimin e perimeve, nuk besoj se mund ta ketë sërish atë funksion ka shkruar Fatmir Matoshi.
Postimi i plotë:
Por, kjo është hapësira ideale, që së bashku me disa prona rreth saj të shndërrohet në një liqen artificial (të vetmin që do ta kishte Kosova brenda zonës së një qyteti dhe konkretisht në qendër të saj). Hapësira totale e liqenit që do të shtrihej afërsisht prej palestrës së sporteve e deri tek derdhja e përroit të Rubocit në lum, do të përfshinte shtratin e lumit, rrugën ekzistuese rreth lumit (e cila do të zhvendosej), do të kërkonte zhvendosjen e Zjarrëfikësve, Kryqit të Kuq, Zyrës Komunale të Punësimit, Objektit të banimit kolektiv dhe shtëpisë për personat me nevoja të veçanta.
Kush mund ta ndërtojë këtë liqen?
Dy janë elementet kryesore që kërkohen për këtë projekt, toka dhe uji. Nëse humbet toka, kjo mbetet vetëm një ëndërr. Kamenica i ka aktualisht të dyja. Partneriteti publiko – privat do të ishte mundësia më e mirë për realizimin e këtij projekti. Mbi 18 hektarë tokë do të ishin pjesë e projektit. Për institucionet që zhvendosen, komuna do të siguronte lokacionet e përshtatshme në prona komunale, ndërsa nëse nga kjo hapësirë rreth 10 hektarë shndërrohen në liqen artificial, atëherë 4 hektarë mund të përdoren si zona rekreative rreth liqenit dhe 4 të tjera për ndërtimet e partnerit privat i cili do të jetë edhe mirëmbajtësi i liqenit dhe hapësirave rreth tij.
Çka përfiton Kamenica?
Shndërrohet në qytetin më të bukur, më joshës e më atraktiv në Kosovë. Përfiton turistë e vizitor të shumtë, e rrit numrin e të hyrave buxhetore, shton vlerën e pasurisë së secilit qytetar, i jep shansin ndërtimeve në zonën përtej lumit duke e bërë liqenin një oazë në mes të qytetit.
Kamenicas të nderuar,
Besoj, tashmë e keni kuptuar, se e keni humbur Pendën e Kremenatës, ishte projekti, ishte buxheti i ndarë, ishin të gjitha përgatitjet dhe e humbi projektin opsioni politik të cilin e keni votuar me shumicë.
Do të duhet shumë punë e shumë vite që ndoshta dikush që do të vij pas nesh ta përmirësoj gabimin që ka ndodhur, rëndësinë e atij projekti e vëreni edhe tani gjatë verës, sa herë hapni çezmat tuaja dhe nuk keni ujë, sa herë doni të pastroheni e nuk keni ujë, sa herë Bahçet tuaja thahen, sa herë i hypni makinave e ngjiteni për në Hogosh ose kodrave të Malësisë për me “mush ujë” për pije e i cili në asnjë rast e me asnjë analizë nuk është më i mirë se ai i lumit të Kremenatës.
Me pas ujë me bollëk secili ka qenë vetëm një nga shumë përfitimet e atij projekti. Përfitimet si tërësi komuna do t`i kishte shumë më të mëdha.
Mos lejoni me ju humb edhe mundësia e fundit, ose nëse lejoni ndjehuni përgjegjës për krimin që i bëni kujtimit të parëve Tuaj, dhe humbjes së shpresës për pasardhësit Tuaj. Një vendim si ky është ma i madh se të gjithë kryetarët e të politikanët bashkë./rajonipress/