Matoshi: AKR-ja, më e mira për Kamenicën
Gjilan – Përkundër sfidave të shumta, tashmë AKR në Komunën e Kamenicës ka ndërtuar një strukturë mjaft të qëndrueshme dhe ka një elektorat stabil i cili në vazhdimësi është rritur. Puna e sinqertë e udhëheqjes së partisë, komunikimi i mirë dhe i drejtpërdrejt me qytetarët ka ndikuar që besimi në AKR-në vetëm të rritet. Kjo parti del edhe pretendente për ta fituar garën elektorale në vjeshtë thotë Fatmir Matoshi.
Kryetari i Degës, Fatmir Matoshi, thotë se në vazhdimësi ka pasur ardhje të reja në parti. “Bashkimi ynë me individë me autoritet në lokalitetet ku jetojnë dhe me grupe anëtarësh të rinjë është shumë i natyrshëm. Qytetarët dhe ne udhëheqësia e AKR-së e kemi të njëjtin mendim, gjendja nuk është e mirë dhe duhet të ndryshojë, prandaj po bashkohen shumë qytetarë me ne e në veçanti të rinjtë. Ne jemi pjesë e qeverisjes komunale dhe për aq sa kemi pasur hapësirë kemi treguar se dimë shumë mirë të qeverisim, kemi punuar shumë pastër, dhe e kemi arsyetuar pjesëmarrjen tonë në këtë koalicion” ka thënë Matoshi.
Kryetari i AKR-së ka folur edhe për fuqinë që ka dega në qendrën e kësaj partie. “Ne udhëhiqemi nga një lider si Presidenti Pacolli i cili ndjen për Kamenicën shumë herë më tepër sesa liderët e tjerë që e shohin vetëm në fushata dhe si një vend ku marrin vota gratis, Dega jonë ka një përfaqësim mjaft dinjitoz edhe në qendër dhe do të jetë dinjitetshëm e përfaqësuar edhe në përbërjen e re të Parlamentit e Qeverisë së Kosovës”.
Kryetari i AKR-së që është edhe Nënkryetar i Komunës ka thënë se AKR-ja në qeverisjen komunale është dalluar për fleksibilitet në punë, koordinim dhe bashkëqeverisje me qytetarët, punë shumë të mirë me donatorët dhe organizatat e ndryshme, transparencë në punë dhe shpenzime mjaft të vogla.
Matoshi pret që në vjeshtë AKR të marrë besimin e plotë të qytetarëve për ta qeverisur komunën. “Janë 18 vjet stagnim i komunës të cilat i fakturohen LDK-së dhe PDK-së, ka pasur në vazhdimësi fushata inatesh e hakmarrjesh, nuk kanë qeverisur LDK dhe PDK, por janë vënë në shërbim të interesave personale të një grupi mjaft të vogël aktivistët e këtyre partive, është mashtruar elektorati i LDK-së dhe PDK-së, dhe për këtë arsye këto klane e grupe inatgjinjësh po braktisen përditë e më shumë nga aktivistët e qytetarët, fundi i tyre do të vijë në vjeshtë” ka thënë Matoshi./rajonipress/


