RCCOLA

Mashtrimi me Ushtrinë, për të mbuluar hajninë miliardëshe

/ 20 minuta lexim
Uji Dea

Analistët politikë dhe qytetarët, tanimë të mësuar për dy dekada me premtimet boshe të të njëjtës politikë, theksojnë se kjo klasë politike po vazhdon vetëm të gënjejë e të mashtroj dhe të zhvatë popullin pafundësisht dhe paturpësisht.

“Një nga shumë gënjeshtrat dhe mashtrimet që iu bënë qytetarëve është ajo kinse për Ushtrinë e Kosovës, e cila nuk u formua për 10 vjet rresht, e fatkeqësisht nuk do të formohet as këtë vit dhe mbase asnjëherë me këtë garniturë politikanësh mashtrues e hipokritë. Ushtria e Kosovës, kjo çështje fondamentale për shtetin, nuk është zgjidhur, për shkak se kjo klasë politike, tërësisht e inkriminuar në Kosovë, e fokusuar për dhjetë vjet rresht vetëm në zhvatjen e buxhetit të shtetit nëpërmjet krimit të organizuar, e ka vënë shtetin e Kosovës në vartësi të plotë të politikës së Beogradit, gjegjësisht të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Analistët politikë dhe qytetarët, tanimë të mësuar për dy dekada me premtimet boshe të të njëjtës politikë, theksojnë se kjo klasë politike po vazhdon vetëm të gënjejë e të mashtroj dhe të zhvatë popullin pafundësisht dhe paturpësisht.

Një ndër gënjeshtrat e mëdha,sipas analistëve, që vazhdon të bartet vit pas viti e mandat pas mandati qeverisës, pas shpalljes së pavarësisë, përveç liberalizimit të vizave, mbetet edhe premtimi pompoz që po u bëhen qytetarëve,edhe gënjeshtra për kinse Ushtrinë e Kosovës, e cila fatkeqësisht nuk do të formohet as këtë vit. Sipas tyre, loja e ndyrë për interesa të ngushta politike dhe lidhjet e fshehta të politikës së Kosovës me Beogradin, që formuan Listën Serbë për të vepruar kundër shtetësisë së Kosovës, bënë që kjo çështje fondamentale për shtetin dështoi dhe nuk është zgjidhur qysh para disa vjetësh kur ishin shanset ideale, por pushtetarët tanë të tejinkriminuar tani thuhet që e kanë ingranuar këtë temë edhe si pjesë të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë armike. Tanimë, sipas analistëve, përpjekjet janë akoma më të kota, ngase sikur që po raportohet në vazhdimësi nga selia e NATO-s për këtë temë, edhe në këtë aleancë ushtarake është ndërtuar pozicioni, i cili kërkon që Ushtria të themelohet vetëm nëpërmjet të ndryshimeve kushtetuese, e kjo do të thotë se Ushtria themelohet, në kushtet e tanishme, vetëm me vullnetin e Listës Serbe, gjegjësisht presidentit të Serbisë, Vuçiq, e që kjo paraqet tradhtinë e rëndë kombëtare e shtetërore të Thaçit dhe suitës së tij ndaj Republikës së pavarur të Kosovës.

ZEQA: KJO KLASË POLITIKE E KA VËRË SHTETIN E KOSOVËS NË VARTËSI TË PLOTË TË POLITIKËS SË BEOGRADIT!
Analisti politik Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se kjo klasë kusarësh politikë paturpësisht vazhdon të gënjejë e të mashtrojë qytetarët e Kosovës, të zhvat buxhetin e shtetit dhe paratë e popullatës së varfër për interesa personale, klanore dhe partiake. “Pa dyshim, një nga shumë gënjeshtrat dhe mashtrimet që iu bënë qytetarëve, është ajo kinse për Ushtrinë e Kosovës, e cila nuk u formua për 10 vjet rresht, e fatkeqësisht nuk do të formohet as këtë vit, dhe mbase asnjëherë me këtë garniturë politikanësh mashtrues e hipokritë. Ushtria e Kosovës, kjo çështje fondamentale për shtetin, nuk është zgjidhur, për shkak se kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar në Kosovë, e fokusuar për dhjetë vjet rresht vetëm në zhvatjen e buxhetit të shtetit nëpërmjet krimit të organizuar, e cila e ka vënë shtetin e Kosovës në vartësi të plotë të politikës së Beogradit, gjegjësisht të presidentit serb Aleksandër Vuçiqit, i cili prej Beogradit vendos për gjithçka për Kosovën e nëpërkëmbur nga tradhtarët shqiptarë e të gjitha llojeve e ngjyrave”, theksoi ai. “Produkt i drejtpërdrejtë i politikës së inkriminuar kosovare është nonsensi i të drejtës së vetos së Serbisë ndaj Kosovës, gjegjësisht të deputetëve serbë në Parlamentin e Kosovës të dirigjuar nga politika e Beogradit. Kësisoj, Republikën e Kosovës e mban peng një grusht serbësh në Kuvend, me votën e dyfishtë dhe veton e garantuar nga Kushtetuta-produkt i Planit të Ahtisarit. Paradoks dhe “Siu generis” i llojit të vet, është bërë Kosova, në njërën shtet i pavarur, ndërsa në tjetrën i lidhur nga vargonjtë serbosllavë, të cilët e kanë privuar nga referendumi, nga Ushtria dhe nga ndryshimet kushtetuese, si elementet bazike të sovranitetit të shtetit”, potencoi më tutje Zeqa.”Kjo i bie realisht, se Kosova nuk do të ketë Ushtri kur e paralajmëron një zyrtar i Kosovës, por hipotekisht kur e lajmëron një zyrtar i lartë i Serbisë, gjë e cila nuk do të ndodhë asnjëherë. E dhimbshme, por e vërtetë, politikanët e inkriminuar bashkë me nëntokën kriminale përmes bisedimeve të Brukselit e dorëzuan shtetin e Kosovës në duart e Beogradit, me ndihmën e agjentëve të UDB-së, miq të ngushtë e këshilltarë kryesorë të pushtetarëve tradhtarë të Kosovës dhe njëkohësisht të Vuçiqit si sundimtar nga Beogradi i zi për shqiptarët”, theksoi ai për “Kosova Sot”.

Territori në rrezik Profesori universitar Muhamet Kelmendi i tha gazetës se pozita juridike e Kosovës nuk është një çështje që është krijuar tash, apo në vitet e fundit, ndonëse në ketë periudhe iu dha juridikisht statusi amorf dhe zanafillën e ka që nga Konferenca e Rambujesë e deri në shpalljen e pavarësisë, për të vazhduar ashtu edhe pas pavarësisë. Në krejt këtë lojë, sipas tij, aktori kryesor ka qenë dhe mbetet Hashim Thaçi. “Kosova është quajtur si vend me dy pushtete, të Prishtinës dhe të Beogradit, që në Rambuje të Francës. Në Rambuje qe përcaktuar statusi i një pushteti të ndarë, me një gjysmë autonomie dhe me ndikim të dukshëm të dy pushteteve. Mbi këtë marrëveshje u nxor Rezoluta 1244 e KS të OKB-së ku përcaktonte Kosovën në territor të Jugosllavisë dhe që çështja do të zgjidhej në të ardhmen. Rezoluta e tillë e ndërtoi pushtetin në Kosovë dhe e përcaktoi Kosovën me territor multinacional, një e padrejtë e madhe historike, të një vendi mbi 95% shqiptare. Kjo padrejtësi qe përkrahur nga politika e atëhershme e Kosovës, z. Ibrahim Rugova, z. Hashim Thaçi, si dhe shumë elemente të parëndësishme, që SHBA-ja i bëri të rëndësishëm, u gjinden në këtë çrregullim. Të përmendim këtu Veton Surroin, Baton Haxhiun etj., që shumë forca edhe i kundërshtuan këto veprime”, u shpreh ai. “Me UNMIK-un në vend u nda Kosova. Me ushtrinë franceze dhe me ndihmën e Thaçit dhe të Kadriut u pushtua veriu i vendit. UNMIK-u ndërtoi një Kornizë Kushtetuese për një vend multinacional dhe ku minoritetit serb i jepeshin kompetenca të mëdha, natyrisht tepër të dëmshme dhe tipike raciste, sikundër ishte gjendja në Afrikën e Jugut. Gjendja e tillë e ngarkoi z. Ahtisari nga KS te OKB -së për të përgatitur statusin përfundimtar të Kosovës. Me atë u nda përfundimisht territori i Kosovës midis shqiptarëve dhe serbëve. Dhe, Prishtina, me Lutfi Hazirin kryetar të grupit punues, veriut të serbizuar me dhunë, ia shtuan edhe shumë komuna të tjera, si Ranillukun , Kllokotin, Graçanicën, Parteshin, Shtërpcën etj., duke krijuar një ndarje totale të vendit. Por, puna apo kryevepra e shkatërrimit të Republikës, përsëri vjen nga z. Hashim Thaçi. Në diskutimet dhe punën për Kushtetute, z. Thaçi caktoi dy vegla shumë të dëmshme për të udhëhequr punën në fushën e nxjerrjes së Kushtetutës. Z. Hajredin Kuçi dhe Arsim Bajrami janë personat që juridikisht e dëmtuan deri në shkatërrim Republikën e Kosovës”, vijoi më tej Kelmendi. “Me normat kushtetuese iu dha mundësia minoritetit serb që të vendosë juridikisht mbi të ardhmen e vendit. Këtë akt juridik e shfrytëzoi shumë mirë z. Thaçi në raportet me shtetin serb. Z. Thaçi ndërtoi Listën Serbe dhe formoi gjykatën, organet e pushtetit në Veri dhe administratën e vendit. Çdo element të pushtetit shtetëror e ndërtoi. Natyrisht se me normat kushtetuese u realizua ideja e Marrëveshjes së Rambujesë dhe të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së për pushtet të dyanshëm. Tashmë për Kosovën vendos shteti serb me partinë e vet Listën Serbe dhe organet e pushtetit. Asnjëra palë pa tjetrën nuk po bëjnë. Njëra dhe tjetra ecin së bashku. Kjo u sanksionua në Kushtetutë dhe në marrëveshjet që z. Thaçi dhe z .Mustafa i nënshkruan me Beogradin në Bruksel. Kjo rrugë po vazhdon edhe aktualisht dhe me siguri se do të sanksionohet. Dy rrugë janë tani: 1. Ndërrime të territorit dhe 2. Njohje të një statusi autonom për serb. Këtë e di z. Thaçi, prandaj qëndron në ballë për të realizuar dhe për të vazhduar punën në drejtim të përfundimit”, ka thënë Kelmendi për “Kosova Sot”.

Mobi Casa

KELMENDI: KOSOVA E KA HUMBUR SHANSIN PËR TA BËRË USHTRINË E VET PARA DY MANDATAVE TË KALUARA
Analisti Jeton Kelmendi thotë se është shumë e sigurt që të gjitha premtimet e deritanishme kanë qenë mashtrime, ndërsa Kosova e ka humbur shansin për ta bërë ushtrinë e vet, që para dy mandatave të kaluara, kur në Parlament dhe në Qeveri ishin subjektet politike serbe autoktone kosovare dhe jo të instrumentalizuara nga Beogradi, sikur tani që është Lista Serbe në dy mandatet e fundit. “Mendoj që çështja e Ushtrisë është bërë një telenovelë shumë e mërzitshme dhe e bezdisshme për qytetarin e Kosovës, dhe kjo lojë bëhet nga eksponentët e politikës së sotme vendore, të cilët duke tentuar për t’i mbuluar dështimet e tyre, kthehen dhe merren me tema të mëdha, sikur që është bërja e Ushtrisë, dhe në fakt punojnë kundër bërjes së Ushtrisë. Ka kohë, që disa vjet më parë ishte shansi për ta formuar Ushtrinë, pas përfundimit të mandatit të FSK-s sipas pakos së Ahtisarit, por mendoj se fajtori kryesor i ngecjes në këtë proces ishte dhe mbetet njeriu kryesor, më antishqiptar që është Hashim Thaçi, për shkakun se ky njeri ishte dhe vazhdon të sillet me papërgjegjësinë më të madhe, madje ai shkoi dhe e krijoi Listën Serbe në bashkëpunim me eksponentët e caktuar politikë serbë në Serbi dhe me këtë gjithçka në Kosovë e bëri të varur direkt nga qeveria e Beogradit”, u shpreh ai. “Mendoj që kjo është një vepër shumë antishqiptare dhe sot mbetet si kategori kushtetuese që duhet të merren dy të tretat e votave, edhe të minoriteteve, të serbëve. Mendoj që në kohën kur serbët kishin në Kosovë disa parti politike dhe nuk ishin ashtu të homogjenizuar për kundërshtimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, sikur që janë në një Listë të dirigjuar nga Beogradi, do të ishte shumë më lehtë që në ato vite të bëheshin edhe ndryshimet kushtetuese ku do të bëhej Ushtria, por do të futej si kategori edhe referendumi me shumicë nga populli, që parashihet edhe sipas konventave ndërkombëtare, dhe kësisoj asnjë vendim në Kuvend nuk do të mundë të bllokohej nga pakicat etnike”, vijoi më tej Kelmendi. “Tani, vetëm po tallen kur po e përmendin çështjen e Ushtrisë, duke deklaruar se do ta bëjnë herë me ligj e herë me Kushtetutë, dhe nuk janë gati ta bëjnë as më njërën, as me formën tjetër, sepse këta politikanë janë të interesuar të bëjnë vetëm para për vete dhe bëjnë keq për Kosovën, dhe kjo gjendje do të jetë kështu pezull përderisa do ta kemi president Hashim Thaçin, kryeministër Ramush Haradinajn dhe kryetar Kuvendi Kadri Veselin, dhe me këta Kosova kurrë nuk do të shohë ditë të bardha”, tha Jeton Kelmendi për “Kosova Sot”.

Parashikimet po dalin për pushtetarët e inkriminuar Sipas analistit politik Shefik Shkodra, të gjitha fajet ishin të shqiptarëve në kaluarën.”Edhe sot janë të shqiptarëve për një Kosovë të re. Ka qenë një paranojë se njerëzit me eufori do të dështojnë në zbatimin e lirisë së Kosovës. Për fat të keq, kjo si duket po del realitet sërish. Në mënyrë të shkallëshkallshme sikur e mori iniciativën Serbia mbi Kosovën. Me pranimin e partisë më ekstremiste serbe në Parlament, me pranimin e disa marrëveshjeve në Bruksel, sikur shihet, qartë po del se, direktivat po vijnë nga Beogradi për çështje të Kosovës. Një herë prano një fusnotë për shtetin e pavarur, herën tjetër një si marrëveshje na del se partia ekstremiste ka të drejtë vetoje për çdo çështje që është në interes të këtij vendi, si bie fjala për vendosjen dhe pranimin e Ushtrisë së Kosovës”, u shpreh ai. “Dhe kjo parti ekstremiste që është futur në Parlament, gjithnjë e dirigjuar nga Beogradi, është rezultat i bisedave në Bruksel. Ka mundur të hyjë një parti nga nacionaliteti serb, por jo e këtillë, që sa herë të dojë të vërë kushte për çfarëdo pune. Këto janë spicat e njerëzve tanë. Këndej e mashtrojnë popullin, e zhvatin çdo segment të jetës së qytetarëve, gjendja e të cilëve është mjaft e rëndë”, ka pohuar Shkodra për “Kosova Sot”.

Analisti Ali Hertica thotë se është dështim i madh që as 19 vjet pas marrëveshjes së Kumanovës që ishte në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë, ku ishte paraparë çarmatimi i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe transformimi i saj në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, vendi nuk ka Ushtri. “Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pasi e arritën qëllimin e tyre, duke përfshirë këtu lehtësimin e rindërtimit pas lufte të Kosovës, ato do të shpërndahen 1 vit pas miratimit të dokumentit të Ahtisarit, e ku Qeveria e Kosovës kishte marrë vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovë, si Ushtri e Kosovës. Megjithatë, formimi i saj, Ushtrisë së mirëfilltë si FAK, ende po bllokohet nga deputetët e Listës Serbe. Është një papërgjegjësi serioze, që lidershipi i Kosovës nuk po merr hapa drejt ndryshimit të Kushtetutës, edhe pse kjo listë po paguhet nga taksat e qytetarëve dhe është kundër shtetit, prandaj kjo nuk do koment fare”, theksoi ai. “Por, po duket që politika kosovare thuajse nuk është e interesuar për t’u marrë më seriozisht me këtë çështje, sepse në kokat e shtetit janë njerëzit e inkriminuar në të gjitha aferat e mundshme të zaptimit dhe të tjetërsimit të shtetit, prandaj edhe na kanë dërguar deri në këtë gjendje ku për shtetin dhe shpresën e tij po vendos një ish- kriminel, Aleksandër Vuçiqi, i cili në kohën e Milosheviqit kishte lansuar parullën që për 1 serb do t’i vrasim 100 shqiptarë”, vijoi më tej për “Kosova Sot”, Hertica.

BADALLAJ: HASHIMI I BROJËS AKOMA NUK E KA KUPTUAR SE ËSHTË FUTUR NË KOSHIN E PLEHRAVE TË TRADHTISË
Analisti politik Reshat Badallaj thotë se nuk është asgjë e re nga këto banda politike që gënjejnë, mashtrojnë popullin. “Jemi dëshmitarë të kohës që pikërisht këto banda përmes tellallëve dhe banditëve të tyre e kanë mashtruar dhe gënjyer popullin fillimisht me premtimet për shpalljen e Pavarësisë se Kosovës, kur jepni shume data, bile këta vagabondë rrihnin gjoks se do të shpallet në këtë ditë dhe pikë, bile më kujtohet e kishin marrë edhe datën e 28 Nëntorit dhe tjetri po ashtu, rrihte gjoks se jo në këtë datë po në këtë datë.. e lloj-lloj marrëzi të sojit të tyre dhe qe sa kohe këta banditë dhe banda mashtrojnë dhe gënjejnë popullin edhe për liberalizimin e vizave, se si kosovarët do ta marrin liberalizimin në janar, në shkurt, në qershor dhe tani thonë në dhjetor, që kësisoj di të gënjejnë vetëm soji i këtyre banditëve të bandave politike. Pastaj dihet si e bëri shou Hashimi i Brojës me premtimin edhe për Ushtrinë e Kosovës, se do të bëhet këtë vit dhe nuk u bë, tani thuhet në këtë vit dhe mjerisht nuk do të bëhet. Mos harroni se këta rrenacakë janë të pabesë dhe të pafytyrë. Le t’i pyesim se ç´thoni për urën e Ibrit… do të lëshohet sot, do të lëshohet nesër…”, ka theksuar ai. “Ne deshëm ta pranojmë ose s’e pranojmë, ose më ndryshe është e hidhur, por në realitet asgjë nuk mund të bëhet pa dhënë leje NATO-ja për krijimin e Ushtrisë.Të tjerat që thotë Hashimi i Brojës nuk janë gjë tjetër pos pallavra. Pallavrat i ka Hashimi i Brojës për te fituar poenë politikë dhe asgjë tjetër. Hashimi i Brojës akoma nuk e ka kuptuar se është futur në koshin e plehrave të tradhtisë. Ka të drejtë të mos e kuptojë, sepse e ka verbuar hajnia dhe lakmia për pushtet dhe atë që të jetë i pari. Hashimi i Brojës më thoni vetëm një gjë konkretisht që e ka bërë pa lejen e kumbarës së tij, kriminelit Aleksandër Vuçiq. Asgjë. Përkundrazi, sa e sa herë është kapur duke ngrënë dreka e darka me këtë kriminel nëpër hotelet më të shtrenjta botërore dhe një Zot e di që Hashimi i Brojës i ka bërë buxhetit të shtetit, që para luftës Hashimi nuk ka ngrënë me pirun e thikë, sepse nuk e dallonte sapunin nga djathi dhe sot hiç si Sulltan Sylejmani i Top Kapisë. Kot e ka”, potencoi Badallaj për “Kosova Sot” .

Qytetarët akuzojnë politikën e korruptuar Gazeta ka intervistuar edhe qytetarë rasti, të cilët theksojnë se pas shpalljes së pavarësisë, Kosova po humb shumë kohë duke dështuar në bërjen e Ushtrisë së shtetit, kurse politikanët e korruptuar dhe të shantazhuar po merren me tema të tjera, duke e lënë shtetin pa Ushtri, të cilën po e mbajnë vetëm si premtim të herëpashershëm elektoral. Një gjykim të tillë kaq të ashpër e ka qytetari Ramë Krasniqi. “Unë mendoj që nuk ka shtet pa ushtri, prandaj nëse nuk respektohen ligji dhe Kushtetuta, që shteti të bëhet me të gjithë mekanizmat e vet që e karakterizojnë si shtet, atëherë prej këtyre njerëzve nuk ka asgjë. Ne po e shohim që këtu në këtë vend gjithçka po shkon mbrapsht. Nga këta njerëz po shkohet edhe në bisedime me Serbinë dhe fare nuk po pyetet Parlamenti, por ne e dimë që këtu kryesor për të marrë vendime, edhe për bisedime, por edhe për Ushtrinë, e kemi Parlamentin. Tani, ngritën njerëzit e shkojnë për të biseduar për diçka serioze, që po e konsiderojnë si me pas pronë të veten, ai për vete tjetri për vete, pa asnjë koordinim dhe pa pëlqimin e deputetëve, të cilët i ka votuar populli për të marrë vendime”, u shpreh ai. “Unë mendoj që çdo hap që e marrin politikanët tonë për të gjitha temat nacionale, edhe për bisedimet me Serbinë, por edhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës, duhet ta bëjnë me pëlqimin e shumicës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Nuk duhet t’i lejohet një minoriteti pakicë që ka të drejta më shumë se në do vende të Evropës që t’i bllokojë çështjet madhore të interesit të shtetit, sikur është Ushtria. E, kur është fjala te këto bisedime duhet të nxirret platforma e bisedimeve, të diskutohet e të miratohet në Kuvend, dhe vetëm pastaj të shkohet në atë proces”,tha Krasniqi për “Kosova Sot”. Shumë më i ashpër është shprehur Demir Nishevci, i cili tha se për çështjet e mëdha të interesit të shtetit nuk mund të vendosin këta politikanë, pasi zhytja e tyre në korrupsion dhe krim të organizuar i bënë të papranueshëm si partnerë me faktorin ndërkombëtar, e më të afërt për pazare me shtetin serb. m”Unë mendoj se këta pushtetarë të korruptuar, që e kanë vendin në burg dhe jo në institucione të shtetit, nuk mund ta bëjnë Ushtrinë e Kosovës, sepse nuk i do dhe nuk i mbështet askush nga faktori ndërkombëtar. Kot flasin, premtojnë, këta punojnë vetëm për vete, por hajnin nuk e do askush, këta janë në gjendje të bëjnë kompromiset nga më të ndryshmet tani edhe me Serbinë vetëm që ta shpëtojnë veten e tyre. Për ta shpëtuar kokën këta janë në gjendje që të bëjnë pazare edhe me familjet e veta, e lëre më për të falur e për të shitur interesat e shtetit e të popullit”, potencoi ai. Sipas Nishevcit, ky vend nuk do të mundë të ecë përpara as me Ushtri, as me liberalizim vizash dhe me asgjë tjetër, derisa këta të jenë në pushtet.

(Kosova Sot)