UBT

Mashtrim i tejdukshëm

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ibrahim Rexhepi – Askujt nuk lejohet që për përfitime individuale të përdorë paratë e buxhetit të shtetit. Kjo nuk i lejohet as kryeministrit, nëse pagat i rritë me qëllim që të përfitojë elektoratin për zgjedhjet e sivjetme.

Kur analizohet se si do të bëhet sivjet shpërndarja e parave nga arka e shtetit, duket qartë se kreatori i kësaj skeme ka pasur parasysh dy gjëra: përmbushja e pjesërishme e premtimeve që kishte dhënë partia në pushtet gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, dhe investimi në elektorat për të siguruar votën për PDK-në, partinë nga vjen sponsoruesi i këtij buxheti- kryeministri Hashim Thaçi.

Gjërat duken qartë. Investimi dhe sigurimi i votës nuk do të bëhet përmes hapjes së vendeve të punës, por duke investuar në standardin e individëve, atyre që kanë kontrata me ndonjërën prej agjencive buxhetore- pra stafit civil.

Karakteristikë e përgjithshme e buxhetit të sivjetmë ishte qasja jo zhvillimore, meqenëse investimet publike zvogëlohen për 90 milionë euro, para të cilat shpërndahen për paga dhe mëditje, si edhe për subvencione e transfere. Për më shumë, në kontot e Ministrisë së Financave kanë qenë të “deponuara” 45 milionë euro, në mënyrë që ato të përdoren për rritje pagash në momentin kur kjo konsiderohet e dobishme. Një ndarje që ka ndodhur vetëm sivjet, pasi që nuk është hasur gjatë viteve të mëhershme.

Prandaj, që nga nëntori kur tabelat u bënë publike, mesazhi ka qenë i qartë – do të ketë rritje pagash, pro kjo nuk do të ndodhë në momenti kur miratohet buxheti, pasi në këtë moment as që është folur për përqindjen e rritjes, por në kohën kur qeveria vlerëson se ka ardhur koha për të bërë këtë intervenim. Pra, përmes këtij manovrimi financiar, Kuvendi i Kosovës ka qenë i privuar nga e drejta që të diskutojë për rritjen e pagave- momenti dhe përqindjen.

Rritja e pagave nuk duhet të ishte temë debat, posaçërisht në një vend si Kosova, ku asnjë rritje e mundshme nuk përmbushë nevojat e familjes mesatare, kur dihet se aty një punon, e tre veta shpenzojnë. Por, procesi i rritjes së tyre varet nga disa rrethana, të cilat vijnë nga ambienti i përgjithshëm ekonomik dhe social në vend. Në parim,për rritjen e pagave duhet të merren parasysh rritja ekonomike, produktiviteti, norma e inflacionit dhe faktori social. Por,këto elemente Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk i ka marrë parasysh, meqenëse momenti është përcaktuar nga nevojat elektorale, apo për të mbajtur fjalën e dhënë para elektoratit, si ndodhi me zgjedhjet (vjedhjet) e kaluara nacionale.

Eco Higjiena

Njësoj tingëllon edhe vendimi për rritjen e pagave, i dëgjuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës. Ka ardhur koha për rritje pagash, ka thënë kryeministri. He, koha erdhi meqenëse shpesh po flitet për zgjedhjet nacionale, ndërsa ato mund të mbahen shumë shpejt, pasi që është gati reforma zgjedhore.

Nëse mendohet që të sigurohet vota përmes rritjes së pagave, atëherë ky është mashtrim. Por, në të njëjtën kohë është edhe keqpërdorim i parasë publike, meqenëse synohet që ajo të shpenzohet për interesin e një individi, apo të grup;it të caktuar , në këtë të një partie politike. Ndërkaq, mashtrimi nuk del nga ajo se Hashim Thaçi nuk do ta çojë deri në fund vendimin për pagat, por , nëse elektorati mendon se vendime të tilla mund të merr vetëm nga kjo qeveri dhe ky kryeministër. Prapë po them, mashtrim, meqenëse secila qeveri, apo më saktësisht secila parti në pushtet e ka në dorë buxhetin e shtetit dhe, pothuajse është sovrane në mënyrën e shpërndarjes së parasë. Prandaj, secila do të kishte parasysh nevojë e rritjes së pagave dhe për intervenime në segmente të tjera sociale, ndoshta edhe me synim që të qëndrojë sa më gjatë në pushtet. Tek e fundit, partitë në pushtet janë përgjegjëse për përmbushjen e programit qeveritar, dhe në çdo vend ku procesi zgjedhor perceptohet pa emocione, fiton opsioni që ofron më shumë për votuesit. Por, në momentin kur qeveria merr mandatin,ai bëhet program qeveritar, përkatësisht koncept i zhvillimit ekonomik dhe social të shtetit.

Në këtë koncept qëndron edhe e drejta e qeverisë së Hashim Thaçit për rritjen e pagave. Mirëpo, kjo nuk guxon të bëhet në mënyrë stihie, prej momentit në moment,pasi që kjo duhet të ndërlidhet me disa faktorë. Mungon kjo ndërlidhje dhe del qartë se pagat mund të rriten vetëm në momentin kur thotë kryeministri. Pa marrë parasysh a ka nevojë për këtë dhe a është momenti i përshtatshëm. Mjafton që ai ta ketë thënë këtë.

Kjo formë e punës, në masën më të butë mund të përkufizohet si veprim autoritar, përkatësisht zhvillimit të proceseve të caktuar në vend sipas këndvështrimit dhe vullnetit të një individi, i cili, si është rasti i kryeministrit, në disa momente merr fuqi dhe guxim që të qëndrojë edhe mbi institucionin që e ka zgjedhur – Kuvendin e Kosovës.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)