MASHT ndan 580 mijë euro për shkencë
Ministria e Arsimit, buxhetin për hulumtime shkencore nuk e ka ndryshuar nga ai i vitit paraprak. Buxheti për veprimtaritë kërkimore-shkencore, për vitin 2014 është rreth 580 mijë euro. Ndërsa, Universiteti i Prishtinës, ende nuk ka ndarë ndonjë buxhet të caktuar për shkencën. Arbër Morina, shef i kabinetit të ministrit të Arsimit Ramë Buja, ka thënë se me këto mjete do te financojnë disa grante të ndryshme.
“Do të financojmë projektet kërkimore, Botimet shkencore, Mobilitetet Afatshkurtra, Bursat e doktoratës, çmimet: Hulumtues i ri dhe hulumtues i vitit, Parapagimin ne bibliotekat elektronike, Organizimin e konferencës ‘Java e Shkencës’ etj.”, ka thënë Morina. Nga ana tjetër, Avdulla Alija, prorektor për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se buxheti për hulumtime dhe për çdo aktivitet tjetër, tani është në proces të ndarjes.
“Prorektori për financa dhe njësitë akademike janë në proces të planifikimit, por ne e kemi një strategji për kërkime shkencore me të cilën parashihet një shumë e cila, sipas strategjisë, do të duhej t’i mirëmbante strukturat të cilat janë përgjegjëse për veprimtari kërkimore-shkencore. Por, edhe aktivitetet bazë, të cilat e rrisin nivelin e garimit apo nivelin e të qenit garues, për fonde tjera jashtë UP-së”, ka thënë Alija…(Tribuna).


