Hidromorava

Masakron shokun

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Një djalë 20 vjeç vrau një 45-vjeçar duke ia prerë qafën me thikë. Përveç tij, me të njëjtën thikë deshi ta vrasë edhe nipin e viktimës. Dyshohet se dorasi dhe viktimat njiheshin mes vete edhe më herët pasi që bashkë bënin biznes me drogë. Policia ka arrestuar V.Sh, derisa familjarët kanë varrosur Mehedin Zllanogën nga Rahoveci.

Mehedin Zllanoga vdiq në dhomën e tij natën e së premtes.

45-vjeçarin nga Rahoveci e vrau V. Sh. duke e therur me thikë në qafë.

Por si duket, kjo nuk i mjaftoi 20-vjeçarit, i cili tash po mbahet në paraburgim.

Me të njëjtën thikë që vrau Mehedinin, deshi ta vrasë edhe Adnan Zllanogën. Pasi largohet nga shtëpia e Mehedinit, pa e parë askush, i dyshuari i hip makinës dhe e thërret në telefon Adnanin, djalin e vëllait të Mehedinit, duke e gënjyer se kinse ka pësuar një aksident. Adnani shkon në vendin ku i kishte thënë i dyshuari dhe atje sulmohet me thikë. Por fati ishte në anën e Adnanit. Edhe pse i therur, ai shpëtoi nga vdekja dhe arriti të identifikojë personin që kishte dashur ta vrasë. V.Sh. ra në duart e policisë për rastin e Adnanit, ku policia më vonë zbuloi se i njëjti kishte vrarë edhe Mehedin Zllanogën në dhomën e tij.

Duke qenë se kishte jetuar vetëm, të afërmit nuk e kishin ditur se Mehedini kishte vdekur nga plagët një natë më herët. Atë e gjeti të vdekur kunata (gruaja e vëllait) rreth orës dhjetë të së shtunës, derisa krimi supozohet se ka ndodhur në mbrëmjen e së premtes. Vëllau i Mehedinit, Bajram Zllanoga tregon se atë natë nuk kanë parë e as dëgjuar asgjë, edhe pse kanë jetuar në të njëjtin oborr. I vetmi detaj që i kujtohet Bajramit është se kur ka dalë herët për të shkuar në punë, dera e oborrit ka qenë e hapur.

“Nuk më ka shkuar menja se ka mundur t’i ndodhë diçka e keqe te vëllai im. E kam mbyllur derën dhe kam shkuar në punë. Mas orës dhjetë, më ka thirrur gruaja dhe më ka treguar”, rrëfen për Express Bajrami.

Bashkëshortja e Bajramit e kishte gjetur Mehedinin të shtrirë në dysheme dhe i mbuluar nga gjaku. Mendohet se Mehedini ishte në kompjuter, derisa V.Sh. me të cilin njiheshin edhe më herët, kishte hyrë në dhomë duke e kryer vrasjen.

Për këtë, policia ka konfiskuar kompjuterin, ndërsa ende nuk ka mundur t’i gjejë dy telefonat e tashmë të ndjerit. Familjarët dyshojnë se telefonat me siguri janë marrë nga dorasi duke i humbur.

Bajram Zllanoga nuk pranon që vëllai i tij ka pasur probleme me dikë ose ndonjë ngatërresë. Ai tregon se ai nuk ka punuar askund dhe se para dy vjetësh ishte kthyer nga Austria, ku kishte qëndruar për një kohë të gjatë.

“Ka pasur dokumente, por e kanë kthyer se ka pasur probleme me ligjin atje”, tregon Bajrami.

RCCOLA

Familjarët thonë se nuk e dinë emrin e personit që e ka vrarë Mehedinin, përveç asaj se është nga Rahoveci.

Por Express ka mësuar nga burimet e veta në polici se i ndjeri dhe i dyshuari ishin shokë ndërmjet vete.

“Viktima dhe i dyshuari kanë qenë shokë biznesi. Ata kanë bërë veprime të kundërligjshme duke u marrë me narkotikë”, thonë burime nga policia.

Këto detaje nuk sqarohen zyrtarisht në polici, përveç asaj se “të gjitha detajet do të ndriçohen gjatë hetimeve që do të bëhen”.

“Gjatë fazës së hetimeve, do të kuptojmë edhe për motivet e vrasjes”, tha për Express Vesel Gashi, zyrtar për informim në Policinë rajonale të Prizrenit.

Ai konfirmon se viktima dhe i dyshuari janë njohur edhe më herët ndërmjet vete.

Kjo polici ka raportuar për këtë vrasje që ka tronditur familjen dhe fqinjët edhe nëpërmjet një komunikate zyrtare.

Policia ka raportuar se në rrugën “Xhevdet dhe Ramiz Krasniqi”, në një dhomë të shtëpisë së tij është gjetur pa shenja jete trupi i pajetë i viktimës mashkull- shqiptar, i cili dyshohet se është goditur nga një mjet i mprehtë-thikë.

“Nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse dhe pas hetimeve fillestare është arritur të identifikohet i dyshuari, i cili ishte në qendrën e mbajtjes në Rahovec lidhur me një rast lëndim i rëndë trupor, që kishte ndodhur më datën 28 shtator (e premte), ku kishte therur me thikë viktimën mashkull-shqiptar”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Viktima që ka shpëtuar dhe është trajtuar në spital, ka deklaruar se i dyshuari pas kryerjes së veprës penale ishte larguar me një veturë të tipit VW Pick Up në rrugën Rahovec-Drenoc.

“Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari, i cili ka deklaruar se ka kryer veprën penale duke i therur me thikë dy viktimat, me ç’rast njëri kishte mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes”. Policia ka kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit, ku është gjetur dhe konfiskuar vetura, e cila dyshohet se është përdorur në rast si dhe dy thika, ku njëra prej tyre kishte njolla gjaku. I dyshuari ndodhet në mbajtje, ndaj të cilit do të ngrihet kallëzim penal.