RCCOLA

Masakrat e njësiteve të UNÇJ-së në Anamoravë më 1944/45

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Nga Naim Musliu – Terrori, dhuna dhe gjenocidi serbo-sllav ndaj shqiptarëve është i dëshmuar përgjatë historisë. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, pas tërheqjes së forcave ushtarake bullgare, më 5 shtator 1944, zonën okupuese bullgare të Kosovës forcat nacionaliste shqiptare të ndihmuara nga ushtria gjermane ia bashkuan Shqipërisë. Për të mbrojtur kufijtë e këtij konfiguracioni të ri politik, nga gjysma e dytë e vitit 1944 u bë mobilizimi i popullsisë, duke krijuar forca vullnetare që të pengonin depërtimin e njësiteve të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ) drejt territoreve shqiptare. Ky organizim i forcave vullnetare u nxit me formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943).

Luftimet ndërmjet forcave vullnetare shqiptare dhe atyre të UNÇJ-së ishin të ashpra sidomos në Kikë mbi Hogosht, afër Preshevës, në Velegllavë etj.

Por, më 16 nëntor 1944, rreth orës 12, Brigada e 25 i Divizionit 46, Brigada 3 e Kosovës dhe një pjesë e Divizionit të Dytë të Kavalerisë bullgare, hynë në Gjilan pa luftë.

Pas depërtimit në Gjilan, komunistët organizuan pushtetin vendor dhe vendosën që në Anamoravë të qëndrojnë Brigada e 27 serbe, njësitet e Brigadës 26 serbe, që ishte e vendosur në Lipjan dhe njësitet e Brigadës 25 serbe, që ishte vendosur në Prishtinë.

Duke shfrytëzuar si pretekst betejat e zhvilluara në kufi për mos lejimin e depërtimit të forcave komuniste e çetnike në Kosovë, batalionet maqedonase, së bashku me elementë keqbërës të qytetit, filluan të hakmerren mbi popullsinë e pafajshme duke vrarë e plaçkitur popullsinë shqiptare.

Dhuna e terrori mbi popullin shqiptar nga formacionet partizano-çetnike ishte nga më të ndryshmet. Mënyrat dhe mjetet që u përdorën gjatë ekzekutimit ishin nga më të rëndat, si vrasje me plumb e deri te therjet dhe prerjet. Për të humbur gjurmët e krimeve viktimat zakonisht masakroheshin në mbrëmje kur errësohej e deri në agun e mëngjesit dhe të shumtën e rasteve përcilleshin me rëniet e fuqishme të daulleve dhe instrumenteve të tjera me zhurme shurdhuese. Kjo bëhej që të mos dëgjohej zëri i viktimave që ekzekutoheshin. Format më të shpeshta të ekzekutimit ishin: vrasje me plumb, therje me thikë, prerje me sharrë, përvëlim me ujë, ngulfatej me kaçamak të valës, vënie e kurthit, gur mbi kokë, goditje me kazmë, me tokmak, me lagraçë, me kmesë, me kondak pushke, me bajonetë, me hekur të skuqur, varje në qafë, varje me kokën poshtë, prerje e ekstremiteteve trupore për së gjalli, tredhje dhe prerje e organeve gjenitale, si dhe shumë forma të tjera.

Brigada 16 Maqedonase, e komanduar nga Gllisha Sharanoviqi, prej 6 tetorit deri më 14 nëntor 1944 në perëndim të Shkupit likuidoi rreth 200 shqiptarë nën pretekstin se kishin qenë në shërbim të okupatorit respektivisht të Gjermanëve. Kjo brigadë në Bllacë vrau e masakroi të gjithë meshkujt e këtij fshati.

Kurse, Brigada 17 Maqedonase, që operonte në Karadak, më 4 dhjetor 1944, te Isukajt (Isivukët) theri e përvëloi me valë në praninë e nënave të tyre afër 100 shqiptarë. Të therurit gjysmë të gjallë hidheshin në varre kolektive dhe pastaj përvëloheshin me ujë të vluar. Edhe më e tmerrshme ishte detyrimi i një nëne të vlonte ujë dhe të hidhte mbi të masakruarit, në mesin e të cilëve gjendeshin edhe 3 djemtë dhe burri i saj. Edhe në fshatin Gruhali u vranë të gjithë meshkujt. Kurse në Sefer ishin vrarë 25 të rinj. Gjithashtu të vrarë kishte edhe në Myqybabë, Kurbali, Ilincë, Maxhere, Depcë, Kokaj, Sllubicë etj.

Uji Dea

Njëri nga komandantët e njësive maqedonase, nga Mateqi i Kumanovës iu kishte thënë disa të moshuarve në Karadakë se “Na keni vra”, duke aluduar për vrasjet në kufi dhe “Ju kemi vra”, kurse tash e tutje nuk do të vriteni dhe fajtorët do të dalin para gjyqit. Në fakt nuk kishin çka të vrasin sepse ata që i shpëtuan këtyre masakrave ishin vetëm disa gra, fëmijë e pleq.

Ndërkaq, duke i parë masakrimet nga forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave. forcat nacionaliste filluan të bëjnë përgatitjet për të kundërshtuar pushtetin e dalë nga Lufta Nacional-Çlirimtare. Forcat vullnetare shqiptare të zonës së katërt të Mbrojtjes së Kosovës respektivisht të pjesës lindore të Kosovës, respektivisht përfaqësuesit e kësaj zone u takuan në fund të nëntorit të vitit 1944 në Tërpezë të Vitisë. Aty u vendos që të sulmoheshin njëkohësisht Ferizaj dhe Gjilani. Sulmi i forcave nacionaliste shqiptare në Gjilan ishte zhvilluar më 23 dhjetor 1944.

Pas tërheqjes së forcave të rezistencës, organet e OZN-ës dhe grupe civilësh serb kishin 24 orë të bënin çfarë të donin. Përveç qytetit të Gjilanit që u përfshi në një arenë kufomash të masakruara nga Brigadat çetnike, terrori vazhdoi edhe më tutje nëpër fshatrat e Anamoravës.

Për krimet e bëra u dalluan sidomos Brigada 8 e Preshevës, Brigada 12 e Bujanocit, Aradha Partizane e Shkupit, Brigada 16, 17 dhe 18 Maqedonase, Brigada e Bokës, Brigada e Pirotit, disa njësite të Brigadave Partizane të Kosovës etj.

Kështu, në bazë të të dhënave jo të plota për të masakruarit e të likuiduarit nga njësitet partizano-çetnike të UNÇJ-së në përjashtim të të vrarëve në qytetin e Gjilanit ishin: në Çarr u vranë 23 shqiptarë, në Shipashnicë 8, në Hogosht 6, në Sllubicë 11, në Pogragjë 5, në Dobërçan 4, në Kopernicë 3, në Inatoc 3, në Dobrosin 2, në Përlepnicë 22, në Busavatë 8, në Malishevë 17, në Gosponicë 29, në Gare 2, në Makresh 24, në Llashticë 23, në Stanoc 4, në Preshevë 600, në Vryçec 2, në Livoç të Poshtëm 9, në Livoç të Epërm 12, në Tërpezë 5, në Koretin 3, në Rogaçicë 2, në Sfircë 23, në Tygjec 5, në Gjyrishec 3, në Lisockë 6, në Shahiq 2, në Dazhdincë 2, në Sopot 75, në Kërstiq 2, në Topanicë 2, në Tërstenë 3, në Pozharan 23, në Konçul 10, në Bukurocë 13, në Bozhec-Rekali 3, në Marec 23, në Rubovc 4, në Lluçan 13, në Miratoc 15, në Tërnavë 10, në Allashec 4, në Izvor 2 etj.

Ndërkaq sipas listës të të vrarëve që posedon Komuna e Gjilanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumica e tyre janë vrarë në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945, numri i të vrarëve nëpër fshatrat e komunës së Gjilanit pa pjesën e të vrarëve brenda në qytetin e Gjilanit është: në Llashticë 36 të vrarë, në Malishevë 29, në Përlepnicë 27, në Kurexh 24, në Uglarë 20, në Livoç i Ulët 14, në Bresalcë 14, në Livoç i Epërm 13, në Zhegoc 13, në Zhegër 12, në Sllubicë 12, në Myqybabë 11, në Pogragjë 11, në Lipovicë 10, në Goden 8, në Çelik 10, në Dragancë 9, në Verbicë e Zhegocit 9, në Makresh 14, në Inatoc 5, në Sllakovc 9, në Llovcë 8, në Cërnicë 7, në Stançiç 7, në Ponesh 5, në Burincë 5, në Velekincë 5, në Lladovë 5, në Kishnapole 5, në Stanishor 4, në Dobërçanë 4, në Kmetoc 4, në Dunav 3, në Capar 3, në Shurdhan 3, në Selishtë 3, në Pasjak 3, në Pasjan 3, në Pidiç 3, në Bilinicë 1, në Lagjja Kokaj 2, në Gadish 2, në Nasal 1, në Haxhaj 10, në Demiraj 11, në Shillovë 1, në Gumnishtë 1, në Kuftcë e Epërme 1 dhe në Verbicë e Kmetocit 1 i vrarë.

Në bazë të listave të paraqitura më sipër, por edhe në bazë të të arriturave më të reja historiografike, masakrat e viteve 1944-1945, të cilat përfshinë çdo fshat e lagje, ishin ndër më të mëdhatë që kishte përjetuar rajoni i Anamoravës. Këto masakra tregojnë se Anamorava pësoi në shenjë frustrimi, hakmarrje dhe shovinizmi nga forcat çetnike-komuniste, energji kjo e akumuluar si produkt i projekteve antishqiptare të fabrikuara nga qarqe serbo-sllave, të cilat i kanë realizuar çnjerëzisht këto plane në koniunktura të favorshme ndërkombëtare përgjatë historisë, si në Krizën Lindore të viteve 1875-1878, në kohën e Luftërave Ballkanike (1912-1913), si ndërmjet dhe gjatë dy luftërave botërore dhe duke vazhduar përgjatë luftës së fundit në Kosovë në vitet 1997-1999./rajonipress/