Hidromorava

Martirët na obligojnë për të bërë më shumë se ç`kemi bërë

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Sabit Rrustemi – Në historinë më të re të Zhegrës me rrethinë, data e 30 Marsit 1999 , ka hyrë dhe është memoruar si kujtesa më e dhembshme e këtyre anëve, në rrugëtimin tonë drejtë lirisë, pavarësisë dhe, shtetit të cilin e gëzojmë sot, pas 15 vjetësh nga ajo kohë jo e largët.

Në këtë datë, forcat militare dhe paramilitare serbe, të cilat Kosovën e mbanin të pushtuar që nga Vjeshta e vitit 1912 e këndej, morën një nga ofensivat më të pamëshirshme të pastrimit dhe dëbimit të shqiptarëve nga këto anë e treva stërgjyshore, dardane, denbabaden, në realizim të apetiteve të tyre shovene dhe ëndrrave vrastare për krijimin e së ashtuquajturës Serbi e Madhe, e cila, fatmirësisht, sot e asaj dite mbeti vetëm ëndërr.

Pavarësisht sjelljes së kujdesshme dhe të përmbajtjes së popullatës shqiptare të kësaj ane, si gjithherë gjatë historisë së saj, forcat pushtuese serbe, pa as më të voglin shkas, u vërsulën drejtë shtëpive tona dhe, njerëzve tanë, vetëm pse, edhe nën gjithë atë trysni e shtypje mizore, nën gjithë atë rrethim të hekurt ushtarak, kishin kurajën dhe ishin të vendosur për të qëndruar nëpër shtëpitë dhe pasuritë e tyre.

Përshkallëzimi i situatës në Grykën e Karadakut si dhe në krejt komunën e Gjilanit e të Kosovës, po, veçanërisht brezit kufitar, ndodhi pas dështimit të Konferencës së Rambujesë si dhe vendimit të NATO- s për t’i bombarduar caqet ushtarake serbe në Kosovë.

Në vazhdën e këtij përshkallëzimi, Gryka e Karadakut ishte shënjestra kryesore e serbëve. Ndërsa, Zhegra, si epiqendër e kësaj Gryke, u bë koncentrimi kryesor i këtyre forcave, të cilat qëllim parësor patën dëbimin dhe shfarosjen tonë.

Pavarësisht se Zhegra njihej si një vend ku përherë marrëdhëniet ndërfqinjësore edhe nëpër luftërat e mëparshme ishin respektuar si dhe, popullata civile ish kursyer, kësaj radhe ndodhi e kundërta. Cak i parë i serbëve ishin pikërisht fqinjët e tyre të deridjeshëm.

Do thënë, edhe tash, pas 15 vjet se, rol kyç në këtë vrasje dhe dëbim të shqiptarëve nga Zhegra dhe Gryka e Karadakut, pati Gjuro Llaziq, ish ministër pa portofol në Qeverinë e sadamisit Millosheviq.

Kthimi i tij në Zhegër që ndodhi më 27 mars 1999 ndryshoi qenësisht situatën këtu dhe, yshti bashkëvendësit e tij si dhe forcat serbe kundër nesh, i asistuar edhe nga Stavra Veliçkoviq e nga Momqillo Mihajlloviq.

Gjithë të tjerët ishin nën urdhrat e këtyre dhe, ekzekutorë të dhjetëra viktimave në Zhegër, Shurdhan, Stançqi, Dunav, Lladovë e Llashticë.

Krejt kjo ndodhi, sipas një plani të përpiluar më herët nga serbët, si dhe të një liste poashtu, të veprimtarëve, intelektualëve dhe njerëzve me ndikim të kësaj ane, që, realisht ishin pjesë e qëndresës dhe rezistencës për lirinë dhe pavarësinë dhe, jetësimin e Republikës së Kosovës.

Kjo u pa në nismë të këtij aksioni për dëbimin tonë, ku cak i parë ishte shtëpia e kryetarit të nëndegës së LDK-së atë kohë, Tahir Tahirit, pastaj të nesërmen me mëngjes, rrethimi i tërë fshatit dhe vazhdimi i zbatimit të po këtij plani, nëpër shtëpitë e shumë veprimtarëve , qofshin ata politikë apo humanitarë, ku , për pasojë do kemi dhe të vrarë të tjerë, ku, në pragjet e shtëpive të tyre do martirizohen edhe arsimtari ynë i historisë, Milazim Idrizi, bashkë me vëllaun Qazimin si dhe kunatën Qamilen, po edhe dy prindërit e Musli Ukshinit, një veprimtar humanitar i Shoqates “Nëna Terezë”, Ukshin e Miradije Ukshini.

Po, ekspedita famëkeqe nuk do ndalet me kaq, do ketë edhe të vrarë të tjerë dhe, jo vetëm këtë ditë dhe, jo vetëm nga Zhegra, po, edhe nga Lladova, Selishta, Terzijajt, Shurdhani, Stançiqi e Dunavi.

Eco Higjiena

Po dita e 30 Marsit 1999, do shënojë edhe mbetjen e këtij fshati më të madh të Anamoravës dhe të Grykës së Karadakut, gati pa asnjë shqiptarë, për gati tre muaj, të cilët, të dëbuar, kush kah Livadhi i Verdhë, kush kah Bokat e Kurexhve e kush kah Çepuri, hoqën të zitë e ullirit, u gjetën si mundën, mbijetuan gjithë atë katrahurë dhe, përfundimisht, falë rezistencës së përgjithshme në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimin 78 ditësh të NATO-s me 19 shtete, të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpunë drejtësinë në vend, duke dëbuar shfarosësin e njerëzimit nga këtu dhe neve, na i hapën rrugët e kthimit nëpër rrënojat tona, këtu ku jemi sot dhe, ku po përpiqemi për ta ndërtuar një jetë të re, në një Kosovë të Re.

Themel i kësaj jete, natyrisht janë këta martirë tanë që po i përkujtojmë dhe nderojmë sot, këtu në Zhegër, të cilët do mbesin përherë lule dhe aromë e kësaj lirie, dëshirën e të cilëve e bënë vepër edhe shumë luftëtarë të kësaj ane, në krye me heroin Agim Ramadanin, i cili, si edhe më herët kreshniku i maleve Idriz Seferi, po edhe pas tij, ku ranë për lirinë e Kosovës Lindore , Shaban e Sami Ukshini, u bë dhe mbeti krenaria jonë e përhershme.

Tash, pas 15 vitesh nga kjo datë, kur, kjo pranverë përkundër mugullimit dhe gjelbërimit, nuk e fsheh dot dhembjen tonë, siç nuk e fsheh dhe krenarinë, shohim dhe jemi të vetëdijshëm se, shumë pak kemi bërë për këtë fshat e për këtë Grykë të Karadakut, për të cilin ata u martirizuan.

Janë diku mbi 60 martirë e dëshmorë, në krye me heroin Agim Ramadani, që na obligojnë për t’u angazhuar e kontribuar edhe më shumë, në mënyrë që ata, duke jetësuar dhe amanetin e tyre, të prehen të qetë dhe në paqe, në atdheun e tyre, për të cilin dhanë gjënë më të shtrenjtë.

Prandaj, këto përkujtime dhe këta përvjetorë le t’ na mobilizojnë, në rend të parë , për t’i vu para drejtësisë, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre martirëve. Gjë që nuk është bërë deri tash, përkundër një padie të ushtruar si dhe kërkesës së vazhdueshme.

Le të na nxisin dhe për një trajtim më të denjë të familjarëve të martirëve, dëshmorëve dhe herojve tanë, meqë kjo varet pikërisht nga ne dhe do duhej të ndodhë përditë dhe, jo vetëm nëpër përvjetorë.

Po, edhe për një zhvillim e mirëqenie të qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës, të cilët, dorë në zemër, ndihen të anashkaluar dhe pa mbështetjen e duhur institucionale, si në investime poashtu edhe në përfaqësime. Po, edhe në përmbushjen e një zotimi dhjetëvjeçar, për bërjen e Zhegrës komunë, ashtu siç ishte dikur.

Do kujtoj me këtë rast se, Zhegra si vendlindje dhe epiqendër e këtij gjaku të dhënë për lirinë e këtij vendi, përjashto fazën e ndihmave emergjente, deri më 2004, padrejtësisht ishte e privuar nga investimet e mëdha. Dhe atë, pikërisht nga ndikimi dhe ankimet e pabaza të atyre që na kishin vrarë e dëbuar.

Një fazë e shkurtër e investimeve kapitale më pas, që zgjati deri më 2007, nuk ishte e mjaftueshme për t’i sanuar gjithë ato pasoja që i solli lufta dhe barbaria serbe, në këto anë .

Tash, pas 15 vitesh, nuk kemi më kohë për t’u vonuar, hamendësuar apo, pritur.

Sepse, janë këto lule lirie, Shiqeri Tahiri, Milazim Idrizi, Qazim e Qamile Idrizi, Ukshin e Miradije Ukshini , Fitim Isufi…po edhe Raif Rrustemi, Mustafë Asllan Mustafa, Sabedin Hamiti, Ukshin e Hasan Maloku, Avni Zenuni, Rahim Kurteshi si dhe Muharrem e Jetish Demiri, Ymer Kadriu, Musa Veseli, Nebi Nebiu e Fatime Halili… bashkë më martirët e lirisë nga Lladova e Llashtica, që na thonë vazhdimisht se…duhet bërë më shumë, më shumë, edhe për ëndrrën që ata kishin , derisa dhunshëm po i mbyllnin sytë prej plumbave të pushtuesit… një Kosovë e lirë, e pavarur, një Kosovë demokratike, e zhvilluar e me një jetë të mirë, një Kosovë e integruar në familjen e vendeve dhe popujve të lirë e të civilizuar.

Zhegër, 30 Mars 2014