Marsi i medvegjasve!

Nga Burim Uka – Kur e përmendim muajin mars, shumëkujt i shkon mendja te 7 Marsi – Dita e Mësuesit, ose te 8 Marsi – Dita e Gruas.
Por, rrallëkujt i shkon ndërmend se në mars ndodhën shumë ngjarje të rëndësishme, që janë me rëndësi edhe për shqiptarët e Medvegjës. Marsi pa dyshim se është muaji i ngjarjeve të rëndësishme të popullit shqiptarë. Kur të shkruash për ngjarjet e marsit, pa dyshim se kujtohet 7 marsi i vitit 1887, kur në Korçë ku u hap mësonjëtorja e parë në gjuhën shqipe. E në historinë e mëvonshme nuk ka se si të mos na kujtohet 5, 6 e 7 marsi i vitit 1998, kur ra heroikisht familja Jashari në Prekaz të Drenicës, për t’i bërë kthesë të madhe historisë në Kosovës. Mirpo, marsi nuk la pa e “prekur” as Medvegjën, Preshevën e Bujanocin.
Referendumi… 1 dhe 2 mars 1992
Më 1 dhe 2 mars të vitit 1992, nëpërmjet referendumit, shqiptarët e Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit u deklaruan për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës. Pa dyshim, kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar të këtyre trevave.
Më 1 dhe 2 mars, 21 vjet më parë, shqiptarët e tri komunave ua kishin mësyrë kutive të votimeve. Ndonëse referendumi ishte i ndaluar nga pushteti, kjo nuk i pengoi shqiptarët e Medvegjës që t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së strukturave të partisë së vetme shqiptare në Medvegjë në atë kohë, Partia për Veprim Demokratik. Edhe pse rezultati i referendumit tregoi se shqiptarët janë pro bashkëngjitjes me Kosovën si një njësi e vetme administrative (në rast të ndryshimit të kufijve brenda Jugosllavisë), prapë rezultati ishte i papranueshëm për pushtetin. Por, megjithatë, referendumi e pati edhe peshën e vet, sepse bëri jehonë të madhe, e sensibilizoi opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar me hallet dhe problemet e shqiptarëve të këtyre tri komunave.
Vlen të theksohet se Referendumi i 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 ishte dhe mbetet rezultati më i rëndësishëm i dy partive të para politike, PVD dhe PDSH, të cilat dy vjet më parë e kishin filluar organizimin e pavarur politik të shqiptarëve.
71-vjetori i rënies heroike të Zenel Hajdinit, 7 mars 1942
Pikërisht më 7 mars (si për koincidencë me Ditën e Mësuesit) të vitit 1942, në vijën e parë të frontit në Gazdar të Medvegjës ra heroikisht Zenel Hajdini.
Zenel Hajdini është njëra nga figurat më të shquara kombëtare në Medvegjë, pas vdekjes së tij ai në 1953 u shpall hero i popullit. Nërkaq në Kosovë për nder të tij u themeluan aradhet e para të partizanëve që mbanin me krenari emrin e tij. Zenel Hajdini lindi më 24 maj 1910 në fshatin Tupallë, shkollimin fillorë e kreu në Banjë të Siarinës, te shkolla e quajtur “Te Xhamia”, të mesmen në Medresenë e Madhe të Shkupit, ndërkaq studimet i vazhdoi në Beograd.
Studimet i ndërpreu për t’u përgjigjur thirrjes së atdheut, meqë ai nuk pajtohej assesi që shqiptarët të mbeteshin të paarsimuar. Dallohej për bukurshkrim dhe kaliografi, një kohë punoi edhe në komunë si ofiqar. Emri i tij sot gjendet në shumë rrugë e institucione arsimore në Medvegjë, Banjë të Siarinës, Preshevë, Bujanoc, Maqedoni e madje edhe në Republikën e Kosovës. Për të u thurën shumë vargje e këngë nga poetë dhe këngëtarë të ndryshëm. Kësisoj, një rapsod i njohur nga Kosova, në këngën e tij të viteve të ‘70-ta thotë: “N’breg t’Moravës e n’stom të Drinit, lufton çeta e Zenel Hajdinit”. Nuk mungojnë as vargjet e thurura me krenari të madhe nga poetë të ndryshëm. Do të veçonin vargjet e thurura për personalitetin e Zenel Hajdini nga poeti i njohur Ramiz Kadriu “Shkolla të shumta të vendit tim/I bashkonte emri i heroit trim/nga Tupalla është trimi legjendar, Zenel Hajdini…’’
Trupi i tij pushon në varrezat e fshatit Tupallë të komunës së Medvegjës./Shkëputur nga nr.2 i Revistës Zëri i Medvegjës.