ARKATANA

Marrin ndihma sociale dhe mashtrojnë plakën zvicerane

/ 2 minuta lexim

Krahas ndihmave sociale për vite me radhë, çifti kosovar ka marrë edhe 250 mijë franga nga një plakë zvicerane dhe nuk i ka paraqitur ato.

Burrë dhe grua, kosovarë, prindër të katër fëmijëve, janë gjykuar për përfitim të padrejtë nga ndihma sociale dhe mosparaqitje të të ardhurave plotësuese.

Burri 39 dhe gruaja 31 vjeçe, krahas ndihmave sociale që i kanë shfrytëzuar për disa vite me radhë, kanë marrë edhe rreth 250 mijë franga nga një plakë bamirëse zvicerane dhe nuk i kanë paraqitur ato në entin përkatës.

Këto të holla ata i kishin marrë hua, me premtimin se do t`i kthenin. Por, pasi që nuk i kishin kthyer në afatin e premtuar, zvicerania ka nisur procedurën e zbatimit të borxhit (përmbarimit). Dhe me këtë veprim, enti social zbulon mashtrimin disavjeçar të tyre.

Hidromorava

Në seancën përmbyllëse që u mbajt të martën në Gjykatën e Qarkut në Zurzach (Kantoni Aargau), gruaja u dënua me 8 muaj burg me kusht për tri vjet ndërsa bashkëshorti i saj me vetëm 1800 franga si gjobë për kërcënimin që i kishte bërë gruas. Çifti është dënuar më lehtë për shkakun se vepra penale pastrim parash për të cilën ngarkohej gruaja, nuk ka mundur të dëshmohet, shkruan “Aargauer Zeitung”.

Kjo vepër lidhej me faktin se gruaja e gjykuar, një pjesë të parave të huazuara nga plaka zvicerane ua kishte dërguar familjarëve të saj në Kosovë. Dhe ky veprim, sipas prokurorisë paraqet pastrim parash.

Nga ana tjetër, bashkëshorti ka marrë dënim më të lehtë pasi që ai, siç u dëshmua në gjykim, nuk ka pasur fare të bëjë me paratë. Të gjitha çështjet financiare në familje i mbikëqyrte gruaja, ndërsa burri ishte i varur nga bixhozi. Paratë që i duheshin për “hobin” e tij, ia jepte e shpqja ndërsa ai nuk çante kokën se nga vinin ato të holla.