UBT

Marrëveshje politike duke shkelur ligjet dhe standardet demokratike-politike

/ 7 minuta lexim

Gjilan -Të ribësh marrëveshje politike me partnerin e koalicionit me arsyetimin se po pajtohemi ta vazhdojmë punën bashkë, por tash e tutje duke i “ataku” parimeve ligjore dhe akteve tjera që rregullojnë dhe taksativisht përcaktojnë depolitizimin siç është shërbimi civil, kjo praktikë ndodh vetëm në qeverisjen gjilanase.

Praktika e modelit të qeverisjes në Gjilan vetëm sa po shkon e po bëhet më befasuese, por jo duke sjellë ndonjë risi në interes të përgjithshëm, si p.sh. ndonjë investim kapital, investitor të jashtëm apo përfundim të ndonjë projekti madhor, por po vazhdon me avazin e këtyre dy viteve siç jemi mësuar të shohim, shkëmbim deklaratash nga distanca ndër vete (pozitë – opozitë) vetëm se kësaj here pozita ndërvete dhe atë duke u munduar ta “trullavin” opinionin se kishe i’a dolëm ta rehabilitojmë krizën dhe ja po e vazhdojmë koalicionin, por duke e bërë një veprim që asnjëherë më parë nuk ka ndodh, e as që besojmë se do të ndodhë, atë të ndryshimit të marrëveshjes së koalicionit me zbritjen në një teren ku këtyre “politikanëve” u ndalon ligji që të përzihen.

Pajtohen të punojnë duke “mos ditë” se po shkelin ligjin

Nga portalet informative lokale u informuam se Kryetari i Gjilanit dhe Kryetari i partisë së vogël që është pjesë e koalicionit qeverisës në Gjilan janë pajtuar ta tejkalojnë mosmarrëveshjen e cila u shkaktua para pak ditësh me “shnukjen” nga i madhi ndaj të voglit të një cope qeverie duke e bërë për vete dhe pastaj duke e “frigu” të “shnukurin” se edhe atë që ke është shumë, i vogli u pajtua pas pak dhe tha: ”çfarë të doni, si të doni, çfarë të na jepni, vetëm na mbani ende ju lutemi, se për ata në kryesi pak punë është kjo”.

Me këtë stil pune u pajtuan kinse ta tejkalojnë mosmarrëveshjen, herë duke deklaruar se sa të vjen ai eprori jonë që është vartës i dikujt atje në “Nahi të madhe” e pastaj ne ju tregojmë se edhe çka mundeni ju të na “shnukni”, e herë duke thënë “amin” si të thuani ju ne bëjmë, por duke u kënaq dhe duke thënë edhe publikisht se tash e tutje ne kemi bërë një marrëveshje se në çdo konkurs publik në shkolla (fillore, mesme) për drejtorë, zëvendës drejtorë, shërbyes civil, menaxher në spitale, ne të “shnukurit” do të kemi përparësi, se edhe ashtu më nuk kanë çka na bëjnë, veç se mund të na thonë “ju jeni të vegjël, plus të shnukur, nuk keni njerëz për këto pozita”, hajt edhe këto po i marrim ne, që ka ndonjë kundërshtim aty këtu, arsyetimi do të jet nga “shnuksat” se është kundërligjore dhe duhet ti zgjedhim atë që i plotësojnë kushtet…, se kemi dëgjuar kështu po shkruake në ligj.

Këta politikan lokal (qeverisës) a thua kur mund të binden se të vazhdosh një marrëveshje politike për bashkëqeverisje mund të ndash pozita në nivel drejtoratesh, komitete në Kuvend Komunal, ndonjë asistente administrative (sekretaresh), por në asnjë mënyrë nuk mund të vazhdosh marrëveshjen për të ndarë pozitat profesionale siç janë: drejtorët e shkollave, zv.drejtorët, shërbyesit civil, shërbyesit shëndetësor, e ndonjë pozitë tjetër në administratë publike, sepse këto veprime bien ndesh me ligjet në fuqi, siç është ai për shërbimin civil në Republikën e Kosovës, neni 3, paragrafi 9 (shih deklratat e Kryetarit të Komunës dhe Kryetarit të PSD, dega Gjilan, në www.rajonipress.com, www.2lonline.com, datë 04-05.08.2012, Koha Ditore, datë 06.08.2012, fq. 35, raporti i Arba Aliut).

Këto janë asgjë më shumë se diletantizma politik të llojit afrikan dhe nga këto veprime duhet kuptuar ne si shoqëri se më së shumti e përjeton negativisht qytetari i Komunës së Gjilanit.

Një marrëveshje e tillë në shtetet normale ku sundon ligji dhe kemi një zhvillim mesatar të demokracisë nënkupton që të aktivizohen shumë institucione shtetërore, organizata ndërkombëtare të cilat veprojnë në Kosovë, opozita, shoqëria civile, mediet (apo ndoshta këto janë të ndikuara nga pushteti), qytetarët dhe në fund duhet të reagojnë edhe intelektualët e këtij qyteti me qëllimin e vetëm që të ndalojnë gjithçka që është joligjore.

Mobi Casa

Institucionet të cilat të parat duhet të reagojnë janë ministria e shëndetësisë, e arsimit, e administratës publike dhe zyrtarë të lartë qeveritarë ngase nga kjo marrëveshje janë të rrezikuar të gjithë ata të cilët janë të punësuar në këta sektorë, me arsyen e vetme se PDK-ja në Gjilan duhet t`i kënaq me pozita në shërbimin civil partinë (PSD-Gjilan) e cila në qendër udhëhiqet nga një ish ushtarak dhe tani një ministër i mbrojtjes e kjo më së paku duhet të ndodhë në këtë rast, shtrohet pyetja pse ky e lejoi këtë?

Sot në botën bashkëkohore të ndodhin gjëra të tilla në qeverisjen lokale nuk nënkupton tjetër përveç se një skandal politik-juridik nga qeverisja aktuale në dëm të partisë e cila synon këto pozita dhe shtrohet pyetja po edhe sikur të mos jetë antiligjore kjo marrëveshje çfarë lloj ekspertësh ka në vete kjo miniparti e cila përveç kryesisë dhe familjarëve të saj elektorat tjetër nuk ka. Ju lutem na tregoni cilët janë ata ekspertë të cilët i posedon kjo parti e për të cilat kanë nevojë këto pozita të shërbimit civil?

Pikërisht nga kjo udhëheqje e Gjilanit është dashur që të dalin ide dhe koncepte të ndryshme se si të depolitizohen shërbyesit civil dhe të inkuadrohen më shumë kuadro ekspertësh për të cilët ka nevojë ky vend më shumë se kurrë, por jo edhe për këta lider të cilët po mundohen që edhe çështjet antiligjore ti bëjnë ligjore dhe fare të mos ndiejnë përgjegjësi (të paktën përgjegjësi morale) për këto çështje.

P.sh: Kryetari i Komunës thotë se do të pranohen në këto pozita vetëm ata të cilët i plotësojnë kriteret e konkursit (ky është një nga parimet më të këqija në praktikën e qeverisjes moderne), mirë atëherë çka nëse për një pozitë kërkohet bachelori dhe dy vjet përvojë punë ndërsa në konkurs ka prej atyre të cilët kanë nivelin master dhe mbi pesë vjet përvojë pune por që nuk janë militantë të PSD-së.

Në këtë rast PSD-ja kërkon që të pranohet militanti i saj që ka bachelor dhe dy vjet përvojë pune sepse është marrëveshja për qeverisje me Gjilanin mes subjekteve politike PDK-PSD, ndërsa në anën tjetër mbeten jashtë ata të cilët janë me super kualifikim, me përvojë pune dhe njerëz me kredibilitet personal dhe familjar në shoqërinë gjilanase.
Një pjesë të fajit për çështjet e keq qeverisjes në komunën tonë e bart edhe opozita shumë e brishtë jo në numra, por në kuadro të cilat nuk dinë ta rekomandojnë zgjidhje tjera dhe t`i vërejnë këto parregullsi qeverisëse, vaj halli për këta qytetarë se çfarë keq qeverisje kanë dhe çfarë opozite të papjekur politikisht, të pa organizuar profesionalisht dhe të qakorduar politikisht.

Keni kujdes të nderuar liderë komunal se ky popull historikisht ka dëshmuar se është i durueshëm, por poashtu ka dëshmuar se edhe di ti ndëshkojë keq ata të cilët e shkelin mundin dhe djersën e tij.

(Grupi i ekspertëve të OJQ LLD – Lobimi për Ligjin dhe Demokracinë).