Eko Higjiena

Marrëveshja le të testohet

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Vlora Çitaku – Implementimi i Marrëveshjes është prioriteti numër një i spektrit përkrahës të Marrëveshjes së premtes. Testimi i përmbajtjes së saj përballë Kushtetutës sonë është po ashtu mundësi e hapur për këdo.

Tash e disa muaj analistë e gazetarë janë preokupuar me marrëveshjen që duhej arritur midis Kosovës dhe Serbisë. Fakti që kishim të bëjmë me afat strikt kohor që ndërlidhej me raportin e BE-së për gatishmërinë e Ballkanit në proceset e integrimeve evropiane dhe se në thelb të marrëveshjes ishte mbyllja e një kapitulli të rëndë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e që është ekzistenca e strukturave paralele qeverisëse të Beogradit në territor të Kosovës, e bëri tërë procesin mjaft dramatik deri në dakikët e fundit të afateve kohore.

Besoj se Kryeministri Thaçi ka dorëzuar Kuvendit por edhe qytetarëve të Kosovës një tekst që është në suaza të vijave të kuqe të Republikës së Kosovës dhe kushtetutshmërisë. Shumëkush është fokusuar te dy-tre pika kompromisi që e bëjnë marrëveshjen më pak se ideale, por realisht barra e madhe e kompromiseve fundamentale ka qenë mbi Serbinë. Ajo është dashur të pranojë realitetin dhe kornizat strikte të Kushtetutës sonë. Vetëm ligjet e Kosovës. Vetëm Policia e Kosovës. Vetëm doganat e Kosovës. Jo vetëm aq. Serbia po ashtu është dashur të harrojë çfarëdo mundësie të instalimit të një mini-Serbie në kuadër të Kosovës që do të kishte dualitet të rendit dhe ligjit në veri.

Neve tani na presin disa javë të implementimit. BE-ja dhe shtetet anëtare dëshirojnë të shohin edhe veprime që mbështesin fjalët e thëna. Duhet ndalur financimin e strukturave. Duhet fshirë nga ekuacioni politik elementet destruktive që deri më tani kanë penguar EULEX për të zbatuar ligjshmërinë në çdo cep vendi. Nuk duhet harruar zgjidhjen e çështjeve të telekomit dhe energjetikës. Kosova duhet ta përfitojë edhe sovranitetin e plotë mbi rrjetin e telekomunikimeve dhe distribibuimit të rrymës, ku ka pasur ndërhyrje të rënda nga ana e Serbisë.

Ka pasur edhe zëra në Kosovë se marrëveshja nuk është konform Kushtetutës. Mendoj se çdo analize dhe debat konstruktiv duhet përkrahur. Unë mbes thellësisht e bindur se çdo fjali në marrëveshje është matur gati me milimetra kushtetues që të dalë krejtësisht konform Kushtetutës por mund të kuptoj nëse dikush bën pyetje. Prandaj edhe inkurajoj që ata që janë kundër të përdorin rrugët e sistemit dhe institucioneve për të adresuar dilemat. Gjykata Kushtetuese është i vetmi interpretues se a janë vendimet, marrëveshjet apo ligjet konform Kushtetutës. Në këtë punë Gjykata Kushtetuese është treguar mjaft e pavarur, prandaj çdo tentim që synon të adresojë çështjen e kushtetutshmërisë në rrugë apo me mjete të dhunës, e shpalos intencën e vërtetë të atyre që protestojnë jo si ruajtës të Kushtetutës por si rrënues të dhunshëm të sistemit kushtetues.

FIDANISHTJA

Ç’është e vërteta, si Ministre e integrimeve nuk jam aq e brengosur për implementimin afatshkurtër të marrëveshjes sepse aty e kemi të sigurt forcën garantuese të BE-së dhe NATO-s.

Më shumë jam e fokusuar në punët e mëdha që po na presin me pranimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim dhe në finish të procesit të liberalizimit të vizave. Ne duhet përvjelë mëngët të punojmë edhe më shumë ne implementimin e masave garantuese që do të hiqnin çështjen e minoriteteve nga lista e detyrave të shtëpisë por do të fillojmë punë masive reformuese në fushat si bujqësia dhe tregtia që përbëjnë pjesën më të madhe të negociatave me BE-në. Pasi që kemi kaluar fazat e vështira politike duke hyrë në ujëra më të qeta të politikës rajonale, gjithnjë e më shumë do të duhet të bisedojmë dhe punojmë edhe për fushat si krijimi i vendeve të punës, ambient i pastër, dhuna ndaj grave, minoritetet seksuale, dhe një mori temash tjera që janë të rëndësishme për grupe të interesit brenda BE-së por edhe që janë të përfshira në trupin e ligjeve europiane Acquis.

Këtu qeveria ka nevojë për opozitë dhe shoqëri civile që është aktive, që na shtyn edhe neve të dorëzojmë rezultate më të mira, që na shtyn të përfundojmë proceset. Por nëse mbesim duke diskutuar pro dhe kontra marrëveshjes dhe humbasim kohë në sharje dhe ofendime për tradhti dhe shitblerje të atdheut në kohën kur e mbarë bota demokratike dhe miqtë kryesor të Kosovës tashmë e kanë pranuar marrëveshjen si diçka pozitive për Kosovën, atëherë frikohem se në vitet e ardhshme do të vazhdojmë me ecje gjysmake përpara – me peizazh politik më shumë të ngarkuar me antagonizma personal se sa me ide dhe koncepte për të ardhmen evropiane të Kosovës.

(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës “Tribuna”)