Fundamenti

Marrëveshja Kosovë – Serbi, realiteti, dëshirat, mundësitë…

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Sinan Sadiku – Po të kishte punuar udhëheqësia e Kosovës që nga viti 1999 e këndej me përkushtim në realizimin e idealeve kombëtare shqiptare, në përputhje me rrethanat që kanë ekzistuar në botë, Evropë dhe Ballkan, gjasat për integrimin e Veriut të Kosovës kanë qenë të mëdha. Madje serbët nuk do të mund t`i përfitonin as disa beneficione të cilat shpesh e pengojnë funksionimin e Kosovës si shtet. Megjithatë udhëheqësit tanë thuajse i harruan idealet për të cilat ishin flijuar gjenerata të tëra dhe u lëshuan pas përfitimeve personale, të cilat përfitime shpeshherë morën karakter të degjenerimit të plotë.

Si pasojë e kësaj në popullatën tanë u paraqiten shumë devijime, disa prej të cilave e kanë origjinën te varfëria, disa te një ambient i kontaminuar moral, shpirtëror etj. Fjalën e kam për faktin se disa njerëz dhe prijës fetarë tani më po e kontestojnë identitetin tonë kombëtar, historinë , moralin, shpirtin shqiptar; pastaj shpërnguljet masive, moskryerjen e detyrave për të cilat paguhen shërbyesit publik (gjykatësit, prokurorët, policët, mjekët, arsimtarët, shërbyesit civil…), korrupsionin dhe deformime të tjera shumta (mungesa e planeve urbanistike apo mos respektimi i tyre, ndotja e ambientit, cilësia e dobët e ndërtimit të rrugëve, shkollave, spitaleve…). Të gjitha këto e kanë zbeh simpatinë që ndërkombëtarët e kanë pas për ne, i kanë zhgënjyer miqtë tanë, e kanë penguar zhvillimin ekonomik, investimet e jashtme… Me një fjalë e kanë pamundësuar krijimin e një shteti të mirëfilltë demokratik, të një shteti të mirëqenies sociale.

Në këtë gjendje në të cilën gjendet Kosova tani nuk ka asnjë gjasë që të bëhet integrimi i komunave të veriut të cilat i kontrollojnë serbët. Ato komuna tashmë i kemi humbur, nuk janë të Kosovës dhe këtë të vërtetë të hidhur duhet ta shohim, sepse mbyllja e syve sjell vetëm dëme, nuk i zgjidh problemet.

Tani Kosova i ka vetëm dy mundësi: ose ta legalizojë dhe ta njeh pushtetin faktik të Serbisë në komunat veriore që i kontrollojnë serbët, duke e formuar Asociacionin e Komunave Serbe me pushtet ekzekutiv, ose t`ia jap atë pjesë Serbisë, me kushtin që asaj t`i bashkëngjitet Lugina e Preshevës ku shqiptarët janë shumicë. Duket që në këtë kohë Kosova më së shumti do të mundet t`i merrë viset e banuara me shqiptarë që gjenden këndej autostradës që e lidhe Beogradin me Greqinë dhe që çështja e Liqenit të Ujmanit të zgjidhet në dobi të Kosovës.

Thënia se Kosova nuk mund të hyjë në bisedime me Serbinë, ngase ajo nuk e ka njohur, nuk qëndron për faktin se Kosovën tashmë e kanë njohur shtetet më të fuqishme dhe më të zhvilluara të cilat do ta garantonin një marrëveshje të tillë. Serbia nuk do të zbatonte asnjë marrëveshje me Kosovën e as me disa fqinj të tjerë të saj po të mos ishte e detyruar. Madje Serbia as në të kaluarën nuk do t`i zbatonte marrëveshjet me Shqipërinë po të mos ishte e detyruar. Kushdo që e njeh vetëm pak historinë e di këtë.

Uji Dea

Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë ka kuptim vetëm atëherë kur atë e garantojnë fuqitë e mëdha dhe kur Serbia e njeh Kosovën si shtet në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar . Përndryshe nuk ka asnjë arsye të ketë marrëveshje.

Nëse e bëjmë një krahasim figurativ me qëllim të sqarimit të gjerave duke e paraqitur Kosovën si një njeri, atëherë komunat veriore të saj që i kontrollon Serbia janë një gjymtyrë e sëmurë nga kanceri. Gjendja është alarmante, gjymtyra nuk ka gjasa të shërohet, kanceri është duke u zgjeruar. Nuk ka mbet tjetër veçse të amputohet gjymtyra që të shpëtojë pjesa tjetër e trupit dhe mundësisht të gjendet mundësia që ajo gjymtyrë të përtërihet.

Shpesh herë opinionet në popull krijohen duke u mbështet në dëshira pa i njohur dhe analizuar edhe shumë fakte dhe faktorë të cilat nuk përputhen me dëshirat. Nuk ka shqiptar që do ta jepte as edhe një pjesë të vogël të Kosovës me dëshirë, porse në politikë, me rastin e marrëveshjeve të ndryshme, shpesh nuk merren parasysh dëshirat , aq më pak të atyre që janë më të dobët. Thjeshtë vendos raporti i forcave.

Andaj për t`i kuptuar rrjedhat, gjendjen, mundësitë, raportin e forcave… duhet shumë me lodhë trurin, duhet që të punojnë me përkushtim shumë ekspertë… Mediokrit në këto situata janë të rrezikshëm e të tillë janë shumica e njerëzve, sepse shumica e njerëzve përtojnë t`i kushtojnë kohë të mjaftueshme kësaj pune. Më lehtë e kanë t`i përshtaten modës, reagimit të shumicës, kurse politikanët të shesin “patriotizëm” duke e pas në mendje vetëm përfitimin e votave e jo gjetjen e një zgjidhje e cila do të ishte në dobi të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Shihet na mungojnë mendjet kreative të cilat e dinë se politika është art i së mundshmes e jo art i dëshirave. Realiteteve të cilat nuk mund t`i ndryshojmë në të mirën tonë duhet t`u përshtatemi. Përndryshe mund ta pësojmë, madje shpesh shumë keq./rajonipress/