Marrëdhënie jo të mira Kosovë-Shqipëri

Moslejimi i shitjes së barërave “Made in Kosova” në tregun e Shqipërisë, tregon për raportet e tendosura ekonomike mes dy vendeve. Barrierat tregtare nuk po mund të hiqen as pas premtimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri do të jenë në fokus të qeverisjes së tij. Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se kjo ndodh për shkak të monopoleve dhe mossinqeritetit në mes palëve.
Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale STRAS, Ibrahim Rexhepi vlerëson se institucionet nuk kanë bërë mjaftë për unifikimin e kritereve dhe të standardeve për biznes.
Sipas tij, i gjithë problemi qëndron në faktin se për bashkëpunim dhe krijimin e tregut të përbashkët nuk ka sinqeritet. “Ka shumë fjalamani e demagogji”, thotë Rexhepi.
Bllokadat, ai pohon se po ndodhin për shkak të monopoleve dhe vendimeve qeveritare që bllokohet konkurrenca e lirë. “Çështja e bllokadave që po ndodhin vjen për shkak të interesave të monopoleve që janë nën mbrojtjen e shtetit, pastaj edhe për shkak të disa vendimeve qeveritare me të cilat pengohet konkurrenca dhe funksionimi i tregut të lirë”.