Maqedonia arreston peshkatarët e Shqipërisë

Policia kufitare maqedonase burgosë peshkatarët shqiptarë në ujërat e Liqenit të Pogradecit. Arsyeja ndodhet te mos përcaktimi i qartë i kufijve liqenor mes dy vendeve.
Ky shqetësim është ngritur nga kryetari i Shoqatës së Peshkatarëve të Pogradecit, i nxitur nga rasti i fundit i burgosjes së vëllezërve Seitllari. Kryetari Adriatik Dokollari ka treguar për Gazetën Shqiptare se dy vëllezërit peshkatarë, nga fshati Mëmëlisht, u mbajtën për tri ditë në burgun e Ohrit dhe vetëm pas takimeve dypalëshe ata janë të lënë të lirë.
Ndërkohë, varkat, mjetet e peshkimit si dhe gjahu i zënë janë sekuestruar me pretekstin se janë zënë “në ujërat e pjesës së liqenit maqedonas”.
Ky është vetëm rasti i fundit pa llogaritur të tjerat të ndodhura në periudha të shpeshta kohore.
Duket vërtet paradoksale, por që prej vitit 1997 midis Shqipërisë dhe Maqedonisë mungon një vijë kufitare ujore. Kjo mungesë është bërë shkak për shumë incidente ndërkufitare midis peshkatarëve pogradecarë që kryejnë gjueti në liqen dhe patrullës kufitare policore maqedonase. Aktualisht, nuk ekziston asnjë vijë kufitare në liqen e shprehur me shenja dalluese.
Në ngjarjet e vitit 1997, shenjat dalluese kufitare mbi sipërfaqen e liqenit u dëmtuan duke kryer kështu funksionin e “tabelave qitëse”. Ato ngjarje sollën prishjen përfundimisht të dallueshmërisë së kufirit ujor mes dy vendeve.
Peshkatarët dhe familjarët e tyre nuk mjaftohen me ndihmën që i kërkojnë shpesh policisë kufitare në raste të tilla, por ngrenë zërin edhe më tej. Ata kërkojnë që të vendosen sërish shenjat dalluese të kufirit në mënyrë që të mos përsëritet epopeja e bisedimeve dypalëshe mes policisë shqiptare dhe asaj fqinje.
Procedurat janë të tejzgjatura ndërkohë që të afërmit e tyre janë në burgun e Ohrit pasi kanë “shkelur” vijën kufitare në liqen kur kjo vijë kufitare nuk ekziston.
Peshkatarët kërkojnë që shteti të ndërhyjë urgjentisht në vendosjen e shenjave të reja dalluese përgjatë vijës kufitare në ujërat e liqenit të Pogradecit. Sipas policisë kufitare, ky problem madhor duhet të zgjidhet në rang ministrish të vendeve fqinje, pasi edhe vendosja e atyre shenjave ka kosto relativisht të konsiderueshme. /Telegrafi/