Mandati përmes Kuvendit

Autoritetet e Prishtinës tashmë kanë sqaruar çështjen e vazhdimit të mandatit të EULEX’it. Ministria e Drejtësisë ka hartuar një letër, të cilën pritet ta dërgojë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Të njëjtin dokument, më pas, Presidentja Jahjaga ia dërgon Baroneshës Ashton.
Institucionet e Kosovës e kanë qartësuar formën se si do të kërkojnë vazhdimin e mandatit të Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Prishtinë.
Qeveria, përmes Ministrisë së Drejtësisë, e ka hartuar Letrën, me të cilën EULEX’it i vazhdohet mandati deri në vitin 2014.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se Letra për EULEX’in do të votohet së pari në Kuvend me 2/3 e deputetëve, e pastaj t’i dërgohet Presidentes.
“Kuvendi duhet ta ratifikojë”, ka thënë Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, për Express.
Ai ka sqaruar se pastaj e njëjta Letër do t’i dërgohet Presidentes Jahjaga, e cila do të kërkojë nga Baronesha Ashton t’i vazhdohet mandati Misionit më të madh të vendeve të BE’së në Kosovë.
“Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do ta dërgojë Letrën në Bruksel”, ka shtuar Kuçi.(express)