Mandat deri në zgjedhje

/ 4 minuta lexim

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Buxhetin për vitin 2014, në mbrëmjen e së enjtes, pas një seance të gjatë në të cilën deputetët opozitarë e kritikuan atë – duke e quajtur Buxhet të Varfërisë dhe Kaosit.

LDK, VV dhe AAK refuzuan ta mbështesin, por me 59 vota “për”, 31 “kundër” dhe 1 “abstenim”, ai kaloi.

ZëvendësKryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, në një deklarim për lajmi.net, thotë se miratimi i Buxhetit tregon atë që ka thënë vazhdimisht koalicioni qeveritar, se e ka legjitimitetin demokratik për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.

“Buxheti është të gjithë qytetarëve të Kosovës, edhe i Opozitës. Miratimi i tij njëkohësisht vërteton legjitimitetin demokratik të Qeverisë, që është larg më i madh se i gjithë Opozitës tjetër.”

Me votimin në parim për Buxhetin, Qeveria kaloi një sfidë të përkohshme. Por, 59 vota nuk konsiderohen numra që tregojnë qëndrueshmërinë e saj, ndërkohë që partitë opozitare ka kohë që konstatojnë për krizën që e ka kapluar koalicionin qeverisës.

Megjithatë, Hajredin Kuçi mendon Qeveria i ka votat për të mos u rrëzuar.

“Unë absolutisht nuk e vërej këtë dallueshmëri. Nëse thoni 59 vota, hajde ta bëjmë krahasimin me 31 vota të Opozitës.”

“Ajo që dua të them është se Qeveria i ka votat për të qëndruar në qeverisje”.

“Po e them shumë hapur se përfundimi i mandatit të kësaj Qeverie është në zgjedhje nacionale, asnjë zgjidhje tjetër nuk ka.”

Por, zgjedhjet nacionale mund të jenë edhe të parakohshme.

“Zgjedhjet nacionale mbahen atëherë kur PDK, si partia më e madhe në Kosovë, dëshiron t’i mbajë. Por, ne do t’i mbajmë sa herë që zhvendoset legjitimiteti demokratik”, thotë Kuçi.

Fidanishtja

“Ata që i përmendin zgjedhjet nacionale, e mendjen e kanë te suksesi i zgjedhjeve lokale, nuk janë seriozë për zgjedhje nacionale.”

Partitë opozitare kanë përmendur disa herë mundësinë e hedhjes së Qeverisë në votëbesim, sidomos pas krizës në të cilën u fut Kuvendi në kohën kur ishte i pamundur kuorumi për privatizimin e PTK’së.

Sipas Kushtetutës, votëbesimi kërkohet me 61 vota.

Zëvendëskryeministri Kuçi thotë se është e drejtë e Opozitës për ta kërkuar votëbesimin e Qeverisë.

“Ai që e hedh në votëbesim, duhet t’i ketë 61 vota për votëbesimin. Është krejt demokratike të ndërmerret një nismë e tillë. Por, unë jam i bindur që në asnjë rast nuk janë ato vota.”

“Vendimmarrjen për punë të mëdha në këtë vend e ka Qeveria e Kosovës dhe e ka PDK si partia më e madhe në vend. Edhe pse po heshtim përballë disa kritikave, kjo nuk do të thotë që nuk kemi qëndrimin dhe vendosmërinë tonë.”

“Qeveria e Kosovës e ka legjitimitetin e plotë demokratik. Njerëzit e Qeverisë, PDK, i ka votat që i ka pasur edhe kur e ka fituar mandatin qeverisës. Madje, mandatin e tretë qeverisës do ta fitojmë edhe më shumë dhe me distancë më të lartë.”

Ka një disponim ndërkombëtar dhe vendor që zgjedhjet nacionale të mos mbahen pa u kryer fillimisht reforma zgjedhore, ndërsa si kohë e mundshme është përmendur qershori i vitit të ardhshëm.

Hajredin Kuçi flet për dy situata.

“Janë dy situata. Në situatën normale, duhet të bëhet reforma zgjedhore, për çka ne e kemi shprehur gatishmërinë. Dhe, situata e dytë është që zgjedhjet mund të mbahen edhe pa reformë, nëse Qeveria nuk ka legjitimitet demokratik.”

“Në të dyja rastet, ne jemi të përgatitur.”