Mamografi Mobil, shërbime shëndetësore falas për 14 ditë në Gjilan

Gjilan – Mamografi mobil, i investuar nga gratë deputete të legjislaturës së katërt të Kuvendit të Kosovës, për 14 ditë me radhë do të jap shërbime falas për pacientet e Gjilanit që ka nisur në fshatin Zhegër dhe do të bartet në pesë qendra të ndryshme në Gjilan e i cili ofrohet falas me financim të ministrisë së shëndetësisë.
Kjo aparaturë mobile me shumë rëndësi për gratë në përgjithësi, është funksionalizuar me mbështetjen e ministrit të shëndetësisë, Imet Rrahmani.
Në emër të ministrit të shëndetësisë, këshilltari i ministrit Zejdush Tahiri, ka falënderuar gratë deputete për këtë projekt, i cili më vonë ka marrë mbështetjen edhe të ministrit të shëndetësisë.
“Ky projekt po nis në Gjilan dhe qëllim ka skreningun e kancerit të gjirit, duke pas parasysh që ky është një problem madhor dhe shumë i shpeshtë në patologjinë e sëmundjeve në Kosovë, atëherë është menduar që të punohet më shumë në preventivën e kësaj sëmundjeje, me zbulimin e hershëm të saj. Kjo ka nisur me Gjilanin dhe do të vazhdohet edhe në qendra të tjera të Kosovës, në mënyrë që të ofrohet ky shërbim për gratë, në mënyrë që nëse zbulohet më herët kjo sëmundje ka edhe mundësinë e shërimit. Mbështetja e ministrit dhe e ministrisë në përgjithësi do të jetë gjithnjë më e madhe në mënyrë që shërbimet shëndetësore të jenë më afër qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, Fejzulla Berisha, ka thënë se mamografi mobil do të jetë një shërbim mjekësor me shumë rëndësi për gratë gjilanase, duke falënderuar ministrinë për ofrimin e këtij shërbimi në Gjilan.
“Ky është aktiviteti i parë që po realizohet në Komunën e Gjilanit, lidhur me implementimin e projektit të mamografit mobil. Kjo është arritur në bashkëpunim me ministrinë e shëndetësisë dhe shërbimin spitalor klinik të Kosovës, ku nëpërmjet koordinatorëve nacional dhe të radiologjisë, po mundësohet dhënia e shërbimeve për ekzaminimit të gjirit tek gratë e interesuara, duke e ofruar këtë shërbim në zonat rurale të Gjilanit. Ky shërbim do t’u ofrohet të gjitha grave nga mosha 40 vjeçare e më lartë. Deri më tani duke përfshirë të gjitha fshatrat, janë 195 paciente që do të ekzaminohen, me mundësinë që ky numër të rritet sipas mundësive dhe kohës që e kemi në dispozicion”, tha Berisha duke informuar se kjo ka nisur me Zhegrën, pastaj do të shkojmë në Pogragjë, Dobërçan, Cërrnicë, Bresalc dhe kjo punë parashihet të kryhet në një periudhë 14 ditore”, ka pohuar drejtori Berisha.
Abdylatif Latifi, drejtor i Spitalit Regjional të Gjilanit, ka thënë se ky mamograf i financuar nga gratë deputete, po mundëson shërbimet shëndetësore më afër shtëpive të pacientëve.
“Ky është një shërbim më afër pacientëve, kjo po mundësohet falë investimit të grave deputete dhe me mbështetje të ministrisë së shëndetësisë. Ky mamograf është modern dhe ka karakteristika të cilat precizojnë saktësisht nëse është apo jo e prekur një paciente me tumor të gjirit. SRGJ – ja, ka mamografin, por është më i vjetër se ky që është këtu. Fatmirësisht prej rreth 150 ekzaminimeve që i kishim gjatë vitit 2014, më pas se 10%, prej tyre i kemi dërguar në QKUK, të cilat pastaj janë trajtuar atje”, tha ndër të tjerash drejtori Latifi.
Agim Bregaj, koordinator nacional i mamografit, ka thënë se kjo është një ndihmë që iu afrohet grave, nënave në zonat rurale, për të shikuar mundësinë e preventivës nga kjo sëmundje të tumorit dhe sëmundjeje malinje.
Ndryshe ky mamograf mobil, është i teknologjisë së fundit dhe nxjerr të dhëna të sakta lidhur me ekzaminimin e sëmundjes për të cilën edhe është blerë, pra kancerin e gjirit ndërsa, aty punojnë specialist të kësaj fushe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Gratë të cilat u ekzaminuan në fshatin Zhegër kanë thënë se ky është një shërbim me vlerë shumë të madhe për to, dhe më e mira është që e njëjta ofrohet falas./rajonipress/